“Kemi hyrë në Kreshmën e Madhe. Është një periudhë që duhet ta jetojmë në mënyrën e drejtë”. Me këtë mesazh iu drejtua Kryepiskopi Anastas të rinjve orthodhoksë të Tiranës, në takimin që u zhvillua në qendrën rinore “Bethlehem”, mbrëmjen e 5 marsit. Kjo veprimtari ishte konceptuar në formën e një bisede të lirë, ku të rinjtë dhanë përvojën e tyre në realizimin e programeve dhe veprimtarive që organizon Kisha jonë brenda dhe jashtë vendit. Kryepiskopi u interesua për ecurinë e punës me studentët e Universitetit të Tiranës, që banojnë në Qytetin Studenti, si edhe me të rinjtë aktivistë të kryeqytetit, të cilët e zhvillojnë veprimtaritë e tyre në qendrën “Bethlehem”.
 
   Gjatë bashkëbisedimit, Kryepiskopi foli edhe për rëndësinë e kreshmës në jetën tonë shpirtërore: “Sikundër të gjitha troparet e theksojnë, nuk duhet të kufizohet kreshma thjesht në çështjen e ushqimit, por duhet të shtrihet dhe të zgjerohet  edhe në shumë gjëra të tjera. Pra, duhet të bëhet kreshmë në sy, në veshë, me gojë, në fantazi, në zemërimin që ne ushqejmë dhe në shumë gjëra të tjera, të cilat na ndyjnë më tepër se sa e bëjnë këtë ushqimet që ndalohen në këtë periudhë. Kjo është një kohë pune shpirtërore dhe të gjithë ne duhet ta gëzojmë, sepse Zoti na fton të transformohemi me anë të hirit të Tij.”
 
   Gjithashtu Kryepiskopi theksoi rëndësinë e takimeve shpirtërore. “Në këtë periudhë duhet t’i jepni më shumë rëndësi faktit që të merrni pjesë në takimet shpirtërore dhe në çdo gjë që kontribuon në ripërtëritjen tuaj shpirtërore. Kemi edhe shumë rrugë të gjatë për të bërë. Nuk mund të shkojmë në majën e një mali të lartë vetëm duke bërë disa hapa. Tani që jeni të rinj duhet të bëni një përpjekje më të madhe. Ajo që na kërkon Zoti nuk është diçka e vogël. Ai na kërkon zemrën. Edhe sikur kjo të duket e tepruar, ai na kërkon që gjithsecili nga ne të bëjë përpara drejt shenjtërimit. Ky është qëllimi që ne i kemi vënë vetes dhe gjithsecili nga ne kur lartësohet shpirtërisht, tërheq me vete gjithë shoqërinë e tij; tërheq me vete mbarë Kishën. Tërheq mbarë botën ku ai ndodhet.”
 
   “Le të gëzojmë këtë periudhë kaq të madhe me më tepër lutje dhe autokritikë, duke pasur më tepër dhembshuri dhe kuptim për njeri-tjetrin. Në detyrat tona të kemi sa më shumë paqe dhe gëzim për kryerjen e tyre” –e mbylli fjalën e tij Kryepiskopi Anastas.
 
                          
Isidor Koti