Në Liturgjinë Hyjnore morën pjesë shumë besimtarë të zonës përreth dhe të ardhur nga qytetet e tjerë të vendit, si edhe pedagogët e studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” etj. Në mbrëmjen e një dite më parë, u krye edhe Mbrëmësorja e Madhe, Kanoni lutësor (Paraklisi) i së Tërëshenjtës Mari dhe Pasdarka e Vogël. Lutjet e shumë besimtarëve të cilët ishin grumbulluar në kishë dhe përreth manastirit vazhduan deri në agimin e ditës së festës.
Studentët dhe pedagogët e Akademisë Teologjike kishin përgatitur një organizim model të kësaj të kremteje, duke pritur me qindra besimtarë dhe duke iu shërbyer atyre në çdo kohë.
Drejtori i Akademisë, Hirësi Ilia Ketri, përshëndeti të gjithë besimtarët epranishëm: “Gëzuar nga mot e për shumë vjet. Më lejoni t’ju përcjell urimet dhe përshëndetjet e përzemërta atërore të
Kryepiskopit Anastas dhe Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urimet më të mira me rastin e festës së bekuar të Shën Vlashit të gjithë ju besimtarëve që ndoqët me shpresëtari shërbesat e shenjta, gjithashtu edhe besimtarët e mbarë Shqipërisë që vijnë me shpresëtari në këtë vend të shenjtë dhe të bekuar. Perëndia ju bekoftë me ndërmjetimet e Shën Vlashit!”
Pas Liturgjisë Hyjnore festa vazhdoi. Për klerikët, pedagogët, studentët dhe besimtarët e ardhur në Manastirin e Shën Vlashit ishte përgatitur një drekë e veçantë, gjatë së cilës u përcollën urime të shumta, u kënduan këngë etj., në një atmosferë plot me gëzim dhe dashuri vëllazërore.
Isidor Koti