Kremtimi i Theofanisë në Berat gjithnjë është i veçantë, sepse të tillë e bën edhe populli kremtëdashës i Beratit, por edhe lumi Osum. Kështu herët në mëngjes kremtimi filloi me Shërbesën e Mëngjesit dhe më pas vazhdoi me Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Spiridhonit. Liturgjinë e drejtoi Imzot Ignati, i cili u shoqërua nga atë Petraqi dhe dhjakon Spiridhoni.
Pas mbarimit të Liturgjisë besimtarët u drejtuan për në lumin Osum, ku do të hidhej Kryqi i Shenjtë. Lugina ishte mbushur nga të dy anët plot e përplot si vetë shtrati i tij me ujë këtë vit, ndërsa ura shekullore dëshmi e viteve të kremtimit të këtij riti në këtë qytet, kurrë si sot s’ka mbartur kaq shumë këmbësorë.
Besimtarë të shumtë duke kënduar himnin e Pagëzimit shoqëruan Imzot Ignatin.
Ora 10, në mes të urës së gurtë Kryebariu qëndroi me kryqin në dorë, ndërsa dhjetëra të rinj kishin kohë që ishin futur në ujë dhe s’donin t’ia dinin për të ftohtët.
Pasi bekoi ujin Mitropoliti hodhi kryqin. Kryqi u kap nga treshja e lagjes Goricë, që tashmë e kanë bërë stafetë tradite: Eligert Batija, Andi Shtrepi dhe Gentian Soveta.
Të tre djemtë që kapën kryqin bashkë me bekimin morën dhe dhuratën simbolike nga Imzot Ignati.
Më pas Hirësia e Tij iu drejtua besimtarëve: “Kryqin që simbolizon trupëzimin e Krishtit të gjithë duam ta prekim, ta puthim, sepse duam të marrim Hirin e Perëndisë, dashurinë, urtësinë, besimin, ndaj afrohen me shpresë e frikë ndaj Perëndisë”.
Sipas traditës djemtë me kryqin shkuan nëpër shtëpitë e besimtarëve si mbarësi e ditës së shënuar, duke kënduar himnin e Pagëzimit.
Sotiraq Mishaxhi