Në datën 6 janar Kisha Orthodhokse kujton Epifaninë e Zotit Krisht. Në këtë ditë, të gjithë besimtarët e krishterë orthodhoksë kujtojnë edhe pagëzimin e tyre, që do të thotë se ne kemi pranuar të veshim rrobën e Zotit Jisu Krisht. Dhe që nga ajo ditë ne pranuam të ecim në dritën e së vërtetës. Rruga për në Mbretërinë e Perëndisë, rruga në të cilën Zoti na thërret ta ndjekim është drejt një jete plot gëzim, paqe, dashuri dhe shpresë. Besimtarët e krishterë orthodhoksë pranojnë të udhëhiqen nga mëshira e Perëndisë sepse është Perëndia që shpëton. Në këtë ditë, thuhet në Ungjillin sipas Mattheut: Jisui sapo u pagëzua doli nga uji dhe qiejt u hapën dhe Ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi Të, dhe ja një zë nga qielli tha “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”. Është pikërisht kjo ditë që ne kujtojmë dhe falënderojmë Perëndinë, përgatitim veten tonë për detyrën e madhe apostolike që kemi që në momentin e pagëzimit.
Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Shenjtërimit të ujërave u drejtua nga Protopresviteri Atë Jani Trebicka. Bashkëmeshonin edhe klerikë të tjerë në pjesëmarrjen e shumë besimtarëve, të cilët qëndronin në ambientet brenda dhe jashtë kishës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari”.
Në predikimin e tij, Atë Justini theksoi: Drita u shfaq dhe na ka ndriçuar. Kjo festë quhet e dritës sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq ndër ne. Ai na u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore. Ne çuditemi nga përulësia e Krishtit sepse Ai arriti të zvogëlohet dhe të bëhet njeri, madje shkoi tek Joani për t’u pagëzuar. Për ne të krishterët përulësia shkon me dashurinë dhe kështu ne ftohemi të ndriçohemi me doktrinën e Trinisë së Shenjtë dhe nga ana tjetër të kemi përulësi duke patur si model Krishtin. Le të jemi të ndriçuar, pra, gjatë gjithë jetës sonë me hirin e Perëndisë dhe me virtyt.