Më 6 mars në qytetin e Beratit u hap kopshti më i ri i Kishës sonë. Në ceremoninë e përurimit merrte pjesë Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Ignati, përfaqësues të qeverisë vendore, intelektualë si dhe shumë besimtarë.
Por ata që e bënin edhe më të bukur atmosferën ishin fëmijët, fytyrat e të cilëve shprehnin gëzim, duke të kujtuar fjalët e Zotit Jisu Krisht: “Lërini fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek unë, se e tyre është Mbretëria e qiejve”.
Hirësi Ignati, bashkë me klerikë të tjerë, kryen shërbesën e Ajazmës, ndërsa shiritin e përurimit e preu dhuruesja e kësaj qendre, znj. Emilia Athanasiadhi. “Falënderojmë Zotin që na bëri të denjë të asistojmë në këtë ditë të gëzuar për mbarë qytetin tonë të lashtë. Është meritë e Kryepiskopit Anastas që ndër çështjet kryesore të Kishës sonë ka vënë detyrën e edukimit dhe arsimimit të brezit të ri. Mitropolia jonë e shenjtë e frymëzuar nga ky synim i lartë, pas përpjekjeve të shumta, me hirin e Perëndisë, me bekimin e Fortlumturisë së Tij dhe me ndihmën e pakursyer të disa bamirësve, bëri të mundur çeljen e këtij kopshti fëmijësh, duke realizuar dëshirën e qytetarëve tanë.” – theksoi në fjalën e tij Hirësi Ignati.
Në vazhdim Hirësi Ignati përmendi se çelja e këtij kopshti do të sjellë shumë të mira; për familjen, për shoqërinë, për shtetin, për Kishën dhe në mënyrë të veçantë për të gjithë fëmijët që do të kenë privilegjin të ulen në bankat e këtij institucioni themelor për arsimimin dhe edukimin e tyre të mëtejshëm. Ky kopsht do ta lartësojë shumë familjen sepse prindërit do të jenë më të lirshëm të kryejnë detyrat e tyre të përditshme. Kur t’u kthehen fëmijët e tyre nga kopshti, prindërit do të ngazëllohen nga përparimi i përditshëm, nga edukimi i shëndoshë që do të marrin dhe nga dituritë e shumta me të cilat do të pajisen nga edukatoret e përkushtuara. Shoqëria shqiptare do të shëndoshet nga mirësjellja dhe pjesëmarrja e të rinjve të saj. Shkollat 9-vjeçare do ta kenë më të lehtë thithjen e elementëve më të aftë të saj. Kisha do të zbukurohet edhe më shumë me praninë e këtyre engjëjve shpresëdhënës. Shteti do të forcohet së tepërmi me qytetarë të denjë për drejtimin e punëve shtetërore.
Edhe nënkryetari i Bashkisë së Beratit vlerësoi kontributin që jep Mitropolia për zhvillimin e kulturës dhe arsimit në qytet: “Kjo është një fidanishte dhe jam i bindur që do të dalin fidanë të shëndetshëm, do të dalin njerëz të cilët do të duan familjen, atdheun, mbi të gjitha do të duan Zotin. Është një dashuri, të cilën ne e ndiejmë në këtë ceremoni, që të jemi sa më afër Zotit. Falënderoj edhe Mitropolitin për angazhimet e tij që ka patur me Bashkinë tonë, ku në vitet e kaluara kemi patur bashkëpunime shumë të suksesshme dhe besoj se ky vit dhe vitet e tjera do jenë të tilla”. Ndërsa prefekti i Beratit uroi fëmijët që do të edukohen në këtë kopsht dhe të rriten të shëndetshëm e të ditur.
Kisha jonë gjatë këtyre viteve ka ngritur në të gjithë vendin 14 kopshte që frekuentohen nga rreth 800 fëmijë, ku u jepet më shumë përparësi fëmijëve të familjeve në nevojë.
Isidor Koti