Bashkëpunimi i krijuar midis të rinjve shqiptarë dhe atyre kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë 1999-ës ka ndjekur një traditë të veçantë përgjatë këtyre viteve. Përmes kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar një bashkëpunim i ngushtë në shkëmbimin e eksperiencave dhe thellimin e miqësisë, e cila nisi gjatë kohës së luftës dhe vijon të rritet çdo vit.

     Rreth 1200 fëmijë kosovarë morën pjesë edhe këtë verë në kampet e organizuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në komunën e Malishevës. 25 vullnetarë të rinj nga kjo Kishë organizuan tre kampe përgjatë dy javëve. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte forcimi i miqësisë midis të rinjve shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe argëtimi i fëmijëve. Ky aktivitet u krye me lejen e drejtorisë arsimore të komunës së Malishevës në shkollat 9 vjeçare “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Banja dhe në degën e saj me të njëjtin emër në Begaj.

 
     Programi ishte i përbërë nga lojëra të ndryshme, punëdore, këngë e diskutime. Çdo kamp kurorëzohej nga një festë e përgatitur nga vetë fëmijët. Në këtë festë ishin ftuar drejtues të qeverisë lokale, arsimtarë të shkollave në të cilën kryheshin kampet si dhe prindër të vetë fëmijëve. Kampi në shkollën “Ibrahim Mazreku” mbante emrin “Miqësia”, ndërsa në shkollën e Begajt mbante emrin “Shpresa” e ndërsa në shkollën “Naim Frashëri” në Banja kampi mbante emrin “Mirësia”. Fëmijët ndaheshin në grupmosha të ndryshme dhe çdo grup mbante emrin e një virtyti si “Paqja, Falja, Dashuria, Respekti, Gëzimi, etj”. Të gjithë këta emra nuk i shikonim në pikëpamjen morale, por në atë jetike, këto emra nuk ishin thjesht disa cilësi të thata, por vlera jetësore, të cilat përbëjnë themelin e një shoqërie të shëndoshë dhe që formojnë te çdokush një njeri me vlera.
Pikërisht për këtë arsye ky aktivitet duhet parë edhe si një privilegj dhe një dhuratë nga Perëndia, sepse të gjitha lojërat, vallet, këngët dhe çdo gjë argëtuese që ndamë me fëmijët e Kosovë kishte për bazë një dashuri të ndërsjelltë midis nesh dhe fëmijëve një dashuri, që na bënë të sigurtë se aktiviteti ynë kishte qënë i suksesshëm.
     Drejtorët e shkollave kanë treguar interes për këtë aktivitet dhe kanë shprehur mirënjohjet e tyre si dhe kanë shfaqur kërkesën për vazhdimësinë e kampeve edhe në vitet e ardhshme. “Organizimi i kampit është i mirëseardhur për fëmijët që tashmë kanë përfunduar mësimet” – u shpreh z. Rexhep Mazreku, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Tashmë që prej 5 vjetësh Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizon kampe të tilla në shkolla të ndryshme të kësaj komune. Këto kampe janë kryer në bashkëpunim me mësuesit e shkollave përkatëse. Fëmijët, prindërit dhe mësuesit kanë treguar interes për vazhdimësinë e tyre përgjatë këtyre viteve. Kjo ishte një mundësi argëtimi për fëmijët dhe forcimi i një miqësie të lindur gjatë kohës së luftës. Këtë vit treguan interes të veçantë edhe mediat kosovare si gazeta Lajm, Zëri, radio Dukagjini, Kosovaonline, të cilat e kanë pasqyruar organizimin e këtyre kampeve në faqet dhe transmetimet e tyre.
 
     “Gjithçka ka filluar gjatë kohës së luftës kur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndihmuar mbi 33.000 kosovarë duke u siguruar atyre një ndihmë prej rreth 12 milion dollarë. Ajo vazhdoi të ofrojë ndihmën e saj edhe kur shumë kosovarë u kthyen në Kosovë duke i ndihmuar ata në nevojat më imediate. Kështu lindi një miqësi të cilën e vazhduam me këto kampe”–shprehet Gabriela Bezhani, koordinatore e Zyrës së Fëmijëve në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Në muajin gusht do të organizohet një kamp tjetër me fëmijët e fshatit të Carallukës në komunën e Malishevës. Në këtë kamp priten të marrin pjesë rreth 530 fëmijë.
 
Gabriela Bezhani dhe Glen Llaçi