Ndonëse nuk janë misionarë, Shqipëria i bashkoi në një mision të veçantë 13 besimtarë orthodhoksë amerikanë, të cilët erdhën nga shtete të ndryshme të SHBA-së. Për dy javë rresht qëndruan në vendin tonë  për të drejtuar një kamp për fëmijët në shkollën shqiptaro-amerikane “Protagonisët” në Tiranë.
      Ata i përkisnin të gjitha moshave dhe profesioneve, nga 15 deri në 80 vjeç, një ndërthurje brezash në një mision të përbashkët. Sigurisht edhe një përvojë e çmuar për shumë fëmijë të kryeqytetit, të cilët përfituan disa mësime kryesore të besimit orthodhoks, por edhe një komunikim të avancuar për praktikimin e gjuhës angleze.
     Çdo ditë në dy javët e para të muajit gusht, miqtë amerikanë kaluan një kohë të këndshme për 4 orë rresht me fëmijët shqiptarë. Programi përmbante gjithçka; aktivitete edukative, kulturore dhe argëtuese, shëtitje rreth kodrave të liqenit artificial. Natyra e bukur përreth shkollës “Protagonistët” e bënte edhe më brilante kohën e këtij kampi ditor.
      Ditën e fundit ishte rezervuar një festë e veçantë nga stafi në bashkëpunim me 40 fëmijët e këtij kampi . Për më shumë se një orë ata shfaqën në oborrin e shkollës “Protagonistës” para prindërvë të fëmijëve një festival me këngë, drama dhe interpretime në shqip dhe anglisht. 13 orthodhoksët amerikanë e përqendruan punën e tyre edhe në shtëpinë e fëmijëve “Shpresa” në Shën Vlash të Durrësit.
     Në një ambient të ngrohtë familjar, fëmijët e kësaj shtëpie përjetuan momente të paharruara. Një kohë e veçantë edhe për të rinjtë orthodhoksë të kryeqytetit, të cilët i pritën ata në një darkë në shtëpinë “Bethlehem” ku biseduan rreth veprimtarive që organizohen nga Kisha në Shqipëri dhe Amerikë si dhe kënduan e kërcyen së bashku.
     Këto ditë ishin shumë të vlefshme edhe për miqtë e ardhur nga Amerika, të cilët falënderuan ideatorët dhe mikpritësit shqiptarë, mes të cilëve ishte edhe Kryepiskopi Anastas, i cili u përkujdes për mbarëvajtjen e këtij kampi, por edhe për akomodimin dhe përkujdesjen e 13 bashkëpunëtorëve të ardhur posaçërisht për të ndihmuar në kampet që organizon Kisha jonë. 
 
 
                                                                                          
I. Koti