Çdo ditë, qindra besimtarë të qytetit të Tiranës ndoqën shërbesat e shumta në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”. Shërbesat e këtyre të kremteve të mëdha i kryesoi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas. Çdo ditë, ai përcolli mesazhe nga Ungjilli duke reflektuar edhe për situatën që kalon vendi ynë, i cili ka nevojë të ringrihet, jo vetëm ekonomikisht, por në thelb edhe shpirtërisht.
Në mesazhet që Kryepiskopi Anastas përcolli tek besimtarët theksoi se zakonisht të gjithë ne e përjashtojmë veten tonë nga njerëzit, që janë jashtë Kishës, duke sjellë ndër mend farisenjtë, të cilët ishin fetarë, por vepronin kundër Zotit dhe mbështeteshin tek hipokrizia dhe mendjemadhësia. Ai tha se sot kjo është një rrezik që kanos çdo ambient fetar dhe për këtë duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm, sepse në këtë rast ekziston rreziku i një interesimi për t’u dukur së jashtmi dhe brenda nesh të jemi të mbushur me hipokrizi. Ndarja midis të jashtmes dhe të brendshmes është një problem serioz. Kisha jonë thekson se duke filluar së brendshmi të jemi të drejtë para Perëndisë do ta tregojmë këtë edhe së jashtmi me njerëzit përqark nesh.
Java e Madhe evokoi edhe njerëz si Josifi i drejtë apo Jovi që kishin karakter të qëndrueshëm dhe nderonin Perëndinë. “Në traditën tonë flitet shumë rreth fisnikërisë, por edhe ne nuk duhet të shohim të tjerët, por veten tonë kur Zoti thotë: “Mjerë ju”. E gjithë kjo është t’i bëjmë shqyrtim vetes që të bëhemi të përulur, sepse ne dëgjojmë Zotin që na flet: “sepse ai që kërkon që të lartësohet do të ulet dhe ai që përulet do të lartësohet. Magneti që tërheq hirin e Perëndisë është përulësia, ndërsa gënjeshtra dhe hipokrizia e largon hirin. Gjithsecili prej nesh ta shmangë formën e jashtme dhe të jemi të vërtetë, gjithsecili le të përdorë talentin që i ka dhënë Perëndia, që të transmetojë mesazhin e Ngjalljes në këtë vend që ka shumë nevojë për kurajo dhe optimizëm”.
Gjatë Javës së Madhe, Kisha solli shembullin e njeriut, i cili ndien thellë dobësinë që ka brenda tij, por ka fuqi shpirtërore për të dalë nga humnera e mëkatit në sferën e lartë e të ndritshme që është dashuria e Perëndisë.
Në mesazhin e Ungjillit të kësaj dite Kryepiskopi Anastas theksoi: “Ne duhet të sillemi me dashuri për çdo qenie njerëzore, sepse nuk e dimë se çfarë mendon dhe si vepron Perëndia. Le ta quajmë diçka tepër të rëndësishme. Duhet të jemi të kujdesshëm për disa gjëra që dalin para nesh, nuk duhet t’i lëmë për më vonë. Duhet t’i kushtojmë rëndësi çasteve që na fal Perëndia, sepse Zoti na kërkon të bëjmë diçka më tepër nga ajo që bëjmë zakonisht dhe këto çaste mbajnë përjetësi. E rëndësishme është të përcaktojmë dobësinë tonë. Ekziston një shumëllojshmëri sëmundjesh shpirtërore, por s’duhet të qëndrojmë në gjëra të përgjithshme, por të specifikojmë sëmundjen tonë dhe të kërkojmë hirin e Perëndisë. Të bëjmë një përpjekje më të madhe për t’u ndërgjegjësuar për sëmundjen tonë shpirtërore. Kur lyhemi me vaj do lutemi edhe për shëndetin trupor edhe shpirtëror. Në këtë mënyrë shijojmë Pashkën. Lutuni pa pushim dhe në çdo gjë falënderoni Zotin dhe ky është morali orthodhoks. Ne jemi të gëzuar, sepse jemi të lidhur me atë që është gëzimi i jetës”.
Për të gjithë njerëzit, të cilët nuk kishin mundësi të hynin brenda kishës për të ndjekur shërbesat gjatë Javës së Madhe, ishin montuar në oborrin e kishës autoparlantë dhe një ekran i madh (monitor) që transmetonte edhe pamje nga zhvillimi i shërbesës brenda në kishë.
Në tribunën e përgatitur enkas për lajmin e mirë në rrugën e Kavajës, u lexua mesazhi i Kryepiskopit drejtuar të gjithë besimtarëve orthodhoks të Shqipërisë si edhe fragmenti i Ngjalljes nga Ungjilli sipas Markut. Kur akrepat e orës u fiksuan tek 00.00, u dëgjua thirrja ngazëlluese “Krishti u Ngjall” e pasuar nga tingujt e gëzueshëm të kambanave dhe nga urimet e shumë besimtarëve, të cilët me qirinj në duar, duke çukitur vezët e kuqe, uronin njëri-tjetrin për mbarësi, shpresë dhe begati në jetë.
Më pas, në kishë vijoi Shërbesa e Ngjalljes, e cila si çdo vit u transmetua direkt nga Televizioni Publik Shqiptar. Interesim këtë vit, treguan edhe media të tjera elektronike dhe të shkruara, të cilat pasqyruan gjerësisht mesazhin e Ngjalljes së Zotit Krisht si dhe ceremonitë festive të kryera në Kishën tonë.
Ishte kryetarja e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, e cila bashkë me urimin e saj për festën e Pashkës vlerësoi kontributin e Kryepiskopit dhe të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Përfaqësues të partive politike, diplomatë dhe përfaqësues të kulturës uruan Kryepiskopin Anastas dhe të gjithë besimtarët orthodhoksë shqiptarë duke iu bashkuar gëzimit të kësaj ngjarjeje.
Rreth orës 12.00 vetë kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga znj. Berisha erdhi për të uruar të gjithë komunitetin orthodhoks me rastin e Pashkës. “Le të bëhemi frymë Ngjalljeje në mjedisin tonë” ishte ky urimi, të cilin Kryepiskopi Anastas ia drejtoi kryeministrit Berisha, i cili më pas duke uruar tha: “Kam ardhur për t’iu uruar të gjithë besimtarëve orthodhoksë shqiptarë dhe besimtarëve shqiptarë në tërësi këtë ditë të bekuar, ditë të madhe, ditë Ngjalljeje. Pra, shpresë dhe frymëzim për çdo njeri, më shumë besim tek vetja, tek Zoti, tek e ardhmja.”
Në bashkëbisedimin që ai dhe Kryepiskopi Anastas patën, siguroi se qeveria do të merrte masa, që të zgjidhej sa më shpejt problemi i pronave për komunitetet fetare. “Ajo që është bërë është vetëm një pjesë e vogël e borxhit të madh që shoqëria dhe shteti ka ndaj jush dhe komunitetet fetare në tërësi. Unë dua t’ju garantoj se çfarë është në duart e qeverisë nuk do të mbetet përpjekje pa u bërë, në mënyrë që institucionet fetare të marrin pronat që iu takojnë dhe më me shpejtësi” – theksoi kryeministri Berisha.
Për problemin e dokumenteve të pronave të marra nga hipoteka, të cilat duhen dorëzuar në Bashki, Kryepiskopi Anastas sqaroi, duke thënë se duhet të shkojmë tek thelbi i çështjes dhe jo tek pikat e saj të jashtme. Rikthimi i pronat të komuniteteve duhet të bazohen në listën e konfiskimeve shtetërore dhe jo ato hipotekore sepse vete hipoteka doli pas konfiskimeve. Dhe se pronat nuk janë vetëm tokat por gjithçka që i përket komuniteteve, duke përfshirë edhe arkivat etj. Duhet t’u japim të kuptojnë këtyre komuniteteve që kjo është e vërteta, sepse problemi nuk është ligji por e vërteta dhe duhet të gjejmë një rrugë të drejtpërdrejtë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.
Në fund të kësaj pritjeje të ngrohtë Kryepiskopi Anastas, pasi shprehu gëzimin që kryeministri i Shqipërisë kishte ardhur në Kryepiskopatën e Hirshme të Tiranës, për të uruar komunitetin orthodhoks thotë: “Ne e dimë përpjekjen tuaj për ringjalljen dhe jetën këtu në vend dhe duam të shprehim me gjithë zemër, që Zoti t’u japë krahë dhe forcë që ju të zhvilloni një shoqëri të drejtësisë, një shoqëri krijuese dhe progresiste, sepse Shqipëria është në ballë të vendeve evropiane dhe jo në fund të tyre”.
Gjatë gjithë pritjes kori dhe instrumentistët e Radios Ngjallja krijuan një atmosferë shumë të ngrohtë me muzikën klasike, tradicionale dhe kishtare që luanin dhe me interpretimin e tyre mjeshtëror.
Isidor Koti & Sonila Dedja