Për lavdi të Perëndisë me bekimin e Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Joanit, në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës u zhvillua kampingu rinor “Ngjallja e Krishtit”, pranë Manastirit të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë. Ky Kamp është bërë tashmë një traditë prej tetë vjetësh dhe financohet nga Zyra Kombëtare e Rinisë në bashkëpunim me Zyrën e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë, Korçë.
Nga data 13 korrik deri në 22 korrik 2006 u zhvillua kampi i vajzave me një pjesëmarrje prej 54 personash ku 42 ishin kampiste, pjesa më e madhe e të cilave merrnin pjesë për herë të parë në një kamping.
|
|
|
Drejtues shpirtëror ishte kleriku atë Viktor Konomi dhe drejtuese kampi Varvara Boço dhe Anjeza Panolli.
Ndërsa kampi i djemve u zhvillua nga data 22 korrik 2006 deri në datën 31 korrik 2006 dhe pati një pjesëmarrje prej 58 personash gjithsej, 45 prej të cilëve ishin kampistë të moshës 13 deri 16 vjeç. Drejtues shpirtëror i kampit ishte kleriku atë Konstandin Mujo dhe drejtues kampi Mihal Sonellari dhe Vangjel Qazimllari.
|
Në të dy kampet ndihmuan studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash si edhe vajza dhe djem anëtarë të grupit të Rinisë Orthodhokse të Korçës.
Tema qendrore e këtij kampingu ishte: “Të jetosh me Zotin”. Temat kryesore ishin të përqendruara në paravoli të marra nga Ungjilli. Gjithashtu për pjesëmarrësit në kamping u zhvillua një cikël katekizmi, ku u fol mbi Simbolin e Besimit, kreshmën, shenjtorët, ikonat, lutjen dhe misteret.
|
|
|
Të dy kampingjet, si i vajzave dhe ai i djemve patën një program të ngarkuar me lojëra dhe aktivitete te shumta dhe të larmishme argëtuese, si edhe ekskursione në vendet piktoreske të zonës. U vizituan dhe u prezantuan kishat e fshatit, të cilat mbartin vlera të shumta fetare, historike dhe kulturore e kombëtare. Një traditë e bukur ishte dhe mbledhja çdo mbrëmje rreth zjarrit, ku zhvilloheshin biseda të ndryshme.
|
Në datën 25 korrik, ditën e kremtimit të shën Anës, e cila korrespondon me ditën e fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij Imzot Joanit, një grup nga kampi i djemve morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar me rastin e tetë vjetorit të fronëzimit të Imzot Joanit. Në datën 26 korrik, ditën e festimit të Shën e Premtes në Manastirin e Shën Joan Pagëzorit u përgatit një kryq i madh prej druri, i cili u vendos në rrënojat e kishës së Shën e Premtes dhe Shën Dhionisit në fshatin Voskopojë.
|
|
|
Kryqi u nxor nga kisha me lutje dhe shoqërohej nga ikona të shumta që ecnin para tij. Duke u lutur dhe duke psalur, i gjithë kampi mori rrugën drejt kishës së Shën e Premtes ku të gjithë së bashku vendosën kryqin në një pikë të dukshme përballë rrugës. Ndërsa në datën 27 korrik, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani vizitoi kampingun e djemve. Gjatë vizitës, ai zhvilloi një bisedë të ngrohtë me kampistët dhe më pas qëndroi për drekë. Gjithashtu në formë pelegrinazhi u zhvillua një ekskursion në fshatin Shipskë në kishën e Shën Nikollës. Po në këtë ditë u zhvillua dhe takimi i fundit rreth zjarrit gjatë të cilit të rinjtë dhanë përshtypjet e tyre për kampin.
|
Gjithashtu u bënë edhe disa pagëzime. Shtatë djem edhe tre vajza, të cilët pasi ndoqën programin e katekizmit u pagëzuan dhe morën Misteret e Shenjta të Kishës.
Ky kamp mbetet përsëri i preferuar për të rinjtë e Dioqezës së Korçës dhe kontribuon ndjeshëm në rritjen shpirtërore të të rinjve, si edhe plotëson një pjesë të nevojave shpirtërore të rinisë në këtë dioqezë. Ndonëse ky kamp ka ende nevojë për përmirësim ishte një kamp i suksesshëm, i cili arriti qëllimin e tij. Ishte vërtet shumë bukur të shikoje ata të rinj që të qëndronin si një familje e vetme. Tashmë në mes shoqërish të reja të krijuara dhe të bashkuara në emrin e Krishtit, u mbyll edhe ky kamping, i cili filloi dhe mbaroi për lavdi të Perëndisë.
|
|
Mihal Sonellari