Ditët pasojnë njëra – tjetrën, ndërsa mrekullia e një jete të bekuar në një familje të madhe vazhdon edhe për 12 ditë të tjera në manastirin e bukur dhe të qetë të Shën Joan Vladimirit. Në këtë manastir, nga datat 7 – 18 gusht 2006 u zhvillua kampi i tretë i vajzave, në të cilin merrnin pjesë rreth 55 vajza nga zona të ndryshme si Tirana, Elbasani, Korça, Prespa, Fieri, Berati, Lushnja, Vlora etj.
    Ky kamp u organizua dhe u drejtua nga Markela Karaj, katekiste e Kishës sonë dhe mësuese në kopshtin e Elbasanit si dhe nga Varvara Boço, nga Korça, e diplomuar në Akademinë Teologjike në Shën Vlash dhe tani studente e degës filologjike në Greqi. Drejtuese grupesh ishin Mikea Marku, Eleni Krakulli vajza të sapodiplomuara nga Akademia Teologjike, Klaudja Karaj mësuese për ciklin e ulët Elbasan, Sofia Bregu studente në Akademinë Teologjike, Irini Davidhi e diplomuar në Akademinë Teologjike dhe studente në fakultetin e Mjekësisë, Dafina Davidhi studente për informatikë dhe përgjegjëse për aktivitetet e veçanta ishin Lindita Lushka, koordinatore për Qytetin Studenti si edhe Marjeta Gorreja punonjëse në Zyrën e Kopshteve.
    Programi i ditëve të kampit u dha mundësi të gjitha vajzave të mësojnë sa më shumë për jetën e krishterë dhe të fillojnë të jetojnë një jetë të tillë në ambjentet familjare, në shtëpitë e tyre.
    Çdo ditë në kamp fillonte dhe mbaronte me lutje. Koha e qetë çdo ditë pas lutjes së mëngjesit ishte momenti më personal me Perëndinë për secilën nga vajzat pjesëmarrëse. Gjatë kohës së studimit biblik drejtueset e grupeve u mësonin vajzave parimet themelore të jetës së krishterë si: të jemi aktivë në jetën misteriale të Kishës, të lutemi dhe të kreshmojmë, të studjojmë Shkrimin e Shenjtë, të dëshmojmë dhe të ndajmë besimin me të tjerë dhe t’i bindemi vullnetit të Perëndisë.
    Gjithashtu gjatë ditëve të kampit vajzat patën mundësinë të dëgjonin dhe të ishin pjesëmarrëse aktive në referatet dhe diskutimet e mbajtura në grup të madh, temat e të cilave u shkëputën nga letra e apostull Pavlit drejtuar Romakëve kapitulli 12:9-21. Referuesit e këtyre temave ishin Arkimandrit Andon Merdani, z. Nathan Hoppe, imzot Ignati dhe znj. Lynette Hoppe.
    Referatet e tjera mbi Familjen e Krishterë dhe Përgatitja për fundin e jetës ishin mjaft interesante dhe shumë të dobishme për të gjitha vajzat. Prifti i kampit atë Viktor Bërdufi shpjegoi për vajzat Liturgjinë Hyjnore dhe të gjitha shërbesat kishtare, që u kryen në kamp.
    Aktivitetet e tjera si puna e dorës, konkursi sportiv, konkursi i veshjes më të bukur, nata e veçantë, shëtitjet në mal i bënë edhe më të larmishme ditët e kampit. 9 vajza u bashkuan me Krishtin dhe filluan udhëtimin e tyre drejt shenjtërimit me anë të misterit të Pagëzimit të Shenjtë.
    Në këtë kamp vajzat u bekuan edhe nga vizita e ngrohtë e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas. Gjatë kësaj vizite vajzat diskutuan me Bariun e Kishës, me atë, i cili bën të mundur çdo vit realizimin e këtij aktiviteti me kujdesin e tij të veçantë dhe mbështetjen financiare, për tema të ndryshme. Gjithashtu ato diskutuan edhe për përvojën e tyre gjatë ditëve të kampit si edhe për fillimin e jetës së re me Krishtin.
    Me falenderim dhe mirënjohje për të gjithë ata që punuan për këtë aktivitet, vajzat u larguan nga kampi me urimin: Mirë u takofshim në kampin dimëror!

Ana Baba
Përgjegjëse e kampeve të vajzave në Shën Joan Vladimir