Për herë të parë kampi “Rilindja” me studentët orthodhoksë u zhvillua në qendrën e re “Thavor”, në Tiranë. Rreth 60 të rinj kishin ardhur nga të gjitha dioqezat e vendit për të përjetuar një eksperiencë të re në kohën e pushimeve, me qëllimin unik për rritje shpirtërore në një shoqëri të krishterë. Sigurisht, nuk do të mungonin edhe aktivitetet e tjera kulturore e edukative, ekskursionet dhe vizitat në qendra shpirtërore.

    Çdo ditë e kampit niste dhe përfundonte me lutje e kohë meditimi, me Shërbesën e Mëngjesit, Mbrëmësoren, Pasdarkën dhe në ditë të veçanta me Liturgji Hyjnore. Gjatë kohës së kreshmëve të gushtit, që përkon edhe me të kremten e Fjetjes e së Tërëshenjtës Mari, çdo ditë kampistët kryenin shërbesën e Paraklisit në nderim të Tërëshenjtës.

    Mëngjesi vijonte me kohën e studimit biblik. Të ndarë në grupe të veçanta, kampistët diskutonin rreth apostullit dhe Ungjillit të ditës. Biseda shpirtërore fokusohej në temën e kampit “Lumërimet”, gjatë së cilës katekistët, teologët dhe klerikët e ftuar për të referuar diskutonin me të rinjtë rreth predikimit të Krishtit në mal. Kjo bisedë zhvillohej pasditeve dhe shumë të rinj u interesuan përmes pyetjeve rreth çështjeve të ndryshme të besimit. Por jeta shpirtërore e kampit zbukurohej edhe me këngët e krishtera që i këndonin të gjithë me shumë harmoni në kohën e ngrënies së ushqimit.

    Siç është bërë traditë, edhe këtë vit u zhvilluan kampionatet e tavllës, dominosë dhe lojëra të tjera argëtuese, të cilat e bënë edhe më bukur kohën e pushimit. Një vizitë në katedralen e re që po ndërtohet në qendër të kryeqytetit dhe ekskursioni në malin e Dajtit, ishin mbresa të paharruara për të gjithë pjesëmarrësit. Ditën e fundit të kampit ishte rezervuar edhe një surprizë e quajtur “Fest Tabor 2006”, një festival që do të improvizohej në një skenë të thjeshtë, në të cilën të gjithë kampistët të përfaqësuar në grupet e tyre, konkurruan me këngë e skeçe të krijuara vetë. Jo pak të talentuar ishin edhe drejtuesit e grupeve, të cilët përmes një këngë brilante përcollën atmosferën e gëzuar të kampit. Çmimin e parë të festivalit e fitoi grupi “Paqebërësit”, duke marrë në shenjë kujtimi nga ky kamp ikonën e të Tërëshenjtës.

    Pikërisht atë mbrëmje  i ftuar në kamp ishte edhe Kryepiskopi Anastas, i cili ndau me të rinjtë një kohë të veçantë, duke iu rikthyer edhe njëherë viteve të tij të rinisë, kur me shumë zell e përkushtim merrte pjesë në kampet e Kishës. Por këtë herë në rolin e një hierarku të lartë, ai përcolli tek të rinjtë frymën e dashurisë dhe të besimit të krishterë orthodhoks. Kryepiskopi u tregoi të rinjve histori të veçanta gjatë kohës kur mori vendimin për t’i shërbyer Kishës si klerik dhe misionar. Gjithashtu ai shprehu besimin se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë të nxjerrë një brez të ri klerikësh, të denjë për t’i shërbyer Zotit dhe popullit të Tij.

    Në 7 gusht, në ambientet e qendrës “Thavor” u krye edhe Liturgjia Hyjnore, pikërisht ditën kur 46 vjet më parë kryepiskopi u dorëzua në shkallën klerikale tëdhjakonit. Shumë të rinj para se të largoheshin, i shprehën falënderime Kryepiskopit për kontributin e tij në mbarëvajtjen e këtij kampi duke u larguar me përshtypjet më të mira nga kampi.

Isidor Koti