Edhe këtë verë si çdo verë tjetër në manastirin e bukur të Shën Joan Vladimirit, në Elbasan, filluan kampet verore të vajzave. Kampi i parë u zhvillua në datat 10.7.2006 – 19.7.2006 dhe përfshinte vajza nga mosha 11-13 vjeçe. Drejtuesit shpirtërorë në këtë kamp ishin at Gjerasim Çakalli, znj. Lynette Hoppe, z. Nathan Hoppe. Koordinatore e përgjithshme e kampeve znj. Ana Baba dhe drejtueset e kampit të parë ishin znj. Mikea Marku, znj. Gabriela Bezhani dhe znj. Ana Kërçyku.
Kampi përbëhej nga 85 kampiste dhe nga 15 kryetare grupesh. Tema e sivjetshme e kampeve të vajzave ishte: “Mos u mund nga e keqja por munde të keqen me të mirë” (Rom 12: 21). Nëntemat e këtij kampi u morën po nga kjo letër dhe pikërisht nga kapitulli 12 i kësaj letre e cila thotë:
“Dashuria të mos jetë me hipokrizi: urreni te keqen dhe ngjituni pas së mirës. Duani njëri – tjetrin me dashuri vëllazërore: në nderim tregoni kujdes njëri me tjetrin. Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbejini Perëndisë të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje; ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë. Kini të njëjtat mendime njëri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni kërkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e munduar dhe aq sa varet nga ju, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar,- thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirë. (Romakët 12: 9-21)
Disa nga vargjet e himnit që lidheshin me temën ishin:
Mirë gjithmonë, mirë gjithkujt, kjo është thirrja jonë. Keq kurrë, kurrë askujt është mesazhi ynë. Zoti kështu thotë: nga e keqja mos u mund, munde të keqen me të mirë, sado të jetë vështirë. Programi i kampit ishte mjaft i larmishëm. Ai fillonte me lutjen e mëngjesit, kohën e qetë, mëngjesin, duke vazhduar me pastrimin rreth kampit, punën e dorës, drekën, kohën e pushimit, lojrat të ndryshme, referatin e ditës i lidhur me temën e kampit, kohën e mbrëmjes dhe përgatijen për darkë, darkën dhe programin e mbrëmjes e mbushur me këngë, skeçe, poezi dhe pasdarkën. Ky ishte programi i një dite të zakonshme, por nuk ishin të pakta ditët në kamp kur kishte aktivitete të veçanta si p.sh. lojrat olimpike, darka e veçantë, ekskursioni në Drilon, ecjet ne mal, kampionati i volejbollit etj. Gjatë ditëve të këtij kampi pati edhe referate në lidhje me temën e përgjithshme. Folësit u bazuan tek pasazhi biblik që lidhej me temën duke folur për problematikën e shoqërisë sonë dhe ndikimin e Kishës në zgjidhjen e tyre. Folësat e këtij kampi ishin Episkopi i Diqezës së Beratit Imzot Ignati, At Justini, At Andoni, Hierodhjakon Asti, dhe Nathan Hoppe.
LAVDI PERËNDISE NË MË TË LARTAT, DHE MBI DHENË PAQE DHE MBI NJERËZIT MIRËDASHJE.
Ana Kërçyku