Programi ishte rregulluar aq bukur që fëmijët të pushonin, të argëtoheshin, të njiheshin e të miqësoheshin me njeri-tjetrin, të mësonin dhe zhvillonin më shumë përjetimin e tyre rreth besimit të krishterë orthodhoks.
Tema e kampit të sivjetshëm ishte: “Lumërimet”, fragment nga predikimi në mal i Jisu Krishtit, temë që referohej vazhdimisht me shembuj praktikë nga jeta e përditshme dhe fëminore. Çdo ditë zhvilloheshin shërbesa kishtare si dhe tema shpirtërore që referoheshin nga katekistët që ishin drejtues grupesh ose nga klerikë e teologë të ftuar.
Programi niste me shërbesën e Mëngjesores duke u pasuar me ngrënien e mëngjesit, vjatjen në plazh, drekën, kohën e pushimit dhe më pas me aktivitetet argëtuese e sportive. Pasdite vazhdonte me ngrënien e zemrës (një ëmbëlsirë/ fruta) e më pas me bisedat shpirtërore, gjatë të cilave fëmijët bënin shumë pyetje për të mësuar edhe më shumë rreth besimit të krishterë orthodhoks. Në këtë kamp pati edhe bekime të veçanta, ndër të cilat vlen të përmendim pagëzimin e 28 fëmijëve katikumenë, të cilët u bënë edhe ata anëtarë të Kishës.
Dita e fundit e kampit ishte 6 korriku. Të gjithë fëmijët u larguan nga kampi me mbresat më të mira për t’u rikthyer sërish vitin tjetër.