Përfundoi në datën 4 gusht 2006 kampi i dytë i vajzave i zhvilluar edhe këtë vit në manastirin e bukur të Shën Joan Vladimirit, pranë qytetit të Elbasanit. Ky manastir që për të nëntin vit çdo verë mirëpret vajza nga e gjithë Shqipëria, mikpriti për 12 ditë (24 korrik – 4 gusht) rreth 80 vajza pothuajse nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga të cilat rreth 25 prej tyre vinin për herë të parë në këtë aktivitet kaq mbresëlënës, i cili organizohet nën kujdesin dhe mbështetjen e veçantë financiare të vetë Kryepiskopit Anastas.
Tema kryesore e kampit të vajzave për këtë vit (për të tre periudhat) ishte “Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën”, varg ky i shkëputur nga letra e apostull Pavlit drejtuar Romakëve (12:21).
Drejtueset e kampit të dytë, znj. Sonila Dedja dhe znj. Elena Krakulli, në bashkëpunim me koordinatoren kryesore të kampit të vajzave znj. Ana Baba, u përpoqën që të krijonin një program të larmishëm duke ndërthurur programin shpirtëror me atë argëtues. Drejtuesit shpirtëror për kampin e dytë ishin misionarët amerikanë, znj. Lynette Hoppe dhe bashkëshorti i saj z. Nathan Hoppe si edhemisionarja tjetër, e cila që prej dy vjetësh ndihmon Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë znj. Christine Pappas. Klerik për kryerjen e shërbesave të mëngjesit dhe të darkës ishte atë Kristo Sharko.
Vajzat u ndanë në tetë grupe me emrat: Misionarët, Shenjtorët, Oshënarët, Profetët, Dëshmorët, Mësuesit, Martirët, Dishepujt, drejtuese të të cilave ishin vajzat, studente të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash të Durrësit (Cveta Thanasi, Nikola Marku (e diplomuar), Parashqevi Gega, Elisabeta Shqahu, Sevastiani Semini, Gregora Skënderi (e diplomuar), Eleni Baba (e diplomuar), Sofia Bregu, Varvara Boço (e diplomuar) Elisabeta Pelushi).
Gjatë periudhës së kampit u organizuan mjaft aktivitete, të cilat kishin si qëllim formimin dhe pasurimin e jetës fetare të të gjitha vajzave pjesëmarrëseve. Programi i një dite fillonte me shërbesën e Mëngjesores në fund të të cilës çdo drejtuese grupi, duke respektuar një rradhë bënte një meditim rreth 5 minuta (në kishë) me përmbajtje nga apostulli ose ungjilli i ditës, ose një dëshmi personale e jetës së tyre me Perëndinë. Më pas programi vazhdonte me kohën e qetë, e cila për të gjitha vajzat është një moment shumë i bukur gjatë gjithë ditës. Për 15 minuta ato përpiqen të kenë një kohë të qetë vetëm me Perëndinë.
Vakti i mëngjesit i mblidhte të gjitha vajzat në mensë nga ku edhe më pas shpërndaheshin për t’umarrë me pastimin rreth kampit (punë që kryheshin në bazë të një rradhe). Gjatë ditës në program bëhej një studim biblik ose nje referat. Studimet biblike ishin me tema të ndryshme rreth besimit dhe për këtë vit ishin përzgjedhur temat e rëndësishme si: rreth kishës, rreth lutjes në Kishën tonë rrethmistereve etj. Ndërsa referatet ishin me temë nga vargjet e paragrafit të shkëputur nga letra e apostull Pavlit drejtuar Romakëve 12:9–21. Referuesit ishin njëkohësisht edhe të ftuarit në kampin tonë. Një falenderim të veçantë për të gjithë ata që pranuan të ndanin me pjesëmarrëset në këtë kamp njohuritë e tyre rreth këtyre temave duke përmendur këtu: Christine Pappas, Hierdhjakon Asti Bakallbashi, Arkimandrit Andon Merdani, Nathan Hoppe dhe Lynette Hoppe.
Si çdo vit në programin e kampit është edhe puna e dorës që për këtë vit ishte një punim dore me rruaza dhe fije, e cila mund të përdorej si varëse ose zbukurim për korniza, kartolina etj. Përgjegjëse për punën e dorës ishte znj. Lynette Hoppe, e cila e paraqiti dhe e punoi këtë projekt me të gjitha vajzat me shumë dashuri dhe durim.
Mbasditja për vajzat ishte shumë argëtuese, sepse të gjitha grupet merrnin pjesë në kampionatin e volejbollit të drejtuar me shumë përkushtim nga njëra nga përgjegjëset për aktivitetet e veçanta, znj. Parashqevi Gjergo. Vajzat e tjera të cilat nuk kishin ndeshjen e radhës merreshin me lojra të tjera ose përgatiteshin për aktivitetet e përbashkëta siç ishte krijimi i himnit të grupit për ditën e Lojrave Olimpike, e cila u zhvillua në datë 30 korrik. Përfundimi i këtyre lojrave na dhuroi shumë kënaqësi, sepse të gjithë grupet u vlërësuan me një çmim duke përfshirë këtu edhe çmimin për grupin që ka luajtur me më shumë paqe, grupi më i gëzuar, grupi që është sjellë me më shumë dashuri etj. Të gjitha këto çmime vlerësuan në një mënyrë më të veçantë vajzat dhe marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën gjatë qëndrimit në kamp. Këtëvit programi përmbante edhe disa aktivitete të veçanta, të cilat i dhanë më tepër gjallëri jetës në kamp. Një natë u organizua një darkë e veçantë, e cila nuk pati mensën si vend për të ngrënë, por ambjentin jashtë. Tavolinat ishin zbukuruar me qirinj dhe lule dhe po atë natë u organizua edhe konkursi i kostumeve të bëra nga vetë vajzat me letra me ngjyra. Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe disa nga vajzat përshëndetën me këngë ose recitime.
Aktiviteti tjetër i ri ishte edhe organizimi i një konkursi mbi temat e referateve, studimet biblike dhe diskutimeve të tjera që u bënë në kamp. Projekti i organizimit të ditarit për ditët në kamp ishte shumë kuptimplotë dhe të gjitha pjesëmarrëset shprehën mendimet dhe përshtypjet e tyre për programin, aktivitetet dhe jetën në kamp, duke ndihmuar në këtë mënyrë organizuesit e kampit për programet në vazhdim. Një mbasdite e veçantë iu dedikua prezantimit të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash, Durrës. Ky prezantim u paraqit me power point ndërkohë që mbi jetën akademike dëshmuan dy vajza të sapo diplomuara nga kjo Akademi. Z. Nathan Hoppe, duke qënë një prej anëtarëve të stafit pedagogjik të kësaj Akademie, theksoi rëndësinë e mësimdhënies në këtë shkollë si edhe ftoi të gjithë ato që do të donin të pranonin thirrjen “Kushdo të shkojë përmua?”
Gjatë ditëve, vajzat patën mundësinë të merrnin pjesë edhe në diskutimet me tema sociale si psh: “Familja e krishterë”, “Marrdhëniet seksuale përpara martesës”, të mbajtura këto nga drejtuesit shpirtërorë të kampit. U zhvillua edhe një temë e veçantë mbi misterin e rrëfimit, e cila i ndihmoi vajzat të merrnin pjesë në këtë mister, që u bë i mundur të kryhej nga atë Jani Trebicka.
Shtatë vajza patën mundësinë të pagëzoheshin në kamp dhe të fillojnë kështu jetën e re me Krishtin, duke kujtuar gjithmonë qëllimin kryesor të jetës me Perëndinë.
Në datën 2 gusht, ditën e 14-vjetorit të fronëzimit të Kryepiskopit Anastas kampi organizoi njëekskursion dhe të gjitha vajzat morën pjesë në liturgjinë hyjnore zhvilluar në kishën “Ungjillizimi i Perëndilinëses” në Tiranë. Më pas u krye një vizitë e shkurtër në manastirin e Shën Vlashit dhe disa orë të këndshme në plazhin e Durrësit.
Përveç shërbesave të Mëngjesores dhe Pasdarkës, vajzat patën mundësinë të merrnin pjesë në dy Liturgji Hyjnore të organizuara në kamp dhe në njërën prej tyre dëgjuan edhe një shpjegim të kësaj shërbese dhënë nga hierodhjakon Asti Bakallbashi.
Loja e motrës misterioze dhe aktivitetet në grup për të njohur njëra-tjetrën janë kthyer në traditë dhe priten me shumë dëshirë nga vajzat. Nuk mund të lemë pa përmendur dhe falenderuar përgjegjësen e kuzhinës priftëreshën Julita Sharko, e cila së bashku me stafin u kujdesën që të kishim një ushqim të mirë dhe me shumë vitamina. Një shërbim i veçantë u ofrua për vajzat këtë vit sindihmë nga Qendra Mjekësore Diagnostike Ungjillizimi, Tiranë, e cila konsistonte në shërbimin dentar me anën e një makinerie lëvizëse e drejtuar nga Dr. Genci Naka.
Nata e fundit e programit të kampit ishte shumë argëtuese (me këngë dhe valle), e cila pasoi me momentet e jetës në kamp gjatë 12 ditëve të paraqitura me foto.
Të gjitha vajzat për këto ditë në kamp paguan vetëm 2000 lekë, një shumë e cila është vetëm një pjesë e vogël e gjithë shpezimeve për aktivitetin. Përfundoi edhe ky kamp duke i uruar mirëseardhjen kampit tjetër, atij për vajzat studente dhe me falenderim e mirënjohje për të gjithë ata, të cilët mundësuan këtë aktivitet.
Sonila Dedja
Post Views: 130