Me bekimin e Fortlumturisë së tij, Imzot Anastasit dhe nën kujdesin e Mitropolisë së Gjirokastrës, në manastirin e Shën Gjergjit në Çukë të Sarandës, nga data 10 – 20 Korrik 2006 u zhvillua kampi me të rinjtë e kësaj Mitropolie.
 
     Ky ishte kampi i tretë që funksionoi pranë manastirit, tashmë në punime restauruese, për t’u kthyer në të ardhmen në një qendër të vërtetë shpirtërore me kushtet e duhura për aktivitete të ndryshme fetare për besimtarët orthodhoksë dhe veçanërisht për rininë orthodhokse.
 
    Jeta dhe veprimtaria e kampistëve bazohej kryesisht në organizimin e grupeve, të drejtuara nga kryetarët e tyre: katekistë, punonjës të Zyrës së Rinisë, studentë nga Akademia Teologjike dhe bashkëpunëtorë të tjerë që përbënin stafin, të drejtuar nga z. Jorgo Papadhopulli, teolog me përgjegjësinë e drejtuesit të këtij kampi.
 
    Qëllimi i organizimit të kampit ishte të krijonte një ambient, ku të rinjtë mund të mësonin dhe të kultivoheshin shpirtërisht në mësimet që transmeton Zoti në Ungjill, duke marrë shkas tek ato të 9 Lumërimeve (Ungjilli i Mattheut, kapitulli 5), të cilat përbënin temën e kampit të këtij viti. Brenda këtij qëllimi ishte përpjekja për të jetuar sipas vullnetit të Perëndisë në një shoqëri vëllazërore të krishterësh, nëpërmjet aktiviteteve shpirtërore, kulturore dhe argëtuese.
 
    Çanga e zgjimit kumbonte çdo mëngjes në orën 6:30, për t’i lënë shumë shpejt radhën kohës së fiskulturës. Në orën 7:00, Shërbesa e Mëngjesores hapte çdo ditë programin e kampit me lutje drejtuar Perëndisë për bekimin e ditës së re që sapo kishte nisur.
 
    Mbas shërbesës dhe përshëndetjeve të ikonave, djemtë mblidheshin përpara Kishës për të dëgjuar mesazhin e Ungjillit të ditës. Është një domosdoshmëri për çdo të krishter orthodhoks që në fillim të ditës të kërkoj Perëndinë me falënderime dhe me kërkesat e ditës, si dhe me përpjekjen për ta bërë pjesë të ditës zbatimin e mësimit nga ungjilli i Mëngjesores. Më pas së bashku kalonim ngrënien e mëngjesit në mensën që i ngjante një ballkoni nga ku mund të shijoje natyrën e mrekullueshme të vendit me qiellin dhe detin blu të Sarandës.
 
    Një tjetër bekim për kampin ishte plazhi i ndodhur 15 minuta larg, me ujin e freskët dhe kristal të Jonit, që na mundësoi të kalonim orët e nxehta të vapës në një freski të rrallë. Dreka me një menu të pasur dhe shije gjithmonë rezervonte surpriza. Nuk mungonin grimcat humoristike të ditës, “bëmat” e ndonjërit prej kampistëve, shpërthimi i talenteve në këngë, valle dhe imitime. Ndërkaq vazhdoi edhe tradita e këndimit dhe mësimit të këngëve të reja.
 
   Programi i mbasdites ishte i mbushur me aktivitete sportive të organizuara në formën e kampionateve për secilin sport: futboll, volejboll, ping-pong, shah, dam, tavëll, domino, etj. Kulmi i aktiviteteve sportive ishin ndeshjet finale për secilin kampionat, ku u dallua shpirti i garës, si dhe kultura e secilit që garonte. Gjithashtu olimpiada me fitues, në lojëra të ndryshme popullore dhe maratonën i dhanë një impuls të vërtetë programit të sporteve. Jo pa qëllim programit të sporteve i kushtohet rëndësi e veçantë, pasi nëpërmjet tyre rritet bashkëpunimi në grup. Gjithashtu mësohet edhe shija e fitores edhe e humbjes.
 
    Ora 19:00 i thërriste kampistët në një tjetër kohë edhe më të rëndësishme, për bisedën shpirtërore. Çdo mbrëmje ishte një Lumërim që zhvillohej si temë për bisedën e mbrëmjes drejtuar nga një mësues katekizmi. Nga temat e lumërimeve kishim si qëllim t’ju transmetonim të rinjve kampistë se lumturia, jo ajo e botës që mbështet në kënaqësitë e pasioneve dhe që është e përkohshme dhe zbehet, por lumturia e plotë dhe e përhershme ekziston; dhe se burimi i saj është Perëndia. Ka një rrugë për ta fituar atë nga Perëndia, duke dëgjuar dhe zbatuar porositë e Zotit, sikurse ai thotë në Ungjill: “Më tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë”. (Llukai 10: 28)
 
   Ndërsa për një grup të vogël kampistësh ishte një program i veçantë katekizmi për përgatitjen e tyre para kryerjes së misterit të Pagëzimit. Një nga aktivitetet argëtuese të kampit ishte dhe konkursi i njohurive të përgjithshme, ku çdo mbrëmje vendoseshin në garë dy grupe me njëri-tjetrin. Tjetër aktivitet krijues-argëtues ishte paraqitja në festivalin e kampit të këngëve dhe skeçeve, që secili grup përgatiti në përfundim të ditëve të kampit.  Puna e dorës nuk mungoi as këtë vit në këtë kamp. Të rinjtë punuan ikona në dru bushi, një tjetër punim ky krijues dhe i ri, i dalë kohët e fundit nga duart e të rinjve orthodhoksë të Mitropolisë së Tiranës. Në fund pati edhe stimuj për punuesit më të mirë të ikonave.
 
   Por bekimi më i madh i kampit ishin shërbesat kishtare, të cilat hapnin dhe mbyllnin ditët e kampit. Në mënyrë të veçantë u zhvilluan Liturgji Hyjnore në kishën e manastirit me meshtar At Gjergjin, i papërtueshëm për t’i shërbyer të rinjve.
 
    E veçantë ishte dita e ekskursionit, ku të rinjtë më parë morën pjesë në liturgjinë e së dielës në kishën e qytetit të Sarandës që mban emrin e Shën Harallambit. Sipas traditës më të re të këtij kampi, mbas Liturgjisë Hyjnore, në oborrin e kishës kampistët të grupuar në kore këndojnë pandërprerje në një kolazh këngët e kampit, duke tërhequr edhe admirimin e besimtarëve të pranishëm. Dita vijoi me vizitën në manastirin e Shën Joan Theologut, pranë Dhivrit të Sarandës, si dhe një sërë kishash përgjatë rrugës. Pas shërbesës së Paraklisit në kishën e manastirit dhe drekës së përbashkët u zhvillua një tjetër vizitë në një qendër po kaq të lashtë të krishterimit në Shqipëri, në manastirin e Mesopotamit në lindje të qytetit të Sarandës. Ekskursioni vijoi me soditjen e Syrit të Kaltër.
 
     Bekim i veçantë i kampit ishte vizita e At Dhimitrit nga Mitropolia e Gjirokastrës, i cili përkujdesej drejtpërdrejt për mbarëvajtjen e aktivitetit të kampit. Prej tij dhe klerikëve të tjerë të kësaj Mitropolie, në ditën e parë të kampi u zhvillua shërbesa e Ajazmës, shërbesë kjo që na ndihmon ne të krishterëve orthodhoksë të fillojmë një punë duke kërkuar që ajo të jetë e mbarë, e ndihmuar dhe e bekuar nga Hiri i Perëndisë.
 
    Ditë mbresëlënëse e kampit ishte edhe dita e pagëzimeve. Tre të rinj kampistë nga qyteti i Gjirokastrës, mbas një përgatitje në mësimet e katekizmit u pagëzuan, duke iu bashkuar kështu familjes së madhe të Kishës. Hiri i Perëndisë i derdhur brenda tyre i dha ditës një karakter festiv dhe ngazëllues.
 

Aleksandër Dimroçi