Krishtlindja është festa e të gjithëve, edhe e të varfërve edhe e të pasurve, festë e të gëzuarve dhe e të hidhëruarve… e të lirëve dhe e të burgosurve. Është bekim i veçantë të jesh në këtë kohë pranë të gjithë njerëzve, sidomos atyre që kanë nevojë për ngrohtësi, për besim dhe optimizëm. Këta njerëz ndodhen kudo, në çdo kënd të planetit, sikurse edhe në vendin tonë.
   
     
    Në burgun 325 në Tiranë ndodhen 220 të burgosur prej të cilëve 140 janë burra dhe 80 gra. Prej 10 vjetësh, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndihmuar materialisht dhe shpirtërisht, duke bashkëpunuar me stafin dhe drejtorinë e këtij burgu, bashkëpunim ky që ka qenë përherë dhe më i ngrohtë e i efektshëm. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe kontributin e tij, ky aktivitet dhe kjo ndihmë filloi dhe vazhdon të kontribuojë në ngritjen humane të të burgosurve.
    Të parët që e morën iniciativën ishin të ndjerët Atë Sotir Xhaferri dhe bashkëshortja e tij Marjana, të cilët hodhën hapat e para të këtij bashkëpunimi që vazhdon edhe sot, i ndjekur me kujdes dhe përkushtim nga Zyra e Lidhjes së Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë” dhe nga disa misionarë orthodhoksë që kanë ndihmuar e ndihmojnë në veprimtaritë humanitare të Kishës sonë në Shqipëri.
   
    
    Në prag të kësaj Krishtlindjeje po në këtë burg, ditën e enjte, në datë 14 dhjetor u krye një vizitë e veçantë nga disa përfaqësues të Kishës sonë: klerikë, gra e të rinj, duke zhvilluar kështu një takim mbresëlënës në këto ambiente. Gjatë këtij takimi për të gjithë të burgosurit u ndan dhurata, ikona të Krishtlindjes si edhe u zhvilluan biseda të ngrohta, miqësore e shpirtërore.
   Përgjegjësja e Zyrës së Lidhjes së Grave Orthodhokse, znj. Rajmonda Shqevi prezantoi edhe një herë për të gjithë të pranishmit gjithë punën dhe ndihmën e dhënë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke u karakterizuar nga mirësia, humanizmi dhe dashuria.
    

    
    Znj. Rajmonda përmendi këtu ndihmën e dhënë nga Kisha jonë në vlerë monetare, për pagesën për një kohë të gjatë energjisë elektrike në seksionin e grave, ndihmën në ushqime dhe veshmbathje si edhe ndërtimin e një serë lulesh  dhe perimesh, kjo e fundit dhuratë nga Kisha jonë në fillim të vitit 2001.
    Ky ambient ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndihmë e madhe financiare. Të gjitha të ardhurat nga shitja e prodhimit kalojnë për këto gra dhe njëkohësisht është edhe një ndihmë nga ana psikologjike, pasi koha që kalojnë duke punuar në këtë ambient i ndihmon të jetojnë më ndryshe momentet e vështira që mund të kalojë gjithsecila. 
    Dhjakon Hektori në fjalën e tij mbi kuptimin e festës së Krishtlindjes kujtoi se: “në këtë festë ne i bëjmë shumë dhurata njëri-tjetrit, por nuk duhet të harrojmë se dhurata më e madhe në këtë kohë është dhurata që na bëri Perëndia të gjithëve ne: Ai na ka dhënë Birin e Tij të vetëm, Jisu Krishtin. Shumicën e rasteve ne mendojmë kur do të shkojmë në jetën tjetër. Por shpëtimi fillon në këtë kohë, në këtë jetë. Krishti na thotë në Bibël që: Mbretëria e Perëndisë është pranë jush.
    Bota rreth nesh është e rrethuar me ligësi, por një nga emrat e Krishtit është Emanuel, që do të thotë: “Perëndia është me ne”. Pra, edhe në vështirësitë më të mëdha të jetës Perëndia është me ne. Ne përpiqemi të përjetojmë Krishtin, sepse kur Perëndia është me ne, të gjithë jemi të mbushur me paqe, gëzim dhe dashuri”.
     Ndërsa kryedhjakon Asti tha ndër të tjera se njerëzit që kanë vizionin se Perëndia është me ne, kanë edhe angazhimin se edhe ata do të duhet të jenë me Të. Vjen një moment, që fillon dhe nuk mbaron, kur njerëzit bëjnë një përmbledhje dhe rishikim të jetës së tyre për sa kanë bërë dhe janë duke bërë tani. Kështu dhe neve sot kuptojmë se dalëngadalë po mbyllet një vit dhe po fillon një vit i ri, i cili kërkon edhe një angazhim të ri, një vizion të ri, duke menduar se do duhet të jemi edhe ne me Perëndinë dhe pranë Tij dhe kjo mund të bëhet vetëm me optimizëm dhe dashuri për jetën, të cilën e kemi dhuratë nga Perëndia.
    Burrat dhe gratë e këtij burgu i pritën me ngrohtësi dhe mirënjohje vizitorët e rregullt të tyre, përfaqësuesit e Kishës sonë, që i kujtojnë, i vizitojnë dhe i ndihmojnë me ngrohtësi e dashuri, madje edhe duke ndarë gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Binte në sy dashamirësia, respekti për të gjithë dhe gëzimi në urimin e përzemërt “Krishtlindje të gëzuara dhe vit të bekuar”.    
Isidor Koti Sonila Dedja