U bënë pothuajse 5 vjet radhazi që në muajt qershor-korrik Kisha jonë Orthodhokse, me kontributin e misionarit nga Amerika Nathan Hope dhe me bashkëpunimin e Zyrës së Fëmijëve, si dhe të një grupi studentësh orthodhoksë nga Shqipëria kanë zhvilluar disa kampe ditore për fëmijët kosovarë. Këto kampe janë zhvilluar në periferi dhe në disa fshatra të Malishevës. Edhe këtë vit, me datë 23 qershor nisi në Kosovë kampi për fëmijët e moshave 6-15 vjeçare. Kampi i parë nisi në shkollën fillore “Ibrahim Mazreku”. Kjo ishte hera e parë që zhvillohet një kamp në këtë shkollë, pasi kampe të tilla ishin kryer vetëm nëpër shkolla në periferi të Malishevës, por me kërkesën dhe me ftesën para një viti të drejtuesve të shkollës, që të realizohej një kamp i tillë edhe për shkollën e qytetit të Malishevës, organizuesit e këtij aktiviteti nuk hezituan për ta përmbushur këtë ftesë të bërë nga ata.
Kampi i parë, i cili nisi në shkollën e Malishevës u quajt kampi “Miqësia” dhe pati një pjesëmarrje prej pothuajse 500fëmijësh. Kampi u nda në dy grupe. Në grupin e parë, i cili u zhvillua në mëngjes ishin fëmijët e klasave I-IV. Numri i tyre ishte rreth 330. Ndërsa për grupin e dytë, i cili u zhvillua pasdite kishte rreth 150 fëmijë të klasave V-IX. Gjithashtu se në këtë kamp patëm bashkëpunimin e mësuesve të shkollës, gjë që ka ndodhur vazhdimisht edhe në kampet e mëparshme të zhvilluara në rrethinat e Malishevës.
Në të vërtetë, emri “Miqësia” përshkruante atmosferën që ndodhej në kamp. Kjo ishte një atmosferë entuziaste miqësie ndërmjet studentëve shqiptarë dhe fëmijëve të Malishevës, si dhe stafit të mësuesve të shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”. Pritja e tyre ishte e ngrohtë. Fëmijët kishin një gëzim të veçantë për kampin, por ky gëzim nuk shfaqej vetëm në fytyrat e fëmijëve, por edhe tek organizuesit, të cilët bënë të mundur mbarëvajtjen e këtij kampi.
Këtij aktiviteti nuk kishte se si t’i mungonte falënderimi i rastit nga drejtori i shkollës. Ai ishte shumë entuziast për këtë aktivitet, pasi ai vetë një vit më parë bëri ftesë që ne ta përfshinim aktivitetin tonë edhe në shkollën e tij. Në fjalën përshëndetëse, ai u shpreh shumë mirënjohës për praninë tonë atje dhe me sinqeritet e me mirëbesim tha se puna jonë ishte diçka e rëndësishme, që kontribuonte në përparimin dhe edukimin e fëmijëve, të cilët ai i konsideronte si të ardhmen e vendit.
Gjatë këtij kampi u zhvilluan lojëra të ndryshme, këngë dhe himne për fëmijë, valle, punëdore, etj. Për ta plotësuar këtë aktivitet, fëmijëve i’u ofrua një kokteil. Me një entuziazëm të tillë u mbyll dita e parë e kampit “Miqësia”. Shpresojmë dhe urojmë që ky entuziazëm do të vazhdojë deri në fund të këtij kampi si dhe në kampet e tjera që do zhvillohen në shkollat e ndryshme rreth Malishevës. Dhe lusim që Perëndia të na ndriçojë dhe të na drejtojë në këtë aktivitet që kemi marrë përsipër.
Himni i kampit “Miqësia”
Miq dua të kem, mik dua të jem.
Miq dua të bëj kudo që shkoj;
Dhe t’u them të gjithëve un’ miku juaj jam.
Dhe asnjë vështirësi nga ju s’më ndan !
Refreni:I shtrenjtë je ti, i shtrenjtë je ti,
i shtrenjtë je ti, o miqësi (2 herë).
Sofia Bregu & Glen Llaçi
Korrespodentë të kampit në Kosovë
Post Views: 85