KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

Krishtlindje 2005

(Lindja e Diellit të Drejtësisë)
 
+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë 

 

 

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Linde Ti prej Virgjëreshës, o Krisht, Diell shpirtëror i Drejtësisë”, psalëm dje gjatë Shërbesës së Mbrëmësores. Foshnja Hyjnore, Lindjen e së Cilës kremtojmë sot, nuk rrezaton vetëm pafajësi, dëlirësi dhe mirësi, por njëkohësisht është “Dielli shpirtëror” për mbarë rruzullin; “drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Jn. 1:9). Ai lind në historinë e njerëzimit për të zhdukur errësirën dhe pluhurin, për të ndriçuar, për të ngrohur dhe për të gjallëruar qenien tone; për të drejtuar ecjen e mbarë botës. Gjatë periudhës së jetës së Tij në tokë, Fjala e Trupëzuar e Perëndisë, shpalli: “Unë erdha dritë në botë” (Jn. 12:46). “Unë jam drita e botës; ai që më ndjek pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Jn. 8:12).

Njerëzimi, në të kaluarën, ka njohur pika të ndryshme të ndritura. Por, siç ka theksuar Klementi i Aleksandrisë: “Filozofia greke i ngjan shkëlqimit të fitilit që ndezin njerëzit duke vjedhur mjeshtërisht dritën nga dielli. Por, sapo u shpall Fjala, shkëlqeu tërë ajo dritë e shenjtë”.

Që në periudhat më të lashta, njerëzimi ndjeu rëndësinë unikale të diellit për çdo formë jete mbi tokë. Sa më shumë zhvillohet shkenca, aq më shumë aspekte mahnitëse të ndikimit të diellit njohim. Nën rrezet e tij zbulohet pasuria e papërshkrueshme e ngjyrave, e bukurisë së tokës, të detit e të qiellit dhe kryhet në mënyrë mahnitëse evolucioni i çdo lloji të jetës. Por, “nëse dielli që i nënshtrohet prishjes është aq i bukur… shumë herë më i bukur është dielli i  drejtësisë” (Vasili i Madh). Rrezet e Diellit shpirtëror të Drejtësisë hedhin dritë, gjallërojnë hipostazën tonë psiko-trupore, na fuqizojnë në përpjekjen tonë shpirtërore. Ndikimin e Tij mirëbërës ndjejnë në mënyrë indirekte edhe ata që nuk e shohin drejtpërdrejt – nga që re të dendura që errësojnë mendjet dhe zemrat e tyre – madje edhe ata që janë të mbyllur në shpella të errëta pasionesh ose në rrugë të nëndheshme mashtrimi dhe pabesie.

 

Karakteristikë bazë e Shpërblyesit është drejtësia. Thirrja “o Diell shpirtëror i Drejtësisë” përjashton çdo keqinterpretim fiziokratik të alegorisë theologjike. Dhe Krishti i porsalindur caktohet si qendër e jetës sonë personale, e shoqërisë dhe e lëvizjes së botës. Me fjalën, me jetën e Tij, me Pësimin dhe Ngjalljen, Jisui do të zbulojë në plotësinë e vet kuptimin e drejtësisë. Do t’i ofrojë njeriut të drejtën e vet si hir dhe përdëllim, do t’i dhurojë pastrimin shpirtëror dhe ndriçimin e mendjes dhe të zemrës, do të shpallë me të madhe lidhjen që bashkon drejtësinë, paqen dhe shpëtimin. 

 

*    *    *

 

    Në epokën e sotme, ku padrejtësia vazhdon të lëndojë në shumë mënyra dhe shpesh në mënyrë vdekjeprurëse miliona shpirtra, dëshira e zjarrtë për drejtësi mbisundon tek njerëzimi në nivel personal, shoqëror dhe ndërkombëtar. Brenda trishtimit dhe zhgënjimit për padrejtësinë shumëformëshe, Fjala e Mishëruar e Perëndisë nuk qëndron indiferente përballë shkeljes së drejtësisë. Perëndia i Pafund zbulohet jo si një Qenie Supreme indiferente, si Njësh i ftohtë, i palëvizshëm i filozofisë, por si Perëndi vetjak, i interesuar drejtpërdrejt për sa ndodhin në botë, si Zot i paqes dhe i drejtësisë. Kjo e vërtetë ofron ngushëllim të thellë. Ndaj, sado që herë pas here duket se dominojnë, nën pretekste të ndryshme, aktet e paligjshme të të fuqishmëve dhe tinzarëve, Dielli i Drejtësisë do t’i zbulojë përfundimisht dhe do t’i neutralizojë qarqete padrejtësisë së tyre.

Njëkohësisht, për të gjithë ne, besimtarët që marrim rrezatimin e hirit të Diellit shpirtëror të Drejtësisë, vihet një detyrë e menjëhershme: Të jemi njerëz të drejtë në çdo çast të jetës sonë, në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit tanë dhe ata të huaj, të mbështesim me guxim dhe burrëri drejtësinë në jetën shoqërore. Sepse mbetet përherë aktuale dukuria që stigmatizon profeti: “Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë dhe të mirën të keqe; që për dhurata e shfajësojnë të shtrembëtin dhe të drejtit ia mohojnë të drejtën” (Isaia 5:20-21). Nuk janë vetëm qarqet që parakushtëzojnë gjykatat me veprime korruptive, të cilat në vende të ndryshme po minojnë dhënien e drejtësisë. Në nivelet e ndryshme të shoqërisë sonë shumëformëshe, për shmangien e padrejtësisë, kërkohet qëndresë me fjalën, shembullin, sjelljen, qoftë edhe kur kjo gjë kakosto të lartë. “Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse e atyre është Mbretëria e Qiejve” (Matth. 5:10), të cilën sjell Krishti i porsalindur.

Të gjithë ata që i besojnë dhe e duan Perëndinjeriun Jisu, duhet veçse të kërkojnë më parë “mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij” (Matth. 6:33) dhe të përpiqen të bëhen, çdo ditë e më shumë njerëz që kanë uri dhe etje për drejtësi (Matth. 5:6). Jo në mënyrë të jashtme, fariseike, sa për t’u dukur, por në mënyrë të brendshme, personale. “Nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e tepërt se ajo e shkruesve dhe farisejve, nuk keni për të hyrë në Mbretërinë e Qiejve” (Matth. 5:20), shpalli Krishti.

Ndikimi mirëbërës i Diellit të Drejtësisë arrin edhe në skutat ku nuk i prekin direkt rrezet e Tij. Ndaj, “nga çdo komb pranon atë që ka frikë prej Tij dhe bën drejtësi” (Vep. 10:35). Sa më tepër lidhen me njëri-tjetrin banorët e planetit tonë, aq më shumë dëshira për drejtësi merr përmasa mbarëbotërore. Dëshira dhe përpjekjet për paqe dhe drejtësi mbi tokë, në çdo rast konkret, në çdo kënd të rruzullit, është pjesëmarrje në veprën e Perëndisë dhe ka shenjtëri të padiskutueshme. Gjithashtu, kjo përbën prelud dhe “shenjë” për mbizotërimin përfundimtar të së drejtës, kur Krishti, gjatë ardhjes së Tij të dytë” do të gjykojë mbarë botën me drejtësi” (Vep. 17:31). Aspirata jonë për të parë “qiej të rinj dhe tokë të re… në të cilat rri drejtësia” (II Petr. 3:13), përbën vizionin bazë të krishterë për qëllimin e Historisë. Drejtësia e Perëndisë është për nga natyra eskatologjike, por parashijimi i saj bëhet i ndjeshëm që tani. Dhe kjo siguri eskatologjike lëshon një rrezatim dinamik bamirës në përpjekjet tona, të të gjithëve, për drejtësi, tek e këtushmja dhe e tashmja. 

 

*    *    *

 

    “Linde Ti prej Virgjëreshës, o Krisht, Diell shpirtëror i Drejtësisë”, psalëm me dëshirën e brendshme që të shkëlqejë vazhdimisht edhe në shpirtin tonë. Por “dielli i drejtësisë… nuk u fal të gjithëve kënaqësinë e vet, por vetëm atyre që rrojnë denjësisht sipas tij” (Vasili i Madh).

Ndaj, është koha që me ndërgjegje t’i drejtohemi Krishtit, Diellit të Drejtësisë, lindjen e të Cilit kremtojmë, me vendimin që të ecim nën dritën e Personit të Tij. Le t’i përgjërohemi që të hedhë dritë në mendjet dhe zemrat tona, në çdo çast dhe fazë të jetës sonë, të mbushë plot dritë paqeje dhe dëshirë drejtësie vendin tonë dhe mbarë botën. Dhurata më e çmuar që mund t’i bëjmë vetvetes për Krishtlindje është ta mbajmë brenda nesh këtë Diell.

Krishtlindje të bekuara! 

 

Me uratat e zjarrta të Perëndisë,

 Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjthë Shqipërisë
+ Anastasi