Shën Agustini për ditën e Krishtlindjeve shprehet “Filantropi e madhe. Përdëllim i madh”. Duke iu referuar këtyre fjalëve, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve na këshillon me urtësi. “Siç është Zoti i dhembshur, ashtu edhe ne duhet të tregohemi të dhembshur”.

    Gjatë më shumë se shtatë viteve të detyrës së Tij të lartë Hirësia e Tij ka ndjekur gjithmonë shembullin e Kryepiskopit Anastas, i cili u ka zgjatur dorën me përdëllim e bujari mijëra e mijëra njerëzve në vështirësi.

    Kështu, Mitropolia e Beratit, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Hirësi Ignatit, u është gjendur pranë me dhembshuri qindra kosovarëve në momentet e tyre më të vështira, dhjetëra familjeve beratase të përmbytura nga vërshimet e lumit Osum, të sëmurëve dhe vuajtësve nga lëngata të ndryshme, jetimëve, njerëzve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të braktisur, duke u shpërndarë pa kursim mbulesa, veshmbathje, ushqime, ilaçe, të holla etj.

    Në të kremtet e shënuara, si për Shën Vasil, në ditën e Ujit të Bekuar, të Pashkës së Madhe, të panaireve të Shën Marisë, të Shën Kozmait, të Shën Nikollës etj., klerikët, personeli i Mitropolisë apo vullnetarë trokasin në shtëpitë e qytetit dhe të fshatit, për të përçuar fjalën e Perëndisë, si dhe për t’u çuar dhurata të ndryshme më nevojtarëve.

    Tashmë është kthyer në një traditë të bukur që në prag të Krishtlindjeve Mitropolia e Shenjtë e Beratit të ndihmojë familje dhe individë të shumtë nevojtarë pa bërë asnjë dallim në lidhje me besimin që ata kanë.

    Edhe me rastin e Krishtlindjeve të këtij viti Mitropolia ndihmoi me zemërgjerësi qindra familje e persona në nevojë, me një sasi të konsiderueshme ndihmash e të hollash.