“Kisha”-fantazmë, me emrin “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”, në Elbasan, shfaqet në mënyrë të përsëritur në shtyp, duke u përpjekur të mashtrojë opinionin publik me shpifje të ndryshme. Për këtë arsye detyrohemi të ritheksojmë se: Ajo nuk njihet nga asnjë Kishë Orthodhokse në botë dhe as nga Kisha Katolike. Për pasojë ajo është e paqenë. Për cilindo që ka njohuri elementare për Orthodhoksinë, është e qartë se nuk ekziston Kishë Orthodhokse pa një episkop; dhe nuk mund të ekzistojë Kishë Orthodhokse pa pasur komunikim kishtar me Kishat Orthodhokse nëpër botë. Prandaj të gjithë ata që përpiqen të fshihen prapa emrit “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”, sado “zjarr patriotik” që të përdorin, mashtrojnë opinionin publik shqiptar.

    Me sa duket, ata nuk kanë interesa kishtare, por e përdorin këtë emër si maskë, që të shprehin pikëpamje ekstremiste dhe raciste, si dhe për të nxitur një propagandë antigreke që nuk përputhet me realitetin e sotëm. Në një kohë kur të gjitha partitë e mëdha politike të Shqipërisë ngulin këmbë në forcimin e lidhjeve miqësore midis dy popujve fqinjë dhe janë të orientuar që Shqipëria të futet në Bashkimin Evropian, këto qarqe kërkojnë, me fraza përbuzëse dhe me akuza absurde, të helmojnë këto lidhje me ide të cilat u ngjajnë periudhës komuniste.

    Kështu, këta gjoja orthodhoksë nuk ngurrojnë të sulmojnë e përgojojnë Shenjtorët Orthodhoksë, – si Shën Kozmain, që është i nderuar në vetëdijen e popullit shqiptar, – dhe sidomos përpiqen të njollosin veprën e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas. Por të gjithë ne, që e ndjekim atë tani e 14 vjet, e dimë shumë mirë se Kryepiskopi Anastas nuk ka asnjë bashkëpunim apo ndihmë ekonomike nga shoqatat nacionaliste greke që përmend “përfaqësuesi” i “Kishës”-fantazmë, në artikullin e tij të datës 21.8.2005 në gazetën “SOT”. Përkundrazi, gjatë gjithë këtyre viteve, duke shërbyer si ambasador i paqes në marrëdhëniet e të dy vendeve ka përballuar me urtësi dhe mençuri sulmet e grupeve të ndryshme ekstremiste si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi.

    Vepra e jashtëzakonshme kishtare, humane, shoqërore, arsimore dhe kulturore e Kryepiskopit njihet nga të gjithë shqiptarët. Kryepiskopi Anastas është një personalitet i mirënjohur jo vetëm në Greqi (nga viti 1972 ka qenë Profesor në Universitetin e Athinës dhe Episkop), por në të gjithë botën. Sot ai është zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave, në forumet drejtuese të Këshillit Botëror të Kishave etj. Ndaj është e natyrshme që ta vizitojnë personalitete nga e gjithë bota si dhe nga Greqia, dhe është e drejta e tij të shoqërojë dhe të presë cilindo që e gjykon se duhet nderuar.

    Me autoritetin, veprimtarinë dhe besueshmërinë që frymëzon, ai ka arritur gjithë këto vite të grumbullojë dhe të sjellë në Shqipëri miliona dollarë, t’u ofrojë punë qindra familjeve dhe kush ka sy për të parë mund ta vërtetojë punën e mrekullueshme që ai ka bërë. Ai jo vetëm ndërtoi 89 kisha të reja, meremetoi mbi 141 kisha të tjera, restauroi rreth 75 kisha e manastire monument kulture, ngriti më shumë se 20 qendra arsimore, shëndetësore, bamirëse, organizoi arsimin kishtar dhe dorëzoi 130 klerikë shqiptarë, duke ringritur nga gërmadhat Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por dhe zhvilloi një punë shoqërore prej protagonisti në fushat e shëndetit, të arsimit, të asistencës shoqërore, të zhvillimit bujqësor, të kulturës, të mjedisit. Do të mjaftonte vetëm një vizitë në Qendrën Diagnostike Mjekësore “Ungjillëzimi” ose në Institutin e Formimit Profesional “Frymë Dashurie” në Tiranë, në të cilat u shërbehet mijëra shqiptarëve, pavarësisht se cilës fe i përkasin, për t’u bindur për ato që thamë më lart.

    Para disa vitesh, kur në qytetin e Korçës, Kryepiskopi Anastas vuri gurin themeltar të Katedrales së re u shpreh: “Gurët që të tjerët hedhin mbi ne, do t’i përdorim për të ndërtuar kishat tona.” Kisha-fantazmë, me emrin “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”, krejtësisht e panjohur nga kishat anembanë botës dhe që padrejtësisht mban ende peng Kishën e Shën Marisë, Elbasan, pronë legjitime e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sigurisht që nuk do të ndalë së hedhuri baltë për të mbrojtur padrejtësinë. Por, vepra e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe udhëheqësit shpirtërorë të saj është ngulitur thellë në ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe të krejt botës së krishterë orthodhokse dhe çdo përpjekje mashtrimi nuk do të arrijë të zërë vend.

Atë Jani Trebicka, Korçë

Teolog Jorgo Papadhopuli, Tiranë