Indinjohemi nga përbaltja që dëshiron me cinizëm dhe dashakeqësi t’i bëjë Nikolla Marku figurës së pacënuar të Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Imzot Anastasit. I ashtuquajturi Atë Nikolla Marku ka pafytyrësinë ta quajë veten “Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”. I lartpërmenduri merr guximin t’i drejtojë profesor doktor Anastasit 16 pyetje për të denigruar personalitetin e tij të lartë. Jo 16, por edhe 1000 pyetje të bëjë, përgjigjet i ka marrë dhe do t’i marrë jo nga Fortlumturia e Tij, por nga mijëra e mijëra besimtarë orthodhokse të Shqipërisë.
Mendimet e Nikolla Markut janë krejtësisht të paargumentuara dhe të pabaza. Kështu ai, përshembull thotë: “Fortlumturia e Tij mbetet strumbullari i të gjitha të këqijave që ka kaluar vendi ynë në 13 vitet e fundit”. Ne duam ta pyesim Nikolla Markun se cilat janë këto të këqija? Mos vallë janë 130 klerikët shqiptarë të hirotonisur nga dora e tij; apo janë qindra kisha të ndërtuara nga themelet dhe të restauruara plotësisht; mos vallë është ngritja e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” së bashku me Manastirin e Shën Vlashit, që janë kështjella të Orthodhoksisë shqiptare; apo janë dhjetëra e dhjetëra institucione kishtare si: kopshtet për fëmijët parashkollorë, shkollat e mesme, Poliklinika “Ungjillëzimi”, mensat pranë mitropolive për nevojtarët etj, etj,
Nikolla Marku, çfarë të shtyn që i mohon të gjitha këto vepra, të cilat mbajnë vulën e Kryepiskopit Anastas? Mos vallë është prirja jote antiorthodhokse dhe huazimi i ideologjisë komuniste kur përmend djallëzi dhe pabesi se: “Shpreh keqardhje të madhe për qendrën e Krishterimit Ortodoks Botëror, Patriarkanën e Konstandinopojës, e cila gjithmonë nuk ka mbajtur qëndrim serioz ndaj Kishës Shqiptare?” Ky pohim është identik me atë që propagandonte vazhdimisht regjimi ateist komunist për më shumë se 40 vjet.
Pasi ka nëpërkëmbur rolin e padiskutueshëm të Patriarkanës së Konstandinopojës, përgojon edhe krijimin e Sinodit të Shenjtë, pa njohur ligjet kanonike të Orthodhoksisë, mbi të cilat ndërtohet struktura e Kishës Orthodhokse.
Më poshtë Nikolla Marku arrin deri aty sa të marrë në analizë ekonominë, politikën, Parlamentin, Akademinë e Shkencave dhe t’i bëjë thirrje popullit shqiptar për ta “çliruar” Shqipërinë nga “grekofilët” dhe vetëshpallet si shpëtimtari i kësaj “situate kritike”. Të gjitha këto, kur i lexon në gazetë, janë aq të shkëputura nga realiteti sa të lenë pa mend dhe të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një megaloman ose, më keq akoma, me një të sëmurë psikik, i cili është ose vetë Nikolla Marku, ose mbrapa tij fshihen ekstremistë antiorthodhoksë të vjetër e të rinj, të cilët e përdorin këtë njeri dështak si vegël të verbër. Gjatë intervistës së Nikolla Markut vihen re fraza të tëra, të cilat përngjasojnë me thirrjet histerike të përdorura më parë dhe deri kohët e fundit kundër Kishës orthodhokse nga Sejfi Protopapa, Abdi Baleta, Foti Cici etj.
Si gjithmonë, Nikolla Marku shfrytëzon figurën e ndritur të Imzot Fan Nolit, duke thënë një të pavërtetë se gjoja literatura kishtare, e shqipëruar prej tij, nuk po përdoret më. E vërteta është krejt e kundërta: në të gjitha shërbesat fetare në kishat orthodhokse tona lexohen dhe këndohen: “Kremtorja”, “Uratorja”, “Triodhi”, “Pesëdhjetorja”, ”Lutjesorja” dhe përkthime të tjera të tij. Jo vetëm kaq, por nën kujdesin e Imzot Anastasit është përkthyer nga origjinali greqisht në gjuhën shqipe literatura tjetër kishtare, të cilën Noli nuk kishte arritur ta përkthente, siç janë: “Mesha e Parashenjtëruar”, “Uratorja e Vogël”, si edhe libra të tjerë për Shkollën Teologjike dhe masën e gjerë të besimtarëve siç është vepra monumentale “Besimi Orthodhoks” në katër vëllime, seriali “Jetë shenjtorësh”, i ribotuar kohët e fundit në një vëllim të veçantë etj.
Mashtruesi Nikolla Marku qëllimin e tij antikishtar e shtrin edhe në shekujt e mëparshëm të historisë, duke iu referuar figurës së hierodëshmorit Shën Kozma, të cilin e përshkruan me termat modernë të shekullit të 20-të si “agjent të shërbimeve sekrete greke”, kur në atë kohë vetë Greqia lëngonte nën sundimin turk. Në të vërtetë Shën Kozmai, duke përshkuar anembanë Shqipërinë, me anë të predikimit dhe mrekullive të tij, e mbrojti besën ortodokse nga konvertimi në islamizëm. Këtu Nikolla Marku bën një blasfemi, sepse dëmton emrin e lartë të të famshmit Shën Kozma, duke goditur rëndë ndjenjat shpirtërore të orthodhoksëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, Nikolla Marku tregohet, jo vetëm një pseudoklerik, por edhe një vazhdues besnik i Kurt Pashait, i cili i mori jetën Shën Kozmait, duke i dhuruar, pa dashje, kurorën e pavdekësisë.
Ne, besimtarët e Beratit, e njohim mirë Nikolla Markun, ai është i biri i një nëne nga familja Koroveshi e Kalasë së Beratit, familje e nderuar orthodhokse, të cilën ai e ka tradhtuar dhe njollosur.
Një grup besimtarësh në Berat
Atë Petraq Simsia
Ilia Zaka
Sotir Misaxhiu
Miltiadh Veveçka
Arqile Shyti
Xhovan Kajana
Petraq Goxhomani
Stavri Zhara
Adelina Baballëku
lista e besimtarëve vazhdon