Duke marrë shkas nga një riaktivizim i beftë në media i “fenomenit” Nikolla Marku, të gjithë do qeshnin, nëse do t’u thoshin para 13 vjetëve se Nikolla Marku, i cili largohej me kokën ulur nga Akademia Teologjike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (për arsye që asnjëherë nuk do ketë guxim t’ia thotë publikut të tij “ekskluziv”), do të dilte një ditë si flamurmbajtës i “idealizmit patriotik”. Por ja, që në vendin tonë humoristikja mund të kaloj lehtë në satirikë. Dhe përderisa ky personazh po sponsorizohet sa herë që Kishën Orthodhokse duan ta përdorin apo përziejnë si kartë (pa sukses) në lojërat politike, duhet sqaruar ajo pjesë e publikut që nuk ka njohuri fetare se kush ai është. Sepse parimi i këtij ushtari të keq të forcave antiorthodhokse është të shpifë, edhe gjërat më të paimagjinueshme, me shpresën dhe besimin se diçka nga vreri i tij do hidhërojë edhe lexuesin.
 
 Nikolla Marku nuk është “Atë” për Kishën Orthodokse
 
    Së pari, në kanonet e Kishës Orthodhokse thuhet qartë se ndalohet “… një Episkop të kryejë dorëzime jashtë kufijve të dioqezës së tij… pa miratimin e episkopit të rajonit në fjalë”. Ndërsa qytetari civil Marku pretendon se është dorëzuar si prift jashtë shtetit, gjë që e bën të paligjshëm të veprojë në territorin e Shqipërisë. Për më shumë, për “fatin e tij të keq”, edhe peshkopi që ai thotë se e ka dorëzuar nuk është kanonik dhe çdo veprim i tij nuk njihet si i ligjshëm nga asnjëra nga Kishat Ortodokse të botës. Pra, së dyti, Marku nuk është klerik, sepse nuk është as i dorëzuar sipas kanoneve kishtare. Në rastin më të mirë, Marku mund të shërbente pranë atij peshkopi dhe jo në juridiksionin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Që në çastin që pretendon të shërbejë në territorin e vendit tonë ai është në kundërshtim të hapur me ligjet e Kishës Orthodhokse. Çdo shërbesë që Nikolla Marku kryen: martesë, pagëzim, funeral etj. është inekzistente, krejt e pavlefshme për këtë Kishë. Për këto arsye ai nuk njihet jo vetëm nga asnjë Kishë Orthodhokse, por edhe nga asnjë komunitet tjetër fetar i vendit tonë apo organizëm fetar ndërkombëtar. Ai nuk njihet ligjërisht as nga organizmat tona shtetërore e legjislative, apo forcat politike (të pozitës dhe opozitës), të cilat nga ana tjetër, e kanë vlerësuar publikisht shumë lart veprën dhe kontributin e Kryepiskopit Anastas. Edhe në deklaratën e përbashkët të katër komuniteteve fetare tradicionale të Shqipërisë, njohja e integritetit dhe e organizimit të secilit prej këtyre komuniteteve jo vetëm njihet botërisht, por garantohet me angazhimin e tyre për t’i mbrojtur reciprokisht.
 
    Për më tepër, kujtojmë se në deklaratën e Patmosit, 26 shtator 1995, të të gjithë krerëve të Kishave Orthodhokse të Botës, thuhet se: “…Që Eukaristia Hyjnore të jetë e vlefshme dhe shpëtuese për pjesëmarrësit, duhet të kryhet gjithmonë në emër të episkopit kanonik dhe me lejen e tij…”. Pra, është e qartë se Marku nuk ka fare të drejtë të meshojë, sepse që ta bëjë këtë duhet të thotë emrin e një episkopi të Sinodit të Shenjtë të KOASH. Nga ana tjetër, në qoftë se do të thoshte emrin e një episkopi të huaj, do të ishte një veprim antikombëtar dhe një sulm jo vetëm ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe ndaj integritetit te vendit.
 
Në Elbasan, ka një komunitet orthodhoks të organizuar
 
    Gjithashtu, duhet ditur, se në qytetin e Elbasanit nuk jeton vetëm qytetari Marku, por ka një komunitet orthodhoks të organizuar, me shumë klerikë dhe dy kisha (përveç asaj të uzurpuar), pjesë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila drejtohet nga Sinodi i saj i Shenjtë dhe ka mbi 130 klerikë shqiptarë. Një komunitet tjetër orthodhoks aty, siç përpiqet të paraqitet, është vetëm një shpikje dhe sajesë dhe nuk ka të bëjë fare me Kishën Orthodhokse. Pra, në çdo rast, civili Marku nuk ka shpresë të quhet klerik orthodhoks. Ai është i tillë vetëm në fantazinë e tij dhe të ndonjë gazetari, për të cilin janë më të rëndësishme paragjykimet personale antiorthodhokse sesa Kanonet e Shenjta që rregullojnë jetën e Kishës Orthodhokse. Madje, Marku nuk dihet se çfarë feje i përket, përderisa arrin deri sa të quajë një Kishë Orthodhokse “kishë të satanait”, duke treguar qartë se kujt po i shërben. Fatkeqësisht, ai përfiton nga toleranca e orthodhoksëve, sepse të gjithë e kanë të qartë se ç’pasoja do të kishte sikur të thoshte një të qindtën e fyerjeve të tij për ndonjë komunitet tjetër fetar!…
 
“Gjuha vete ku dhemb dhëmbi…”
 
    Në të gjitha shpifjet e botuara nga Marku nuk mungon asnjëherë edhe çështja e “godinës së shkollës Normale”, e cila, sipas tij, rrezikon të greqizohet. Cila është arsyeja? Përgjigjja është e thjeshtë: Interesi personal, që fshihet si s’ka më mirë pas parrullave patriotike. Dihet nga të gjithë, se në vitin 1995 Z. Marku okupoi me dhunë, duke shqyer me forcë dyert e vendit të shenjtë, me mbështetjen e segmenteve të errëta (që s’e kishin problem të tregonin pistoletat e shërbimit), Kishën e Shën Marisë dhe objektin pranë saj, të cilat siç është vërtetuar edhe ligjërisht nga gjykatat e të gjitha shkallëve i përkasin Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Por, le të ndalemi në godinën dykatëshe pranë kishës, për të cilën ai flet. Para uzurpimit, ai objekt, ishte gati i shkatërruar dhe u shpenzuan rreth 130 mijë dollarë, për ta rindërtuar, që të kthehej në kopsht e qendër shëndetësore për lagjen Kala dhe gjithë Elbasanin. Z. Marku jo vetëm nuk lejoi që të bëhej kjo, por që atëherë e ka dhënë disa herë privatisht me qira. Më në fund, pas një odiseje dhjetëvjeçare, në të gjitha shkallët e gjyqësorit, organet shtetërore po nisin me mjaft plogështi dhe zvarritje tendencioze të zbatojnë ligjin, për t’ia kthyer godinën pronarit të ligjshëm. Kjo i ka djegur z. Marku, sepse i pritet burimi i paligjshëm i të ardhurave, për të cilat një ditë do të duhet të japë llogari se ku kanë shkuar.
 
 Rrëfenjat me Nolin të Markut
 
    Në shkrimet e intervistat Marku përpiqet gjithmonë të gjejë ndonjë lidhje me Kolosin, Hirësinë e Tij Theofan Noli. Në fillim shpiku një histori me portretin e Nolit kur ishte në Greqi, më pas atë me portretin e Nolit gjoja të hequr nga kisha e Ungjillëzimit në Tiranë (kushdo mund të konstatojë se në një nga mjediset e saj janë të vendosura portretet e episkopëve të Kishës para vitit 1967) e deri tek nxitja e shkrimeve të miqve të tij, për ta krahasuar vetë atë me Nolin. Nuk e di në duhet të qeshësh apo të vajtosh, me ketë “atë” të vetëshpallur, që prej kohësh e ka bërë vetveten një figurë karnevaleske… Marku me guximin e atij që nuk ka se ç’të humbasë nuk ngurron të masë veten jo vetëm me Nolin apo t’i japë këshilla një personaliteti të Orthodhoksisë dhe Krishterimit botëror, siç është Kryepiskopi Anastas, por edhe Akademisë së Shkencave, institucioneve shkencore, partive politike etj. etj. Pra, të gjithë kanë dalë nga rruga e drejtë dhe presin me përgjërim që t’ua tregojë përsëri “profeti” i ri!…
 
    Siç shfaqet qartë prej kohësh, Marku ishte vetëm një përpjekje e dështuar e qarqeve anti(jo)orthodhokse, për të përçarë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sajesë që mbahet në këmbë sa herë që kërkohet të goditet ajo apo të keqpërdoret emri i Kishës për arsye politike. Siç e thamë edhe më lart, është sa qesharake, por edhe shqetësuese këmbëngulja për ta quajtur atë klerik orthodhoks, përfaqësues të një komuniteti, në kundërshtim dhe duke injoruar ligjet e Kishës Orthodhokse, faktet juridike, logjikën dhe buonsensin dhe veçanërisht qindramijëra besimtarët ortodoksë të Shqipërisë. Një gabim kur përsëritet quhet faj i qëllimshëm dhe ka pasoja të paparashikueshme.
 
Thoma Dhima