KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Rr. Kavajës 151, Tiranë. Tel. 234 117
NJOFTIM SHTYPI
Akademia e Athinës, institucioni më i lartë shkencor i Greqisë, zgjodhi më 20.10.2005 Anëtar Nderi të saj, Fortlumturinë e tij Kryepiskopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas, pas votimit të fshehtë të anëtarëve të saj. Në përputhje me statutin e Akademisë, Anëtarë Nderi, shpallen qytetarë grekë ose të huaj, që kanë ofruar me anë të veprimtarisë së tyre ose me çdo lloj mënyre tjetër, shërbime të rëndësishme për njerëzimin. Me këtë titull, janë nderuar deri tani nëntë personalitete, midis të cilëve mjeku shumë i njohur Gjeorgjios Papanikolau, muzikanti Dhimitris Mitropoulos, politikanët Ajzenhauer, Zhiskar D’Esten, Vajceker, Patriarku Ekumenik Vartholomeu.
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, ishte edhe më parë Anëtar Korrespondent i Akademisë së Athinës (1993-2005). Ai ka qenë midis të tjerave: Profesor i Historisë së Feve dhe Dekan i Fakultetit të Theologjisë të Universitetit të Athinës, Kryetar i Asamblesë së Veprës Apostolike të Këshillit Botëror të Kishave, Anëtar i Këshillit Administrativ të Qendrës për Studime Mesdhetare dhe Arabe. Është Anëtar Nderi i Kuratoriumit të Fondacionit Romanokatolik “Pro-Oriente” (Vienë 1989), Anëtar Nderi i Akademisë Theologjike të Moskës (1998). Në vitin 2003 iu dha “Diploma Atë Dhimitër Stanilae”, titulli më i lartë theologjik, që u vendos kohët e fundit në Rumani. Në vitin 2004 u zgjodh Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave. Është Doktor Nderi i Theologjisë dhe i Filozofisë i pesëmbëdhjetë Fakulteteve ose degëve universitare.
Kryepiskopi Anastas në veprën e tij shkencore, nuk u kufizua vetëm në studimin e fenomenit të fesë në dimensionet e saj botërore, por u zgjerua në analizën theologjike të krishterimit në lidhje me botën jo të krishterë, në problemet theologjike, që krijon kontakti i krishterimit me fetë e tjera dhe kryesisht në mirëkuptimin theologjik të sistemeve të tjera fetare nga këndvështrimi i krishterë me objektivitet dhe respekt për identitetin e qytetërimit dhe të popujve, që përfaqësojnë. Pjesa më e madhe e veprës së tij është e botuar – në origjinal ose e përkthyer – në revista prestigjioze dhe në gjuhë të ndryshme, (anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, finlandisht, suedisht, serbisht, rumanisht, bullgarisht, shqip).
Kryepiskopi Anastas, kombinon më së miri, kërkimin shkencor, praktikën dhe mendimin theologjik. Siç e ka theksuar ish-Kryetari i Akademisë së Athinës prof. Konstandin Dhespotopulos, në fjalimin e tij (1994) për nder të Kryepiskopit Anastas: “…Ngritja morale dhe pasuria juaj shpirtërore, hapën për jetën Tuaj një horizont përkujdesjeje për njerëzit e çdo race, përtej kufijve të Greqisë dhe të Evropës…”
Njoftimi zyrtar për shtyp i Akademisë të Athinës, (21.10.2005) përfundon: “Ajo që karakterizon kontributin e Kryepiskopit Anastas në përpjekjen e tij për paqen dhe ndihmën për ata që vuajnë padrejtësisht, është kombinimi i kontributit shpirtëror dhe praktik me një pjesëmarrje personale të drejtpërdrejtë, vendosmëri të heshtur, iniciativa krijuese dhe vetësakrifikim të ndërgjegjshëm“.
Zyra e shtypit
29.10.2005