Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, u zhvillua për herë të parë në Shëngjin të Lezhës konferenca rinore e Dioqezës së Tiranës. Rreth 100 të rinj, tëardhur nga Kavaja, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Tirana erdhën në Shëngjin për të marrë pjesë në tri ditët e kësaj veprimtarie, e cila kishte si temë “Duke pranuar dhuratat e Perëndisë”. Ajo u zhvillua në datat 11-13 nëntor dhe ishte programuar të ndërthureshin veprimtaritë kishtare dhe kulturore, të cilat e bënë edhe më të larmishme konferencën.

    Ditën e parë të rinjtë u njohën me njëri-tjetrin pasi u ndanë nëpër grupe të veçanta të emërtuar sipas dhuratave të Shpirtit të Shenjt.  

    Ditën tjetër, të shtunën, në mëngjes ishte ftuar për të mbajtur referatin e parë drejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Episkop Ilia Ketri, i cili theksoi: “Dhuratat e Perëndisë janë për jetën tonë që ne të jemi të lumtur, dhe kështu Perëndia na udhëheq drejt jetës së Tij të amshuar. Ju si të rinj keni mundësi që të bëni ndryshime në shoqërinë e sotme dhe në të ardhmen duke filluar nga devotshmëria juaj”.

    Ai foli për tre dhurata të Perëndisë: besimin, kohën dhe natyrën. “Ne të krishterët orthodhoksë rrëfejmë Krishtin, i cili u kryqëzua për shpëtimin tonë. Kisha jonë e pranon misterin e Krishtlindjes, që nuk shpjegohet sipas mendjes njerëzore, duke kapërcyer kufirin e mendësisë brenda llogjikës së njeriut. Vullneti i Tij kërkon prej nesh përgjigje për besimin që na ofron. Ne pranojmë dhuratën e besimit, duke ndjekur me mendje dhe përjetim urdhërimet e Zotit dhe e falënderojmë Atë për këtë dhuratë.” Ndërsa për dhuratën e kohës, Hirësi Ilia, tha: “Zoti e ka dhënë atë si gjë shumë të çmuar për zhvillimin e njerëzve, të marrëdhënieve ndërmjet tyre në shoqëri dhe në botën që na rrethon. Është gabim ta humbasim kohën që Zoti na ka dhënë. Koha është flori dhe e domosdoshme, por është e kufizuar. Nuk e dimë kur na mbaron koha mbi tokë, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta pranojmë këtë dhuratë me mirënjohje ndaj Perëndisë dhe të mbushur me krijimtari për të mirën tonë duke patur në qendër këtë falënderim ndaj Perëndisë”. Për dhuratën e tretë, natyrën, ai nënvizoi se edhe kjo është një dhuratë brenda dashurisë së Perëndisë, që ne të jetojmë të gëzuar, me mirënjohje dhe në harmoni me natyrën. Duhet të jemi të kujdesshëm me mjedisin, duke jetuar e punuar me respekt për këtë krijim të Krijuesit, me përgjegjësinë për të se na përket të gjithëve e kështu edhe duhet ta mbrojmë.

    Pas referatit të parë pjesëmarrësit në konferencë ndoqën prezantimin e Akademisë Teologjike nga studentët e vitit të katërt të kësaj shkolle. Më pas të rinjtë organizuan lojëra sportive. Pasdite u mbajt referati i dytë nga Atë Justini, me temë “Liria dhe kufijtë e saj”. Atë Justini tha se liria është një pikë shumë kryesore për njerëzit. I lirë është plotësisht Perëndia dhe një pjesë të lirisë na i ka dhënë  edhe ne. Liria e Perëndisë na bën të denjë të lartësohemi. Djalli na ofron liri skllavëruese, por nuk është njeri i lirë përveçse ai që jeton me Krishtin.

Isidor Koti