Në kampin e Glikomilit në Dropull, sezoni i I-rë (5-15 korrik) ishte rezervuar për djemtë moshës 10-14 vjeç, në të cilin morën pjesë 43 djem nga zonat përqark, ndërsa pas mbarimit të kampit të djemve, po në Glikomil, ky kamping veror filloi sezonin e II-të (16-26 korrik) tani për vajzat, ku edhe priti 70 vajza të moshës 10-15 vjeç.
Mjedisi i pasur natyror ofron mundësi për realizimin e aktiviteteve të shumëllojta. Liqeni i Pepelit ofron mundësinë e zhvillimit të lojës së “gjallesave të rralla”. Mulliri i Glikomilit me burimin dhe rrapet shekullorë plot zgavra, është vendi i përshtatshëm për lojëra të ndryshme. Fshati i afërt Sotirë, me malet e larta, ujin e ftohtë dhe pyjet e pasura, strehon lojën më të dashur të fëmijëve, atë të “thesarit të fshehur”.
Dita çel në orën 700 me gjimnastikën dhe lutjen e mëngjesit. Mesazhet që jepen gjatë predikimit në mëngjes, janë motoja e ditës. Puna e përbashkët nxit frymën kolektive, ndërsa lojrat dhe larja në pishinë, janë ora e preferuar e fëmijëve. Konkurset dhe kampionatet e pasdites kurorëzohen me ndarjen e medaljeve dhe dhënien e kupës ditën e fundit të kampit. Para lutjes së darkës, është momenti i analizës së Dhjetë Porosive. Dita mbyllet me lutjen e darkës.
Ditën e dhjetë të kampit fëmijët largohen, duke marrë me vete mbresa të paharrueshme dhe duke lenë pas premtimin e ritakimit në verën e ardhshme. “Këto dhjetë ditë do më mbeten të paharrueshme. Ndjeva harenë dhe dashurinë e Krishtit që nuk kisha njohur më parë” – shkruan një prej fëmijëve në kampin e Glikomilit.
Kristaq Nikuli