Atmosfera e Krishtlindjes ka kohë që ka filluar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit“, në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës. Kreshma, që shënoi edhe fillimin e kësaj atmosfere festive, përgatiti kushtet dhe afroi më afër përjetimin e mesazhit të shpëtimit që ofroi Zoti ynë Jisu Krisht. Në një intervistë për radion “Ngjallja“, pedagogu i Akademisë Teologjike Thoma Çomëni, pyetjes se si e kupton festën e Krishtlindjes dhe si e transmeton atë tek studentët iu përgjigj: “Kur flasim për Krishtlindjen duhet të themi se është një nga festat Zotërore, që sjell sot, ose rifreskon atë ngjarje që ndodhi më shumë se 2000 vjet më parë në Betlehem. Ngjarje që ndryshoi jo vetëm kohën, por të gjithë historinë e njerëzimit. Trupëzimi i Zotit u bë për ne njerëzit, për ne që kishim nevojë. Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht tregon pikërisht atë që tek ne njerëzit, gjërat duhet të ndryshojnë. Këtë frymë, të cilën na e përcjell edhe festa e Krishtlindjes, përpiqemi që t’ua transmetojmë edhe studentëve… E gjithë periudha e kreshmës është një periudhë ku duhet t’i thërresim ndërgjegjes për gëzim, t’i thërresim ndërgjegjes për ta kuptuar kush jemi dhe ku duhet të shkojmë. Kjo është përcjellë pothuajse për ditë tek studentët e Akademisë Teologjike“.

    Sigurisht që kjo festë mund të shihet nga shumë njerëz të kësaj bote edhe si biznes, ose thjesht si ditë pushimi për t’u argëtuar. Por për ne të krishterët orthodhokse e rëndësishme është që njeriu të shohë qenien e tij të brendshme. Në këtë festë çdo besimtar i krishterë orthodhoks duhet të bëhet një grazhd i vogël për Krishtin fëmijë.

    Më tej në intervistën e tij Thomai thotë: “Të festojmë festën e Krishtlindjes ashtu siç e meriton kjo festë me lutje, me zemërdashuri, me shpresë,me besim. Sepse n.q.s. ne përpiqemi që ta kuptojmë drejt Krishtin e trupëzuar edhe Ai do të përpiqet e do të jetë gjithmonë me ne. Sigurisht, Ai është gjithmonë me ne, por kërkon iniciativën tonë. Ta jetojmë gëzueshëm këtë festë dhe të presim gjithmonë bekimet dhe fuqinë e Perëndisë.“

    Dhe pedagogët e studentët e kësaj akademie kanë punuar dhe gëzuar së bashku për ta pritur ashtu si duhet këtë festë. Kanë punuar së bashku për ngritjen e tyre shpirtërore dhe për tu thelluar në besim. Por edhe kanë zbukuruar së bashku dhe me gëzim ambientin akademisë. Pema e Krishtlindjes, grazhdi i vogël në hyrje dhe të tjera gjera e tregojnë këtë. Studentët e vitit të dytë përgatitën më 21 dhjetor edhe një program festiv me psalme, këngë Krishtlindjeje, lexime nga profecitë e Dhiatës së Vjetër, poezi etj. Studentët kishin përgatitur edhe pjesën teatrale “Krishtlindjet e zonjës Nikoleta“. Në këtë program festiv përshëndetën fëmijët e Shtëpisë së fëmijëve “Shpresa“. Merrnin pjesë studentë, pedagogë dhe besimtarë nga Tirana dhe Durrësi.

Përgatiti Julia Pjetri