Klerikët e Korçës ashtu si dhe gjithë Shqipërisë janë të bashkuar rreth Sinodit të Shenjtë dhe Primatit Orthodhoks të Imzot Anastasit.

    Në këto ditë të nxehta pasgjedhore, së bashku me rritjen e temperaturave u rritën ndjeshëm dhe intervistat, shkrimet, opinionet, vlerësimet e shkruara nga njerëz të ndryshëm, (sigurisht jo orthodhoksë me përjashtim të një njeriu që ka përvetësuar me të padrejtë titullin e klerikut orthodhoks siç është Nikolla Marku) me akuza, inate, sulme krejt të pa baza kundër Kryepiskopit legjitim të KOASH-it, Imzot Anastasit.

    Nuk na ka qëlluar të lexojmë shumë nga këto shkrime, por mjafton të lexosh disa prej tyre dhe është njësoj sikur t’i kesh lexuar të gjitha, por që kanë një kryefjalë dhe një kallëzues. Së pari ne klerikët ndihemi keq që brenda tyre nuk ka asgjë të vërtetë nga vizioni orthodhoks, por ndërkohë na vjen për të qeshur kur Nikolla Marku dhe ata që fshihen prapa tij shkruajnë sipas avazit të vjetër.

    Nuk duam të vazhdojmë të mbrojmë veprën e ndritur të Kryepiskopit Anastas, pasi ajo është e ditur, e kuptueshme dhe e prekshme nga të gjithë njerëzit, por duhet të kujtojmë se gjithë këto arritje janë në përdorim për t’i shijuar dhe gëzuar të gjithë shqiptarët.

    Vëmë re një fakt: Ka rrezik se mos bëhet psikozë, ndofta për të gjithë shoqërinë shqiptare, hedhja e fajeve tek njerëz të pafajshëm, p.sh. të bësh fajtor Kryepiskopin për të gjitha të këqijat që ka kaluar vendi ynë që nga kriza e ‘97 dhe deri tek vrasja e një shqiptari nga tifozët e sëmurë grekë. Kjo duket shumë e rrezikshme, sepse nuk bind askënd dhe kthehet në patologji të sëmurë. Kur përpiqemi që fajet tona t’ua transmetojmë të tjerëve, atëherë jo vetëm që nuk dot të ecim përpara, përkundrazi do të bëjmë hapa mbrapa.

    Të vjen keq aq më tepër kur këto sulme fshihen pas një morali gjoja atdhetar dhe pas petkut të ashtuquajtur klerik, fraza këto që nuk dimë se nga cilat fragmente janë marrë.

    I kujtojmë Nikolla Markut se të jesh atdhetar nuk mjafton të mbetesh në lojën e fjalëve, por në atë të veprave. Na thuaj; ku është investimi juaj? Çfarë vepre keni ndërtuar? Kujt i shërben ajo? Çfarë vlere shpirtërore e materiale ka?

    Nga ana tjetër, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njeh arritje të mëdha gjatë këtyre 15-vjetëve. Ato nuk ka njeri me mend në kokë, i thjeshtë apo me pushtet që ti mohojë. Dhe të gjitha këto mbajnë firmën e një njeriu të vetëm, të Kryepiskopit Anastas. Ai është frymëzuesi dhe arkitekti i Kishës së shkatërruar Shqiptare, që sot rrezaton fjalën e Zotit tek besimtarët. Ai është ndodhur pranë njerëzve në ditët më të vështira që ka kaluar populli ynë, duke i ngushëlluar dhe dhënë shpresë. Ai është ndjekës dhe zbatues i traditave më të mira shqiptare si dhe i tolerancës ndërfetare në Shqipëri.

    Janë pikërisht këto arsyet që na bëjnë ne klerikët e Korçës si dhe të gjithë Shqipërisë të jemi të bashkuar dhe të njohim si të vetmin Kryebari të ortodoksëve shqiptarë, Imzot Anastasin.

    Mjafton emri dhe reputacioni i tij ndërkombëtar për të na veshur me besim tek Zoti dhe vetvetja, për të parë vetëm përpara. Këto janë mësimet e Ungjillit që na kanë udhëhequr e do të na udhëheqin kurdoherë.

St. Atë Ilia Kotnani

St. Atë Dhimitër Veriga

Atë Vasil Skordileva

Atë Spiro Katundi

Atë Ilia Kotmilo

Atë Sotir Dinka

Atë Andrea Zhurka

Hierodhiakon Kristofor Malaveci