Pse sulmohet Kryepiskopi
Përse sulmohet figura e Kryepiskopit Anastas
(Botuar në gazetën “Panorama”, dt. 16 shkurt 2005)
    Të grumbulluara sot në kishën tonë të “Lindjes së Perëndilindëses” për çështje shpirtërore, mes të tjerash diskutuam edhe për fushatën e fundit të sulmeve nëpër disa gazeta kundër kreut të Kishës Orthodhokse dhe Kryebariut tonë, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, zotit Anastas. Ata artikuj janë mbushur me shpifje, me trillime ngjarjesh dhe shtrembërim të qëllimshëm të fakteve, të shkruara me një gjuhë agresive që na kujton kohën e largët e komunizmit. U interesuam dhe mësuam se artikullshkruesi, at Foti Cici, që në këta artikuj shfaqet si një patriot i kulluar shqiptar, është një karrierist dhe asgjë më shumë. Është i mësuar me jetën parazite, mësoi 8 vite me radhë në Greqi, me bursë të shtetit grek. Edhe sot e kësaj dite jeton në mitropolinë greke të Torontos. I themi këto dy fakte të vogla për të kuptuar më thellë hipokrizinë e tij, spse na fton të mos duam Kryepiskopin tonë, vetëm për arsye se ai është grek. I themi zotërisë në fjalë dhe mediave që pranojnë artikujt e tij, se dashuria e Kryepiskopit për të gjithë anëtarët e Kishës në Shqipëri, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, nuk mund të shuhet me artikuj mendjesh të sëmura dhe të shkrojtura me luksin e salloneve të Kanadasë. Kjo dashuri shprehet tashmë prej 15 vjetësh që Kryepiskopi ynë në kushte shumë të vështira, në situata të jashtëzakonshme, në vështirësi që vetëm ne që i kemi parë e përjetuar mund t’i kujtojmë, na qëndron afër dhe na mbështjell me ngrohtësi atërore. Sa herë kemi pasur pranë Kryepiskopin tonë, kur nga themelet ringrinim enoritë tona në vitet 1992, kur kapërcyem atë kalvar të gjatë të viteve ’93-’94, me përkushtimin e tij në vitin ’97 dhe ndihmat e tij për kosovarët më 1999 etj. Mori djemtë më të mirë nga krahinat tona dhe pasi i përgatiti, i hirotonisi priftërinj, që të na kryejnë misteret dhe shërbesat e Kishës sonë të shenjtë. Ndërtoi në trevën e Përmetit mbi 10 kisha të reja. Rindërtoi dyfishin e tyre dhe në veçanti monumentet e ndryshme historike të besimit tonë. Djemtë dhe vajzat tona ndjekin kopshtin dhe mësimet në grupet e katekizmit. Edhe njëherë dënojmë këto artikuj dhe mendime. Kuptojmë fjalët fare mirë, se pas nismës së botimit të tyre fshihen qëllime të errëta, mes të cilave edhe të na shkaktojnë përçarje me vëllezërit tanë grekë dhe të acarojnë marrëdhëniet me fqinjin tonë, Greqinë. Në e dimë më mirë se kushdo se cila është e mira për mbarëvajtjen e Kishës sonë Orthodhokse dhe në mënyrë të veçantë nuk mund të presim nga njerëz që fare lehtë mund t’i karakterizojnë dezertorë. Ata që në ditët e vështira iu shmangën përgjegjësive dhe shpresojnë, si gjithë parazitët, që një ditë të vijnë dhe spekullojnë me gjithë këtë vepër kolosale të realizuar nga Kryepiskopi Anastas dhe bashkëpunëtorët e tij. Larg duart nga Kisha Ortodokse! Këtë thirrje u drejtojmë gjithë qarqeve që nuk e shohin me sy të mirë përparimin e paimagjinueshëm të Kishës sonë në një frymë të plotë mirëkuptimi dhe uniteti.
Gratë orthodhokse, Përmet.