Në Kishën e Shën Pavlit dhe Shën Astit në Durrës u kremtua të mërkurën, më 6 korrik, festa e shenjtit mbrojtës të qytetit. Shën Asti ka qenë episkop i komunitetit të krishterë në shekullin e parë. Ai ishte bari i vërtetë, shembull i gjallë i një jete të krishterë aktive dhe veprimtar i zellshëm, i gatshëm për të dhënë jetën për Kryebariun Krisht dhe grigjën e tij. Të krishterët orthodhoksë e përkujtojnë ditën e martirizimit të tij, duke e ditur shumë mirë që shenjtorët përsërisin Krishtin në kohë dhe janë shembuj për ne. Të krishterët e kohëve të sotme në këtë mënyrë marrim kurajo për të përballuar sfidat e jetës dhe provat e ndryshme. Jetën dhe veprimtarinë e Shën Astit e paraqiti para besimtarëve në predikimin e tij hieromonaku At Kozmai.
 
    Në fjalën e tij Kryepiskopi Anastas, i cili kreu Liturgjinë Hyjnore, me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë durrsakë, theksoi ndër të tjera se “Shembulli që dha shenjti është i vlefshëm edhe për ne në ditët e sotme”. Kryepiskopi foli edhe rreth përpjekjeve të pandërprera të Kishës për t’i ardhur në ndihmë mbarë komunitetit të këtij qyteti. Ai premtoi se këtë vit do të hapet një shkollë fillore bashkëkohore dhe do të gjendet një mjedis i përshtatshëm për të përmirësuar edhe më tej kushtet e kopshtit të fëmijëve.