Protestë për shkrimin shpifës ndaj Kryepiskopit tonë
(Në përgjigje të detyrueshme të shkrimit
“Shkarkimi i Kryepiskopit, sipas legjislacionit ortodoks”
në gazetën “Koha Jonë” dt. 26.01.2005 )
(Botuar në gazetën “Koha Jonë”, dt. 13 shkurt 2005)
 
 
        Herë pas here, pikërisht, kur punët e orthodhoksisë shqiptare shkojnë mbarë, dalin në skenën e shtypit të shkruar disa pseudoklerikë për të hedhur baltë mbi figurën e madhërishme të Kryebariut të kësaj feje, Fortlumturisë së Tij, Anastasit.
 
       Edhe kohët e fundit është shfaqur një “analist” i ri për çështjen e orthodhoksisë shqiptare, i cili në disa artikuj përpiqet t’u japë “zgjidhje” problemeve të ndërlikuara të Kishës sonë, Kulmi i këtij autori arriti në shkrimin e tij të fundit në gazetën “Koha Jonë” dt 26.01.05 me titull “Shkarkimi i Kryepiskopit, sipas legjislacionit ortodoks”, ku me tendenciozitet sugjeron që Kryepiskopi Anastas të japë dorëheqjen.
 
       Këtu “heroi ynë i ri i orthodhoksisë” na “mëson” për kanonet kishtare në shekuj, për statutet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të viteve 1929, 1950, si dhe për statutin e Kishës së Greqisë fqinje, të cilën ai, sipas oreksit të tij, herë e lavdëron, herë e hedh poshtë.
 
       Këto ai i përmend për të realizuar qëllimin përfundimtar të tij, “rrëzimin” e Fortlumturisë së Tij nga Froni i Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, duke abuzuar me formulimet e copëzuara të statuteve në fjalë dhe të Rregullores së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të vitit 1955 (neni 36), ku theksohet: “Kryepiskopi dhe anëtarët e Sinodit, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërie, të cilat nuk u premtojnë të përmbushin detyrat e tyre, kanë të drejtë t’i paraqesin kanonikisht dhe me shkrim dorëheqjen e tyre Sinodit të Shenjtë. Sinodi i Shenjtë ka të drejtë të shkarkojë nga detyra Kryepiskopin, sinodhikët e çdo klerik tjetër, kur konstaton se për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërie këta nuk janë në gjendje të përmbushin detyrat e tyre”.
 
       Duke iu referuar rregullores së sipërpërmendur, natyrshëm orthodhoksët shqiptarë kanë të drejtë të shtrojnë pyetjet: A është realisht sot i sëmurë, apo i plakur Kryepiskopi Anastas?
 
       A ekziston ndonjë raport komisioni mjekësor, që vërteton sëmundjen e Tij?
 
       E vërteta ndriçon si dielli dhe nuk mund të errësohet nga tymnaja e Foti Cicit. Kryepiskopi Anastas gëzon shëndet të plotë. Ai është aktiv dhe dinamik, i kudondodhur në çdo skaj të Shqipërisë dhe në vende të ndryshme të mbarë botës. Shëndeti i Tij i plotëfizik dhe psikik dëshmohet me kthjelltësinë e mendimeve të Tij, me erudicionin e madh që zotëron, me bagazhin dhe përvojën shumëvjeçare si misionar i Orthodhoksisë botërore, me artikujt e panumërt që ka shkruar dhe shkruan nëpër organet e shtypit shqiptar dhe të huaj, me intervistat e qarta dhënë mediave elektronike, me praninë e Tij si kryetar, zëvendëskryetar, si lektor në podiumet e simpoziumeve e konferencave ndërfetare, me organizimin e drejtimin vetjak të shumë veprimtarive fetare dhe laike në Shqipëri dhe në të pesë kontinentet.
 
       Por zotin Cici nuk e “bindin këto aftësi të shquara të këtij personaliteti të lartë botëror, të cilin Patriku i Konstandinopojës, Vartholomeu, e quan: “Bekim për Shqipërinë dhe njeri të rrallë”, ndërsa Patriku i Aleksandrisë, ish-student i Imzot Anastasit, në fund të vitit 2004 u shpreh me një sinqeritet të veçantë: “Në misionin tim kishtar do të doja të kisha model Kryepiskopin e Shqipërisë, Imzot Anastasin”.
 
       Foti Cici nuk mjaftohet vetëm me sëmundjen trupore të tiroideve, që kap edhe moshën rinore, prej së cilës Kryepiskopi tashmë është shëruar plotësisht, por me cinizmin e tij vazhdon të thellohet në këtë keqinformim, duke e quajtur këtë figurë të lartë të krishterimit botëror “me pamundësi psikologjike” për të bashkëpunuar me mënyra orthodhokse në kisha dhe për pasionin e Tij për të personalizuar gjithçka, që i sjell si argumente për ta detyruar Imzot Anastasin të japë dorëheqjen.
 
       I gjori pseudoklerik Cici! Sa dritëshkurtër e paraqet veten e tij!
 
       Kryepiskopi Anastas nuk ka asnjë arsye që të japë dorëheqje. Asnjë komision mjekësor nuk dëshmon për ndonjë sëmundje të rëndë, që të bëjë tëpamundur krye-rjen e detyrës së Tij dhe as autoritetet shtetërore nuk e përfillin një sugjerim të tillë, por përkundrazi, duke respektuar Kushtetutën, ndarjen e fesë nga shteti, embështetin dhe e vlerësojnë kreun e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dëshmi e së cilës është dhënia e trojeve në fshatra, qytete dhe në kryeqytetin tonë për ndërtimin e kishave orthodhokse.
 
       Foti Cici me shkrimin e tij, përveç sa thamë më lart, akuzon Kryepiskopatën e Tiranës si një mjedis gjysmë të manipuluar dhe gjysmë të korruptuar dhe arrin deri atje sa të shprehet: “për ne orthodhoksët (e Shqipërisë) as Zoti nuk besohet si kult.”
 
       Duket qartë se Foti Cici nuk është as klerik, as besimtar orthodhoks, por është vetëm një vegël në duart e armiqve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët, me sa duket, i kanë premtuar fronin e Kryepiskopit të Shqipërisë.
 
       Këtë Fron e ka merituar dhe e meriton denjësisht i Perëndizgjedhuri dhe i Gjithëpranueshmi nga populli shqiptar, Fortlumturia e Tij Anastasi
 
 
Berat më 2.2.2005