Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Pashkë 2005
(Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde)

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

Bij të shtrenjtë më Zotin,

 

“Vërtet u ngjall Zoti!”

    Pashka përbën qendrën e Adhurimit Orthodhoks. Ngjallja e Krishtit është kurorëzimi i besimit tonë. Ajo vulos identitetin shpirtëror të orthodhoksëve. Përcakton fuqinë e mendimit orthodhoks.

Megjithatë, shpesh sillemi sikur Krishti të mos jetë kryqëzuar dhe ngjallur për ne; si të bëhet fjalë për diçka që nuk ka të bëjë me jetën e përditshme, me gabimet, tradhtitë, dështimet dhe aspiratat tona. Ka njerëz të ndjeshëm që e shoqërojnë Krishtin deri në Kryqëzimin e Tij. Qëndrojnë me respekt para heroit, mikut të të munduarve dhe të varfërve, viktimës së njerëzve të padrejtë dhe dinakë, por, ndalojnë atje. Preken nga fakti që Jisui demaskoi të korruptuarit dhe hipokritët, por, kufizohen vetëm në këtë gjë. Ata e kanë të vështirë të hedhin hapin e mëtejshëm, nuk munden ta shohin Atë si Zot të jetës dhe të vdekjes, si të Ngjallurin së vdekuri, që hapi derën e shpresës në rrugën pa krye të vdekjes dhe që i dha kuptim jetës.

   Pikërisht, ky është mesazhi i ri vendimtar i Ungjillit: “Nëse nuk u Ngjall Krishti, i kotë është besimi juaj” (I Korint. 15:17). Ndaj përsërisim vazhdimisht himnin festiv “Krishti u Ngjall!” dhe psalim bashkë me psalmistin: “Të pakonceptueshmen e Kryqëzimit dhe të pashpjegueshmen e Ngritjes nga varri ne besimtarët e quajmë Mister të fshehtë; sot vdekja dhe Adhi u mposhtën, tërë gjinia njerëzore vishet me pavdekësi; ndaj dhe me ngazëllim thërrasim: Lavdi, o Krisht, Ngjalljes Sate” (Lutjesore, Ting. III, Ndenjësore e Shërbesës së Mëngjesit).

Të gjithë ata që e kanë të vështirë të pranojnë këtë të vërtetë, le të mos harrojnë se përvoja të mëdha të jetës, sidomos përvoja e pakufishme, shumëdimensionale e dashurisë, kapërcejnë përshkrimet dhe përkufizimet intelektuale. Është çështje besimi, mund të thotë dikush. Sigurisht, por është dhe çështje lirie për hapin vendimtar drejt të parrëfyeshmes. Perëndia nuk na detyron t’i nënshtrohemi të vërtetës që Ai zbulon. Ai respekton lirinë tonë. Gjithsesi, ky besim përcakton në fund të fundit ndërgjegjen orthodhokse, duke iu hapur horizonte të pafund mendimit dhe përjetimit orthodhoks.

 

* * *

 

  Kisha jonë, sidomos sot, këtë bindje në Ngjallje na fton ta përtërijmë. Të forcojmë besimin tonë “në një Zot… të Kryqëzuar dhe të Ngjallur”. Kur dobësohet besueshmëria e Ngjalljes, atëherë komuniteti ynë, edhe pse quhet i krishterë, shthuret. Shndërrohet në një grup të thjeshtë shoqëror, me pamje fetare ndoshta filantropik, që vetëm së jashtmi i bashkon anëtarët e tij. Nuk është më Kishë që të lartëson drejt Perëndisë, që bashkon besimtarin me Krishtin. Sa më thelbësore dhe më të fortë janë përjetimi dhe shpallja e Misterit të Pashkës, të faktit të Ngjalljes, aq më autentik dhe bamirës për mbarë njerëzimin bëhet prezenca dhe rrezatimi i Kishës.

Duke vështruar drejt, Zotit të Ngjallur së vdekuri, të cilit i është dhënë “çdo pushtet në qiell e mbi dhé” (Matth. 28:18), ne parashijojmë Ngjalljen në jetën e përditshme. Madje edhe kur konstatojmë bashkë me Psalmistin se “më kishin rrethuar dhembjet e vdekjes, më kishin tmerruar përrenjtë e padrejtësisë, më kishin lidhur rreziqet e ferrit, më kishin shtrënguar prangat e vdekjes” (Psal. 17:5), ndjejmë brenda vetes një fuqi mistike qëndrese ndaj çdo forme korruptimi dhe dekadence.

    Ngjarja më e sigurt, pritja e fundit të udhëtimit tonë në këtë botë – nga ndonjë sëmundje, aksident apo nga pleqëria – ndriçohet qetësisht. Për këdo që i beson Ngjalljes, e ardhmja e kapërcen kufirin e vdekjes në tokë. “Prandaj nuk ligështohemi, por edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshmi përtëritet dita me ditë” (II Korint. 4:16). Kushdo që ka si Frymëzues, Mbështetje, “Zot”, të Kryqëzuarin dhe të Ngjallurin së vdekuri, përjeton gjënë më të çmuar dhe më të fuqishme që mund të ekzistojë.

 

* * *

 

     Por, ekziston dhe një anë tjetër, kritike për shumë të krishterë: Shpesh me gojë ne i referohemi Ngjalljes, por morali dhe jeta jonë e përditshme lëvizin nën hijen e Adhit, larg dritës së mrekullueshme të Pashkës, në skuta të errëta, në vende hipokrizie, gënjeshtre, padrejtësie, egërsie, nënshtrimi në dinastinë e shumë pasioneve; kur përbuzim në praktikë rrjedhojat e Ngjalljes; kur mendimin e Ngjalljes e zëvendësojmë me atë të trupit.

Me ngjarjen paskale “të vjetrat shkuan dhe ja, të gjitha u bënë të reja”, thekson Shën Grigor Theologu; dhe nxit secilin prej nesh “ndryshohuni në ndryshimin e mirë”. Çdo besimtar ftohet që të përjetojë një ndryshim thelbësor për më mirë. Në uratën e përgatitjes për të marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore, në Darkën e Kryqëzimit dhe të Ngjalljes, në të cilën arrin kulmin lidhja personale me Krishtin, Shën Simeon Përkthyesi vë në gojën e çdo besimtari fjalët: “…me ngjalljen Tënde triditëshe dhe jetëdhënëse, ngjalle njeriun e parë të rënë, më ngjalle mua që rrëshqita në mëkat duke më dhënë mënyra pendese”. Zgjidhja për të rigjetur shkëlqimin e mendimit dhe moralit orthodhoks që ndriçohen nga Ngjallja, është pendesa e ndershme, e vazhdueshme dhe në praktikë; një ecje e brendshme përtëritjeje shpirtërore brenda shenjtërisë së vetëdërrmimit dhe përuljes së sinqertë. Duke ndezur llambadhën e Pashkës, ftohemi që të hapim tejpërtej qenien tonë që të hyjë “dritë nga drita që nuk perëndon” në ndërgjegjen, në vullnetin dhe në vendet e fshehta të subkoshiencës sonë, “në të fshehtat e zemrës”, dhe të pastrojë nga çdo mëkat “shpirtin tonë të ndodhur në errësirë”. Që të bëhemi njerëz të vërtetë, të sinqertë, të ndershëm, të drejtë e të ndriçuar.

 

* * *

 

    Në këtë të kremte të madhe sot, Kisha jonë Orthodhokse na e risjell me tërë shkëlqimin dhe intensitetin e adhurimit të saj, të vërtetën madhështore: Krishti u Ngjall! Që të na ftojë të përgjigjemi jo vetëm me gojë, por me zemrën dhe me gjithë dëshirën tonë: Vërtet u Ngjall! Dhe, me përulësi, të lutemi: “Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde”. Që ne t’i gëzohemi kapërcimit të qorrsokakut të vdekjes. Që të absorbojmë diçka nga drita e pashuar e së vërtetës dhe shpresës që i solle njerëzimit. “Na shto, o Zot, besim në Ngjalljen Tënde”. Që ne të ndjejmë diçka nga fuqia e saj e pashtershme transformuese. Dhe për ata që qëndrojnë të ngurruar para këtij besimi, hap, o Zot, rrugëkalime në zemrën e tyre që të hyjnë rrezet e Ngjalljes Sate.

Pashka, vëllezër, është një thirrje e fortë për t’u zgjuar; që të lulëzojë përsëri dhe të japë fryte besimi ynë tek Ngjallja. Që të bashkërendohemi edhe njëherë  në ritmin orthodhoks të jetës, të rigjejmë moralin e Ngjalljes.

 

 

Me të gjithë dashurinë time

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

Tiranë, 1 maj 2005