“Kisha tashmë ka një gjeneratë të tërë teologësh e intelektualësh…”
Nga një reagim i botuar në gazetën “Koha Jonë”, dt. 15.1.2005
 
Duke marrë shkak nga artikulli “Ku janë teologët shqiptarë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?” të z.Kristo Muzaka, të botuar në gazetën “Koha Jonë”, dt.7.1.2005, menduam të japim disa sqarime për të interesuarit….
 
Nuk e kuptojmë dot se ku e konstaton artikullshkruesi mungesën tonë! Nëse dikush do të ishte i interesuar për të gjetur se ku punojnë teologët e rinj shqiptarë, do të mjaftonte të konsultonte botimet zyrtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku pasqyrohet hierarkia dhe personeli i Dioqezave, Mitropolive, zyrave të tyre, i Arsimit kishtar, Fondacioneve etj.
 
Kisha tashmë ka një gjeneratë të tërë teologësh e intelektualësh, të cilët ofrojnë dijet dhe kontributin e tyre çdo ditë në jetën dhe organizimin e Kishës, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash, Durrës, në orët e katekizmit, në predikimet gjatë shërbesave, në botimet e Kishës sonë, mediat e ndryshme etj. Ne jemi prezentë, prandaj kush dëshiron mund të na kontaktojë në çdo çast dhe jo të na fyejë e sulmojë nëpërmjet faqeve të gazetave, si vegël e atyre që janë përpjekur me të gjitha mjetet të ndalin ecurinë tonë shpirtërore. 
 
Gjithashtu është fyese për ne të pranojmë leksione nga kolegë tanë teologë, që ndodhen jashtë Shqipërisë, të cilët i janë shmangur përgjegjësive, vështirësive dhe nevojave me të cilët përballet Kisha jonë. 
 
Shkruesi arrin kulmin e shpifjeve deri aty sa akuzon për vdekjen e njërit prej pedagogëve tanë më të nderuar të Akademisë Teologjike, që ndërroi jetë më 19.11.2004, si edhe të sajojë një deklaratë të KOASH-it, gjë e cila nuk është e vërtetë, pra është një akuzë jo vetëm krejtësisht e gënjeshtërt, por mbi të gjitha fyen ndjenjat si të familjes ashtu edhe tonat, si kolegë dhe miq të tij…
 
Së fundi, duke qenë të ndërgjegjshëm se shoqëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për vëllazërim, kontribut social dhe shpirtëror për zbutjen e ndasive dhe të çfarëdolloj tendence, e cila vë barriera në jetën dhe veprën e Kishës sonë të Shenjtë, shpresojmë që lexuesit vullnetmirë të kuptojnë reagimin tonë ndaj një shkrimi të tillë keqdashës dhe ç’orientues, në frymën e mirëkuptimit, që është edhe karakteristika dalluese e popullit tonë perëndidashës.