Në kuadrin e vazhdimësisë së miqësisë dhe lidhjeve të krijuara të të rinjve të Kishës sonë me familjet kosovare që erdhën në çastet e vështira të vitit 1999 dhe u ndihmuan nga Kisha jonë u organizua edhe këtë vit, për të katërtin vit rresht, kampi i Miqësisë dhe i Shpresës.
 
    Kështu, nga mesi i qershorit, të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë, studentë dhe ish-studentë të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, u mblodhën në Manastirin e Shën Vlashit, nga do të nisnin udhëtimin drejt Kosovës. Gjithçka filloi me një Liturgji Hyjnore, për të filluar mbarë dhe me ndriçim punën tonë. Gjatë këtyre dy ditëve ishin 24 të rinj që u përgatitën për këtë kamp, për lojërat për fëmijët, punëdoret, këngët që do t’u mësoheshin fëmijëve etj.
    Pas përgatitjes dyditore, më 15 qershor udhëtuam drejt Kosovës, ku u vendosëm në qytetin e vogël të Malishevës. Të nesërmen morëm pjesë në festën e Çlirimit të Malishevës. Dita tjetër ishte e mbushur me takime të shumta; me bashkëpunëtorët tanë kosovarë (mësues të shkollave ku do të zhvillonim kampin), me ish-bashkëpunëtorë të tjerë, si dhe me fëmijët e fshatit Carallukë, me të cilët kemi organizuar kampe për tre vjet. Në pamundësi të organizimit të një kampi atje, sivjet organizuam një vizitë të shkurtër.
 
    Prania jonë në një qytet të vogël si Malisheva ishte a pamundur që të mos vihej re. Ata interesoheshin për aktivitetet tona dhe ne u tregonim se erdhëm sivjet për të organizuar një kamp me fëmijët kosovarë në shkollën e Banjës dhe Begajt. Nga një mësues i shkollës “Ibrahim Mazreku” në Malishevë na u bë një ftesë për të organizuar diçka edhe me fëmijët e shkollës së tyre. Pranuam me kënaqësi dhe një pasdite u zhvilluan veprimtari argëtuese me rreth 200 fëmijë. Mëngjesi i 18 qershorit shënoi edhe fillimin e veprimtarisë së kampeve tona. Kampi në shkollën “Naim Frashëri” në Banjë mbante emrin “Shpresa”, ndërsa grupet mbanin emrat e virtyteve si: paqja, mirësia, falënderimi, respekti, besnikëria, falja, dashuria etj.
    Në këtë shkollë ishte hera e dytë që zhvillohej një kamp nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Po në këtë periudhë u zhvillua edhe kampi me fëmijët e shkollës në Begaj, i cili mbante emrin “Miqësia”. Nëpërmjet kampit lindi një miqësi e re, ajo me banorët në Begaj, me mësuesit e kësaj shkolle dhe padyshim me fëmijët. Ditët e kampit ishin të mbushura me lojëra zbavitëse, këngë, punëdore, biseda në grupe, zhvillim talentesh, lojra olimpike etj. Kampi u kurorëzua me një festë përbashkët. Fëmijët, të përgatitur në grupe dhe të prirë nga drejtuesit e grupeve të tyre, shfaqën një program të shkurtër artistik me këngë, valle e humor për mësuesit, prindërit dhe miqtë e tyre.
 
   Pas festimit me 700 fëmijët pjesëmarrës në kamp, bëmë një veprimtari me të gjithë bashkëpunëtorët tanë.
  
    Për të festuar së bashku dhe për të shprehur falënderimet dhe mirënjohjen tonë organizuam një darkë me ta. Në këtë mbrëmje drejtuesi ynë, z. Nathan Hoppe, shprehu falënderimet në emër të grupit përfaqësues të Kishës për ftesën, mikpritjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm që patëm me drejtorin dhe stafin pedagogjik të këtyre shkollave. Më pas drejtori, z. Ali Bushala, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen në emër të fëmijëve, prindërve dhe mësuesve të kësaj shkolle dhe na dha një fletë-Mirënjohjeje, për bashkëpunimin, thellimin e miqësisë dhe për ndihmesën e ofruar në shkollën e tyre. Ai na ftoi sërish për një bashkëpunim të ri vitin tjetër.
 
    Në dy ditët në vazhdim udhëtuam drejt Prishtinës,ku vizituam edhe manastiret e Graçanicës, Pejës dhe Deçanit. Pas një udhëtimi të gjatë, me dt. 24 qershor u kthyem në Shqipëri, për të mbyllur gjithçka në vendin e pikënisjes, në manastirin e Shën Vlashit.   
 
 
 
Gabriela Bezhani