Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, duke biseduar
me njerëzit gjatë një dreke në Mencë 

 

    Qendra bamirëse “Shoqëria e dashurisë”, po ecën mjaft mirë duke kontribuar me sa mundet për ushqimin e një grupi njerëzish në nevojë të Tiranës. Që nga dita e parë e funksionimit të saj, më 11 janar 2005, në ndërtesën e ish Institutit të Formimit Profesional të Kishës sonë, kjo veprimtari po zhvillohet akoma edhe më shumë.

    Qendra ka qëllim jo vetëm të ndihmojë këta njerëz me ushqim të gatuar ditor, por dhe t’u ofrojë atyre një vend të sigurt, ku të ndjejnë dashuri për njeri-tjetrin dhe për jetën. Për të arritur këtë qëllim përpiqemi të sigurojmë një mjedis sa më të pastër, të rehatshëm e mikpritës dhe të shërbejmë drekë të ngrohtë dhe me vlera ushqimore. I gjithë grupi organizues punon në mensë me përkushtim, duke i trajtuar të gjithë këta miq me respekt, dashuri dhe dinjitet. Askush nuk pyetet se cilit besimi i takon, por përpiqemi vetëm të kuptojmë nevojat e tyre. Tashmë numri i atyre që hanë në mensë është rritur, duke arritur në 100 veta çdo drekë. Ndaj u bë e nevojshme që të shtohej edhe një dhomë tjetër ngrënieje në katin e dytë të ndërtesës. Miqtë tanë janë njerëz të varfër, me vështirësi të theksuara ekonomike, të cilët janë evidentuar nga anëtaret e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës apo nga besimtarët ose edhe vetë këta njerëz në nevojë kanë trokitur në dyert e Kishës sonë për të kërkuar ndihmë.

    Deri tani mensa shërben drekën tri ditë në javë: të martën, të enjten dhe të shtunën. Qendra jonë praktikon dy turne njëri pas tjetrit, për shkak të numrit të rritur të miqve. Në turnin e parë u shërbehet gjashtëdhjetë personave dhe në të dytin dyzetë. Pasi miqtë tanë janë ulur, dreka fillon me lutjen drejtuar Zotit, e cila drejtohet prej priftit të radhës dhe ushqimi i sapogatuar shërbehet menjëherë.

    “Shoqëria e Dashurisë” drejtohet nga çifti misionar orthodhoks nga SHBA Xhorxh e Paulina Rasell dhe mbështetet në ndihmesën vullnetare të Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, të cilat janë angazhuar të ndihmojnë në çdo drekë.  Mensa është bekuar me mundin e shumë vullnetarëve bamirës, që përpiqen me punën, ndihmën ekonomike dhe kontributin e tyre të realizojnë këtë vepër bamirëse. Kemi dy kuzhiniere që punojnë çdo ditë dhe dy gra vullnetare nga grupi i grave, që zëvendësohen çdo ditë sipas një radhe dhe që ndihmojnë së bashku me grupin organizues. Ato janë punëtore të palodhura, të durueshme e të dashura me miqtë tanë në nevojë, të cilëve edhe u shërbejnë. Secila e kupton punën e saj dhe e bën atë mirë, ashtu siç duhet.

    Grupi organizues bën edhe vizita në shtëpitë e tyre, së bashku me pjesëtaret e grupit të grave, për të parë më nga afër nevojat dhe se si mund të ndihmojnë edhe më tepër. 

    Hapja e saj u bë e mundur falë kontributit dhe bekimit të Kryepiskopit Anastas. E vërteta është se ka shumë të varfër në Shqipëri. Ne lutemi që të gjitha përpjekjet tona të lehtësojnë disa nga vuajtjet e tyre dhe t’i ndihmojnë këta njerëz të shohin dritën e Dashurisë.

 

Nga grupi organizues
i “Shoqërisë së Dashurisë”