Tema dhe mesazhi kryesor që përcolli kampi tek të gjitha vajzat pjesëmarrëse ishte: “Doni njëri-tjetrin si unë ju desha ju”. Ky është urdhërimi i dytë që ka dhënë Perëndia. Dhe ky është pikërisht mësimi më i rëndësishëm që mësuam të gjitha së bashku gjatë 10 ditëve të kampit. Të respektojmë dhe të duam të tjerët me të njëjtën dashuri që Perëndia ka për ne. Ne mësuam të duam tjetrin si veten tonë dhe t’i trajtojmë të tjerët me dashuri dhe mirësi. Besoj se ky mësim është më i vlefshëm se të gjitha thesaret e botës.
Në këtë aktivitet kishte vajza nga shumë qytete të Shqipërisë: nga Korça, Elbasani, Kavaja etj. Përveç faktit se ky kamp ishte një vend ku mund të argëtoheshe me lojëra, të mësoje gjëra të ndryshme dhe interesante ishte edhe një mundësi për të shkëmbyer traditat dhe njohuritë me fëmijë të tjerë të moshës sonë, të cilët banonin në qytete të tjera. Vajzat ishin të ndara në tetë grupe të ndryshme me afërsisht 10 persona secili. Emri i secilit grup kishte të bënte me një nga vlerat që ne duhet te kemi për t’i dashur të tjerët me dashurinë e Krishtit. Këto grupe ishin: Mirëkuptimi, Dashuria, Sakrifica, Vigjilenca, Përgjegjësia, Shpresa, Besnikëria, Liria. Çdo grup përfaqësonte edhe një ekip në kampionatin e volejbollit dhe lojrat olimpike që u zhvilluan në kamp.
Kur arritëm në kamp u gjendëm në një ambient të rrethuar nga pemë dhe lule shumëngjyrëshe. Oborri ishte shumë i madh, i mbushur me gjelbërim dhe aromë të mrekullueshme. Kishte shumë hapësirë ku ne mund të luanim, por veç kësaj ishte edhe një fushë shumë e madhe volejbolli dhe basketbolli, në të cilën zhvilloheshin edhe ndeshjet e kampionatit të volejbollit. Menjëherë pasi arritëm në kamp u ndamë në grupe të ndryshme dhe u futëm në dhomat tona. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje ishte fakti se të gjitha vajzat menjëherë krijuan një marrëdhënie shumë të ngrohtë e miqësore. Ato mundoheshin të ndihmonin me sa kishin mundësi shoqet e tyre të sistemoheshin dhe të përshtateshin nëpër dhoma.
Ambienti ishte i bukur dhe i rehatshëm. Çdo ditë programi ishte i ndryshëm dhe drejtueset mundoheshin të ndërthurnin dhe të gërshetonin aktivitete të ndryshme në mënyrë që vajzat asnjëherë të mos mërziteshin. Çdo mëngjes shkonim në kishë dhe merrnim pjesë në shërbesën e Mëngjesores. Të gjitha vajzat merrnin pjesë në shërbesat e kishës dhe qëndronin përpara ikonave, duke i drejtuar lutjet e tyre Perëndisë për një ditë sa më të mirë. Kisha ishte e rikonstruktuar nga brenda, ndërsa nga jashtë ruante akoma lashtësinë e saj. Mbas Meshës, përpara se të fillonte mëngjesi të gjitha vajzat merrnin pjesë në kohën e meditimit. Ato qëndronin të ndara nga pjesa tjetër e grupit për 15 minuta. Këtë kohë ne ia kushtonin leximit të Biblës, të librave mbi jetën e shenjtorëve ose edhe thjesht një meditimi mbi veprat tona. Kjo hapësirë prej 15 minutash quhej kohë e qetë dhe mbas saj binte kambana për të shkuar në mensë, ku të gjithë së bashku hanim mëngjesin, këndonim këngë të krishtera dhe dëgjonim programin për ditën në vazhdim.
Menjëherë mbas ngrënies së mëngjesit fillonte pastrimi rreth kampit. Çdo ditë secili grup kishte për të pastruar një pjesë të caktuar të kampit, në mënyrë që të gjithë të ndihmonim në mbajtjen pastër të mjedisit ku jetonim.
Drejtueset e aktivitetit menduan të organizonin një punëdore me të cilën vajzat mund të kalonin kohën duke u argëtuar dhe duke mësuar diçka të re. Gjatë punës së dorës, çdo kampisteje i jepeshin mjetet për të qëndisur dhe për 30 minuta në ditë dy misionare nga Amerika, Xhorxha dhe Shannon i ndihmonin ato.
Kur përfundonte koha kushtuar punës së dorës i vinte koha një aktiviteti tjetër edukues. Ky aktivitet ishte pikërisht studimi biblik. Gjatë kësaj periudhe prej 60 minutash të gjitha pjesëtaret e grupit mblidheshin në dhomën e tyre dhe bashkë me kujdestaren lexonin vargje të ndryshme nga Bibla dhe i diskutonin, duke shkëmbyer mendimet dhe opinionet e tyre. Mbas studimit biblik shtrohej dreka e cila shoqërohej me të qeshura, gëzim dhe çiltërsi. Gjatë drekës gjithmonë këndoheshin këngë të krishtera dhe gjithnjë para fillimit të bukës dhe mbas saj thonim lutjen drejtuar Perëndisë. Kur dreka mbaronte vinte koha e lirë, në të cilën të gjitha vajzat ishin të lira të pushonin, të qëndisnin, të lexonin ose edhe të luanin tek fusha e lojërave. Për këtë periudhë të lirë të ditës, por edhe për kohën e qetë ishin përgatitur disa libra të botuar nga Kisha jonë me bekimin e Kryepiskopit Anastas. Këto libra kanë si titull mesazhin e kampit: “Doni njëri-tjetrin si unë ju desha ju”. Në përmbajtjen e këtij libri ka shumë histori të bukura dhe mbi të gjitha shumë edukative të cilat japin mesazhe të rëndësishme për të gjithë ne.
U larguam nga ky kamp me kujtime shumë të bukura, duke pritur me padurim verën e vitit tjetër për t’u takuar bashkë me shoqet dhe drejtueset e kampit dhe për të kaluar një kohë të bukur, medituese dhe lutëse me Zotin Krisht.
Përgatiti Iva Popa,
nxënëse në kampin e nxënëseve “Bariu i Mirë”
nxënëse në kampin e nxënëseve “Bariu i Mirë”