Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Thirrje
Duajeni Jetën
 
    Në këtë periudhë pas Pashke, duke e parë jetën nën dritën e Ngjalljes së Krishtit, jemi shumë të shqetësuar nga njoftimet për shtimin e vetëvrasjeve. Ngjallja e Zotit dhe besimi në Ngjalljen është një thirrje dhe një kërkesë për ta dashur dhe mbrojtur jetën akoma më shumë. Nëse dikush predikon apo beson të kundërtën, Kisha Orthodhokse shpall me forcë dhe pa ekuivok, se vetëvrasja është një kundërvënie dhe një mohim i Ngjalljes dhe i gjithë mësimit të Perëndisë.
    Kjo është edhe arsyeja që Ajo e dënon me forcë vetëvrasjen, dhe duke e konsideruar atë një krim ndaj jetës dhe kundër Zotit, e ndalon shërbesën fetare për të gjithë ata që kanë bërë këtë akt, kundër vetes së tyre.
    U bëjmë thirrje të gjithë fëmijëve që të mos dëgjojnë asnjë predikues të vdekjes. Zoti i do ata që të jetojnë dhe ta duan jetën; si atë të tyren ashtu edhe të të tjerëve.
    U bëjmë thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga çdo propogandë apo mësim që i kundërvihet jetës. Asnjë mësim nuk mund të vijë nga Zoti dhe në të njëjtën kohë të kundërshtojë jetën.
    U bëjmë thirrje gjithashtu të gjithë motrave dhe vëllezërve, të cilët janë në mundime dhe sëmundje, që janë nën peshën e dëshpërimit, varfërisë, pasigurisë, vetmisë dhe zhgënjimit: le të mos dekurajohen dhe le të kenë shpresë. Besimi i krishterë nuk ka thënë kurrë që nuk do të kemi vështirësi; vetë jeta tokësore e Zotit tonë ishte plot vështirësi, por ai jep mënyrën për t’i përballur ato.
    U bëjmë thirrje të gjithëve në emër të Zotit të Jetës që ta duan, ta mbrojnë, ta respektojnë dhe të kujdesen për jetën, këtë dhuratë të jashtëzakonshme të Perëndisë.
Sinodi i Shenjtë
i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
 
Datë 14.05.2005