•       Duke marrë parasysh bashkëjetesën në paqe e të frytshme gjatë brezave të komuniteteve të feve tradicionale në Shqipëri; 
     
  •     Duke pasur ndër mend periudhën 50-vjeçare të vuajtjeve të përbashkëta, kur tradita jonë e besimit, vlerat dhe idetë mundën të mbijetonin falë përpjekjesh të mëdha në kushtet e mohimit total të besimit dhe të institucioneve fetare;
     
  •      Duke qënë të vetëdijshëm se -Lavdi Zotit- kemi lënë prapa periudhën e shtypjes dhe feja mundi të rilindë në Shqipëri me të gjitha format dhe praktikat e saj, duke rimarë vendin që i takon në një shoqëri demokratike;
     
  •     Por ndërkohë, duke qënë në dijeni se mosmarrëveshjet fetare në shumë vende të botës, madje edhe fare pranë nesh, janë të lidhura me konflikte etnike, sociale politike etj,
      Ne, komunitetet e feve tradicionale në Shqipëri, Komuniteti Musliman, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (Kisha Orthodhokse), Kisha Katolike dhe Komuniteti Bektashian ndjejmë thirrjen për të treguar rrugët e së ardhmes, ndaj dhe kemi vendosur të dalim me një deklaratë të përbashkët.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe pranojmë se komunitetet tona fetare, janë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe se secili prej tyre priret t’i jetë besnik besimit të vet. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se traditat tona fetare e shpirtërore kanë shumë vlera të përbashkëta dhe se pikërisht këto vlera mund të shërbejnë si baza e vërtetë e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në të gjithë Shqipërinë.
Ne, Komuniteti Musliman, Kisha Orthodhokse, Kisha Katolike dhe Komuniteti Bektashian jemi krenarë për historinë e bashkëjetesës së feve në Shqipëri. Ne deklarojmë se dinjiteti i qenies njerzore dhe vlerat e tij janë dhuratë e Zotit. Besimet tona, secili në menyrën e vet, na bëjnë thirrje të respektojmë të drejtat themelore të njeriut për çdokënd. Diskriminimi dhe dhuna ndaj çdonjërit ose shkelja e të drejtave themelore, për ne, nuk është vetëm kundër ligjeve që ka bërë njeriu, por edhe thyerje e Ligjit të Zotit
     Si përfaqësues të komuniteteve fetare përkatëse, shprehim bindjen se pas ringritjes së komuniteteve tona, kemi hyrë në një fazë të re sprovash, e cila na ve si detyrë forcimin dhe përsëritjen e përpjekjeve për të promovuar marrëdhëniet e mira që kemi pasur gjithmonë si edhe dialogun e bashkëpunimin mes nesh, për të rritur rolin e komuniteteve fetare në shoqërinë tonë. Me këtë deklarate angazhohemi për sa më poshtë:
  •     Ne do të vazhdojmë t’u përkushtohemi lutjeve për të ushqyer tolerancën, bashkëjetesën dhe paqen si në komunitetet tona, ashtu edhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Ne angazhohemi gjithashtu të vazhdojmë të promovojmë një atmosferë paqësore brenda komuniteteve tona, duke ua theksuar klerikeve tanë se predikimi në asnje rast nuk duhet të nxisë urrejtje fetare.
     
  •     Do të vazhdojmë të edukojmë të tërë që të mirëkuptojnë dhe respektojnë traditat tona të ndryshme fetare, në mënyrë që të parandalojmë mosdijen dhe frikën, nxitjen e diskriminimit dhe dhunës. Për këtë qëllim duhet te kemi sigurinë se programet dhe tekstet shkollore trajtojnë çdo fe në mënyrë të barabartë e të hapur.
     
  •     Do të vazhdojmë të jemi të hapur për bashkëpunim me organizata të tjera civile e sociaIe për të realizuar veprimtari të përbashkëta, për të cilat jemi të gjithë të interesuar.
     
  •      Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me anën e takimeve të ndërsjellta për ruajtjen dhe promovimin e mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri dhe në rajon.
     
  •     Do të vazhdojmë të angazhohemi për gjetjen e mjeteve për të siguruar ndihmese për ata që vuajnë në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë.
   
Për më tepër ne, Komuniteti Musliman, Kisha Orthodhokse, Kisha Katolike dhe Komuniteti Bektashian u bëjmë thirrje autoriteteve civile në nivel lokal dhe shtetëror:
  •      Të mbrojnë lirinë e të gjithë përfaqësuesve të autorizuar ose udhëheqësve fetare që të përmbushin misionin e tyre;
  •     Të mbrojnë komunitetet fetare tradicionalë nga çdo person apo grup (brenda apo jashtë komunitetit) I cili kërkon të uzurpojë emrin, pronat, simbolet apo vulën e komuniteteve fetare. Në raste të tilla, mendojmë se është e domosdoshme ndërhyrja energjike e shtetit ligjor, në favor të mbarëvajtjes së veprimtarisë të këtyre komuniteteve;
     
  •      Të sigurojnë mbështetje për zhvillimin e një shoqërie të fuqishme civile, duke përshtatur ligje, rregulla financiare dhe politika të tjera që do të sigurojnë kushtet e duhura për zhvillimin e mëtejmë të komuniteteve fetare;
     
  •       Të promovojnë dhe praktikojnë në vijueshmëri demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor;
     
  •     Të punojnë për rezolutën mbi statusin ligjor të komuniteteve fetare dhe për t’u kthyer atyre pronat që iu shtetëzuan apo konfiskuan në të shkuarën;
     
  •     Të zhvillojnë në media praktika të tilla, të cilat nuk përçajnë, nuk bëjnë thirrje për mosbesim dhe armiqësi ndërmjet njerëzve, por mund të kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri të shëndetshme demokratike. Në këtë kuadër ne i bëjmë gjithashtu thirrje medias të jetë e drejtë dhe e respektueshme në trajtimin e temave fetare.
Së fundmi, ne i bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare, t’i rikthehet edhe një herë vlerave të besimit, mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit njerzor. Të sillen me të tjerët ashtu siç do të donin të silleshin të tjerët me ta!
 
Komuniteti Musliman
 i Shqipërisë
Kisha Orthodhokse
Autoqefale e Shqipërisë
Kisha Katolike
 
Kryegjyshata Botërore   Bektashiane
H.  Selim Muça
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë
Prof. Dr. Anastasi
SH.T. Mons. Rrok Mirdita
H.D. Reshat Bardhi