Pas vendosjes së demokracisë, drejtësia shqiptare, pas një maratone të gjatë procesesh gjyqësore, vendosi më në fund rikthimin e kishës në fjalë pronarëve të saj të ligjshëm, orthodhoksëve të qytetit të Përmetit. Komisioni i Kthimit të Pronave zbatoi vendimin e Gjykatës së Faktit, Përmet (1996), të Apelit, Tiranë (1997) (pa përmendur këtu vendimet e Gjykatës së Lartë apo të Kolegjeve të Bashkuara), vetëm më 15.06.2000, pasi më parë, në mënyrë të përsëritur, nuk kishte denjuar të zbatonte urdhrat administrative, që vinin nga institucionet eprore.
Mbi bazën e kërkesë – padisë sonë të ngritur kundër Seksionit të Financës së rrethit Përmet me objekt vërtetim dhe njohje pronësie të Kishës së Shën Marisë në Përmet, Gjykata e rrethit Përmet nëpërmjet vendimit të saj me Nr. 1033 datë 18.11.1996, vendosi pranimin e padisë sonë duke vërtetuar dhe njohur pronësinë e Kishës Orthodhokse për Kishën e Shën Marisë Përmet.
Ky vendim u apelua nga pala e paditur, Seksioni i Financës dhe Gjykata e Apelit Tiranë, nëpërmjet vendimit të saj me Nr. 521 datë 5.2.1997, vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë Përmet.
Në këto kushte ne iu drejtuam Komisionit të Kthimit dhe të Kompesimit të Pronave Përmet dhe ky komision në bazë të ligjit Nr. 7698 datë 15.4.1993, “Për njohjen dhe kthimin e pronave ishpronarëve”, nëpërmjet vendimit Nr. 634 datë 26.5. 1997, vendosi njohjen dhe kthimin e kësaj Kishe Këshillit Kishtar Përmet, pasi ne t’i paguanim shtetit shumën prej 751. 264 lekë, që përfaqësonin punimet e kryera nga ana e shtetit, pagesë e cila u krye menjëherë nga ana jonë.
Për sa më lart bëhej fjalë vetëm për godinën e Kishës me sipërfaqe prej 612 m2 dhe jo edhe për sipërfaqen e truallit rreth saj.
Për sipërfaqen e truallit rreth godinës së Kishës prej 6186 m2, komisioni i K.K. të Pronave ishpronarëve Përmet me vendimin e tij me Nr. 75 datë 27.2.1995, kishte vendosur vetëm njohjen e këtij trualli në pronësi të Kishës dhe jo edhe kthimin.
Ky vendim i komisionit është kundërshtuar nga ana jonë në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër (meqenëse ajo gjykatë i gjykon çështjet administrative) dhe kjo Gjykatë me vendimin Nr. 461 datë 10.10. 1997 vendosi pranimin e pjesshëm të padisë sonë duke na kthyer edhe sipërfaqen prej 4572 m2 që është rreth godinës së Kishës, vendim i cili mori formë të prerë .
Pas këtyre vendimeve dhe veprimeve, pronësia e godinës dhe e sipërfaqes së truallit është regjistruar në Regjistrat e Transkiptimeve të Hipotekës Përmet, me Nr. 5 datë 17.11.97. godina dhe Nr. 6, datë 17.11. 1997, trualli Përmet.
Dhe tani, ndodhemi sërish, pas një vendimi të padrejtë, bazuar mbi një ekspertizë të rreme, në të njëjtën pikë – kërkohet lirimi dhe rishtetëzimi i kishës. Kryerja e ekzekutimit të këtij vendimi do të thotë shembje e Altarit të Shenjtë, flakje e Kryqit të Nderuar, shkulje e Ikonave të Shenjta nga muret e kishës dhe mbi të gjitha përdhosje e një vendi tepër të shenjtë për orthodhoksët e Përmetit. Në vend që drejtësia të dënojë ekspertët që nën forcën e mjeteve të njohura gënjyen, i thotë po gënjeshtrës së tyre dhe këtë gënjeshtër e shpall si të vërtetë.
Kjo kërkesë absurde, të cilën Përmbarimi kërkon ta zbatojë me shpejtësi të pazakontë (i ndikuar edhe nga ndërhyrje të drejtpërdrejta), i revoltoi dhe i ngriti besimtarët përmetarë në protestë, ndërsa 12 nga ata u vendosën në mjediset e kishës, për të zhvilluar një lutje të pandërprerë dhe kreshmë të plotë, që Perëndia të ndriçojë mendjet e atyre, që kërkojnë të na rikthejnë vitin 1967. Ata i bënë apel të gjitha organeve tona shtetërore dhe ligjore, për të vënë në vend drejtësinë e munguar dhe për të dëshmuar se ky vend akoma ka dëshirë e ligje për të shkuar drejt Evropës.
Duket që sot organet shtetërore kanë vendosur që të mos ta rehabilitojnë padrejtësinë që ka nisur në vitin 1960, duke rishtetëzuar kishën e Shën Marisë dhe duke u kthyer kështu mbrapa, në kohën e perëndiluftuesit më të egër që ka njohur historia bashkëkohore. Fatkeqësisht shteti ligjor i së drejtës po vonon të kryejë funksionet e tij kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe në garantimin e lirisë së besimit fetar. Nëse nuk fillohet me kthimin e njeriut tek Perëndia, progresi do të jetë ende larg.
Në thelb, përpjekjet për risekuestrimin e kishës së Shën Marisë së Pazarit janë thjesht përpjekjet e disa qarqeve të caktuara për të grabitur diçka që nuk u takon. Kësaj grabitjeje duan t’i vënë emrin “kulturë”. Duke pasur si bazë këtë grabitje, pretendojnë të edukojnë e të kulturojnë brezat e rinj të qytetit. Për fatin e tyre të keq, të gjithë e dinë se grabitja nuk është kulturë, por e kundërta e saj. Për një kulturë të tillë askush nuk ka nevojë, aq më tepër banorët e kulturuar të qytetit të Përmetit.
Që kur është marrë në dorëzim prej komunitetit orthodhoks të qytetit, përveçse objekt kulti, kisha e Shën Marisë së Pazarit funksionon për të gjithë qytetarët e Përmetit, pa asnjë përjashtim, si park lojërash, kopsht e sallë kompjuterash për moshat e reja. Duhet theksuar se këto përpjekje janë penguar nga detyrimi ligjor për të mos kryer asnjë ndërhyrje në ndërtesën ekzistuese, gjë që ka penguar shfrytëzimin maksimal të saj në dobi të qytetarëve të Përmetit, të cilët nuk harrojnë se për vite me radhë e ashtuquajtura “shtëpi e kulturës” funksiononte vetëm si sallë bilardoje dhe lojërash bixhozi.
Në këto rrethane, besimtarët e Përmetit kërkojnë:
– Rikthimin pa kushte të ndërtesës në pronësi të Komunitetit Orthodhoks.
– Caktimin përfundimtar të kufijve të truallit të kishës ashtu siç është njohur dhe kthyer nga Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.
– Largimi i menjëhershëm i ndërtimeve të paligjshme mbi truallin e kishës, që kanë zaptuar sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Besimtarët orthodhoksë në gjithë Shqipërinë, e mbështetin me lutjet e tyre protestën për kishën e Shën Marisë në Përmet.
Për ne orthodhoksët ka shumë rëndësi fakti që ta kemi kishën në vendin tonë të shenjtë. Edhe sikur të na jepnin pesëfishin e vendit që kemi në pronësi, ne nuk do të pranonim të largoheshim, pasi trashëgiminë tonë shpirtërore ne e kemi të lidhur me vendin, ku për shekuj i janë drejtuar lutje Perëndisë. Nga ana tjetër, Drejtoria Kulturore, duke përdorur shumën që ne kemi derdhur për të paguar investimet e pakta të shtetit, si edhe me një fond shtesë mund ta ndërtojë shtëpinë e kulturës diku gjetkë. Ne besojmë se shteti është aq i fuqishëm sa të mund t’i sigurojë fondet e duhura. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e konfliktit që nuk do të cënonte asnjë nga palët dhe që do të vinte në vend një padrejtësi 40-vjeçare.
Orthodhoksët e Përmetit nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga vendimi që kanë marrë, që të luftojnë deri në fund për kishën e tyre. Kanë me vete të vërtetën, historinë, bashkëqytetarët, Shën Marinë. Janë të bindur se prej kishës së tyre shekullore buron edhe kulturë, nga sa thamë më lart bëhet e qartë se Shën Maria e Pazarit është shumë më tepër se shtëpia e kulturës, është TEMPULLI I KULTURËS, me të cilën mund të krenohen të gjithë. Është pjesë e pandashme e kulturës shekullore përmetare, e ndërtuar me gjakun dhe djersën e dhjetëra brezave. Diktatura komuniste nuk mundi ta zhdukte prej faqes së dheut. Këtë gjë nuk mund ta realizojnë aq më tepër simpatizuesit e saj. Ajo do të vazhdojë të mbetet e patundur e do të thirret prej përmetarëve ashtu si gjithmonë: SHËN MARIA E PAZARIT.