Përshumë vjet o Kryezot!

    Të hënën, në datën 2 gusht 2004, u zhvilluan shërbesa dhe veprimtari me rastin e kremtimit të 12-vjetorit të Fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Prof. Dr. Anastasit, çast ky që shënon edhe fillimin e Ringritjes Kanonike te Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Liturgjia Hyjnore Sinodike u zhvillua në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë. Në këtë Liturgji bashkëmeshonin me Kryepiskopin edhe Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Hirësia e Tij, Ignati dhe Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, Hirësia e Tij, Joani. Kisha ishte e mbushur edhe me dhjetëra klerikë e qindra besimtarë, përfaqësues të të gjitha dioqezave të Kishës sonë.

    Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Mitropolitët e Beratit dhe të Korçës uruan Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Në fjalën e tij, Hiresia e Tij, Ignati përmendi disa nga arritjet më të mëdha të Kishës Orthodhokse në këta dymbëdhjetë vjet. Ai theksoi se, që me ardhjen e tij, Kryepiskopi Anastas u përpoq energjikisht për ringritjen e Kishës, duke filluar që nga kujdesi për hapjen e Akademisë Teologjike, që është një shkollë e shkëlqyer për përgatitjen e klerikëve të rinj, duke vazhduar me ngritjen nga themelet dhe rikonstruktimin e kishave në pothuajse të gjithë vendin, duke mos lënë pë asnjë çast  kujdesin e tij në fushën e shëndetësisë dhe të përkujdesjes sociale për popullin e vuajtur të Shqipërisë. Ndërsa Hirësia e Tij Joani u ndal në domosdoshmërinë e kujtimit të kësaj mrekullie. Çdo frymë që ështe me Perëndinë kujton dhe falenderon. Ai shtoi se, ne nuk e falënderojmë Perëndinë në mënyrë abstrakte për sa Ai ka bërë për ne, por e falënderojmë duke kujtuar edhe ata njerëz, me anë të të cilëve Perëndia na bekoi. Ai theksoi, se Kryepiskopi Anastas ishte timonieri i zoti që shpëtoi anijen në mes të stuhisë dhe udhëheqësi i aftë dhe me vizion që i dha zhvillim Kishës së Shqipërisë.

    Në vijim, Kryepiskopi Anastas mori urime edhe nga përfaqësuesi i Lidhjes Rinore “Bij të Dritës”, e cila është organizuar në të gjithë vendin, duke marrë pjesë energjikisht në jetën e kishës, si pjesë e saj dhe duke qenë e përfshirë në veprimtari të shumta, si festivale, kampe, konferenca rinore kombëtare e nderkombëtare. Kjo sipas vizionit të Kryepiskopit, se Rinia Orthodhokse nuk përbën vetëm të ardhmen e Kishës, por edhe të tashmen e saj. Ndërsa fëmijët jetimë të “Shtëpisë së Shpresës” e uruan Kryepiskopin duke i dhuruar atij lule.

    Në fjalën e tij, Kryepiskopi Anastas tha se kjo festë nuk lidhet vetëm me fronëzimin e tij, por edhe me Ringrijen Kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, fakt kanonik ky që lidhet edhe me krijimin e Sinodit të Shenjtë, si organi më i lartë i Kishës. Ai kërkoi që të psaleshin nga të pranishmit edhe famat e dy Mitropolitëve të tjerë, anëtarë të Sinodit, të cilët kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer dhe kanë qenë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në veprën e Kishës. Fortlumturia e Tij vazhdoi se Perëndia është tolerant, por është shumë i rreptë kur bëhet fjalë për pafrytshmërinë. Ai theksoi edhe domosdoshmërinë e këmbënguljes kurdoherë në lutje.

    Pas Liturgjisë Hyjnore, të pranishmit e shumtë u drejtuan për në manastirin e Shën Vlashit, ku Kryepiskopi Anastas do të shtronte drekën e rastit. Dreka kaloi nën një atmosferë familjare dhe përveç urimeve dhe këngëve, biseda udhëtoi edhe tek kujtimet e më të vjetërve për vitet e para të ringritjes së Kishës.

    Në fund, Kryepiskopi Anastas u shpërndau klerikëve botimin e ri të Uratores së Vogël.

    Si çdo vit aktivitetet e këtij përvjetori do të mbylleshin me Shërbesën e Efqelisë, në manastirin e Shën Vlashit.