Në datën 7 gusht, besimtarët Orthodhoksë të Korçës morën pjesë në përurimin dhe shenjtërimin e Katedrales së tyre, i cili u krye nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e Hirësisë së Tij Ignatit, Mitropolit i Beratit dhe Hirësisë së Tij Joanit, Mitropolit i Korçës, në prani edhe të përfaqësive nga të gjitha mitropolitë e vendit, të autoriteteve shtetërore e fetare të Korçës. Të ftuar në këtë shenjtërim ishin edhe Mitropoliti i Follorinës, Hirësia e Tij Theokliti dhe disa klerikë si edhe miq të Kryepiskopit, donatorë dhe arkitektë, nga Greqia fqinje.

   Katedralja e Korçës “Ngjallja e Krishtit” është ndërtuar në formë kryqi, me katër apsida , me një kupolë qendrore, e rrethuar me hajat dhe me dy kambanore të larta. Ajo zë një sipërfaqe prej 1100 m2, ka volum rreth 12500 m3, lartësi 28 m. Në katin e nëndheshëm (970 m2), ka mjedis për pagëzimet, paraklis dhe sallë mbledhjesh. Për ndërtimin e saj u shpenzuan më shumë se 2.5 milion USD.

   Më 2 gusht të vitit 1994, u bë bekimi i gurit të themelit të Katedrales së re të Korçës, “Ngjallja e Krishtit”, e cila do të plotësonte boshllëkun e madh që la prishja e shumë kishave në këtë qytet me tradita të shquara orthodhokse. Ai ishte paraprirë nga një odise e zgjatur për vendin ku ajo do ngrihej. Vendimi për sheshin e parë të ndërtimit u anullua nga ndërhyrje keqdashëse dhe ishte protesta e vendosur dhe energjike e besimtarëve korçarë, që detyroi autoritet shtetërore të kohës të jepnin një truall edhe më të përshtatshëm se i pari. Fondet për ndërtimin e saj u siguruan tërësisht nga Kryepiskopi Anastas, i cili do të deklaronte në atë kohë, se “Kur na gjuajnë me gurë, ne i mbledhim ato për të ndërtuar”. Nisën punimet, të cilat patën edhe ato peripeci e ndërprerje në periudhën e krizave të viteve ’97-’98 etj. Punimet mbaruan në vitin 2000 dhe në fillim nisi të shërbejë si kishë mjedisi i poshtëm, ndërkohë që punohej për pajisjen e kishës me të gjitha mjetet e nevojshme.

   Paralelisht, në të gjithë vendin punohej për ngritjen nga themelet të 84 kishave të reja, ndërtoheshin mbi 20 godina administrative e ndihmëse, riparoheshin rreth 150 kisha, si dhe restauroheshin më shumë se 75 kisha e manastire monumente kulture.

   Pas Shenjtërimit të Kishës u shtrua një drekë në restorantin e qendrës polifunksionale kishtare “Shën Gjergji” për të gjithë të ftuarit.