KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
 
ZYRA E SHTYPIT
 
Njoftim Shtypi
 
 
Në disa organe të mediave, për të mashtruar dhe shpifur kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është riaktivizuar z. Nikolla Marku nga Elbasani. Duke qenë se atë po e paraqesin si klerik dhe përfaqësues të besimtarëve orthodhoksë, sqarojmë edhe një herë ata që duan ta njohin të vërtetën:
 
1. Nga organizmat shtetërorë e zyrtarë dhe ata fetarë, brenda dhe jashtë vendit, njihet si përfaqësuese e besimtarëve orthodhoksë vetëm Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.  N. Marku është vetëm një individ i vetëquajtur prift dhe nuk njihet nga asnjë kishë Orthodhokse, Katolike a Protestante në botë.
 
Në mënyrë tendencioze, në shkrimet e kronikat e dhëna mënjanohet qëllimshëm edhe fakti, se në qytetin e Elbasanit ekziston komuniteti orthodhoks i organizuar, me disa priftërinj dhe dy kisha (përveç asaj të uzurpuar), me përgjegjës Episkopin shqiptaro-amerikan Ilia Katre, që është pjesë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithçka tjetër është vetëm një sajesë e rradhës dhe nuk ka të bëjë fare me Kishën Orthodhokse.  
 
2. Në tetor të vitit 1995 N. Marku okupoi me dhunë, me mbështetjen e forcave të njohura antiorthodhokse, Kishën e Shën Marisë dhe më pas, duke shfrytëzuar apatinë (në mos bashkëfajësinë) e pushtetit lokal dhe më tej, edhe godinën pranë saj, të cilat ligjërisht dhe historikisht kanë qenë dhe janë prona të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
 
Godina dykatëshe pranë kishës, për të cilën ai flet, pas vitit 1991 ishte gati e shkatërruar. Në vitet 1994-1995 Kryepiskopata e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shpenzoi rreth 130 mijë dollarë për ta rindërtuar, që të kthehej në kopsht e qendër shëndetësore, etj. për lagjen Kala dhe gjithë Elbasanin.  N. Marku sapo kishin mbaruar punimet e uzurpoi dhe e ka dhënë në mënyrë të paligjshme me qira pronën e Kishës, duke përvetësuar të ardhurat.
 
Më në fund, pas një odiseje dhjetëvjeçare, në të gjitha shkallët e gjyqësorit, organet shtetërore po nisin me mjaft plogështi të zbatojnë ligjin, për t’ia kthyer godinën pronarit të ligjshëm. Kjo e ka acaruar N. Markun, sepse do t’i pritet burimi i paligjshëm i të ardhurave personale, që ka zhvatur gjithë këto vite në kurriz të komunitetit orthodhoks. Kështu del qartë, se nën maskën e demagogjisë patriotike qëndrojnë interesa personale ordinere.
 
Organet e mediave, duke keqinformuar lexuesit dhe teleshikuesit për këtë person dhe çështjen konkrete, bëhen bashkëpunëtore në këtë mashtrim dhe justifikojnë grabitjen e pronës.
 
Tiranë, 26 tetor 2004
                                                                                                                                Zyra e shtypit