E kremtja e Theofanisë – Bekimi i Ujrave

Në Katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Asti
 në Durrës Ditën e Bekimit të Ujrave

 

   Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasi, drejtoi Meshën Hyjnore në Katedralen e Apostul Pavlit e Shën Astit në Durrës më 6 Janar 2004 në kremtimin e një nga të kremteve më të mëdha të Kishës Orthodhokse, atë të Theofanisë (Epifanisë) ose ndryshe të Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan.  Kjo ditë njihet gjithashtu si Dita e Bekimit të Ujrave.
 
   Qindra besimtarë morën pjesë në Meshën Hyjnore.  Pas shërbesës së Bekimit të Ujit brenda kishës, të gjithë besimtarët pjesëmarrës të drejtuar nga Kryepiskopi dhe priftërinjtë e shumtë, të ardhur edhe nga Tirana, Shën Vlashi, Rrushkulli, u drejtuan në mënyrë solemne dhe panagjirike drejt Portit të qytetit për të bekuar edhe ujrat e Adriatikut, duke hedhur kryqin në det.  Sipas traditës këtë ditë hidhen në det djem të rinj për të kapur kryqin.  Në ujin e ftohtë të detit u zhytën disa të rinj.  Njëri prej të cilëve ishte edhe Joan Papajoani, i cili e kapi kryqin dhe mori bekimin e Kryepiskopit Anastas.
 
   Dita e Theofanisë (Epifanisë) ose e Shfaqjes së Perëndisë është një nga festat më të rëndësishme të vitit në Kishën Orthodokse.  Kjo ditë shënon fillimin e Misionit Hyjnor të Krishtit mbi tokë në praninë e qartë të Trinisë së Shenjtë, Perëndisë – Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.