KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
KRYEPISKOPATA E HIRSHME
– KOMUNIKATE SHTYPI –
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, sapo u informua për humbjen tragjike të Patriarkut të Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës, Petro, i dërgoi Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës së Aleksandrisë, këtë telegram ngushëllimi:
“Me pikëllim të thellë u informuam për aksidentin tragjik dhe humbjen e papritur të jetës së Patriarkut të dashur të Aleksandrisë dhe të gjithë Afrikës, Petro, si dhe të hierarkëve të dalluar dhe klerikëve e laikëve të Fronit të Aleksandrisë, që e shoqëronin. Vëllai im i lumur dhe i shtrenjtë, Patriarku, i pajisur me shumë virtyte dhe aftësi, ringjalli me përpjekje të mëdha Patriarkanën e nderuar dhe drejtoi me urtësi dhe mirësi Orthodhoksët e Afrikës, duke treguar dashuri të veçantë për misionin e shtrenjtë dhe shumë dhembshuri ndaj grigjës afrikane. Me hidhërim shpirtëror, i shprehim ngushëllimet Hierarkisë së respektuar të Fronit Aleksandrik dhe urojmë nga thellësia e shpirtit, që Zoti Perëndia ynë, për të Cilin shfaqi dashuri të sinqertë dhe të Cilit i shërbeu, ta vendosë Atë dhe shoqëruesit e Tij në anën e të drejtëve dhe të ngushëllojë familjet e zgjedhura, bashkëpunëtorët e shtrenjtë dhe popullin orthodhoks të Afrikës. Duke marrë pjesë me gjithë shpirt në këtë zi të thellë, sapo kryem trisai në paraklisin e Kryepiskopatës dhe nesër do të kryejmë zyrtarisht përkujtimore në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. I përjetshëm kujtimi i tyre”.
Tiranë, më 11 shtator 2004