I JEPET TITULLI “DOKTOR NDERI” I UNIVERSITETIT Të BOSTONIT (SHBA)
Duke iu drejtuar anëtarëve të bashkësisë universitare në sallën e mbledhjeve të Universitetit (Baccalaurcate Address), i nderuari e nisi fjalën e tij “Duke kërkuar urtësi dhe liri”, me referencën e vargut të T. S. Eliot: “Ku është urtësia që kemi humbur në njohje? Ku është njohja që kemi humbur në informacion?” Dhe theksoi se: “Urtësia i jep gjykimit largpamësi, pamje të gjithçkaje, dhe qëndrimit njerëzor krijimtari dhe butësi. Ajo nuk njejtësohet me zgjuarsinë dhe erudicionin. Ajo është produkt i një pjekurie të përgjithshme të brendshme, i një sinteze të gjerë: mendjemprehtësie, përvoje dhe njohurish, kthjelltësie shpirtërore dhe mirësie … Në Shkrimin e Shenjtë theksohet me ngulm se burimi i urtësisë është Perëndia”.
Në përgjigje të morisë së parë të pyetjeve, ai shtoi: “Ku është liria që kemi humbur në liberalizëm? Ku është liberalizmi që kemi humbur në egocentrizëm? … Në të gjitha nivelet, personal, familjar, lokal, botëror, liria pa përgjegjësi është veçanërisht e rrezikshme. Por më tepër se çdo gjë tjetër e minon përgjegjshmërinë dhe e tjetërson karakterin e lirisë interesi personal; rrotullimi rreth idhullit të vetes sonë me format dhe ngjyrat e larmishme që merr. Armiku i paskrupullt i lirisë, egocentrizmi, bëhet më tinëzar kur fshihet në unin kolektiv të grupeve dhe popujve”.
Në vijim të fjalës së tij pasoi një mori e re pyetjesh të rëndësishme për botën bashkëkohore. “Ku është besimi, që kemi humbur në një spiritualitet të papërcaktuar? Ku është spiritualiteti autentik që kemi humbur në ceremonialet e ndryshme? Në fillimet e shekullit të 21-të vëmë re në shumë anë kthim të besimit. Por në këtë lulëzim të ri të të interesuarit për Trashendenten, për të Shenjtën, për Perëndinë, dallohen dy rreziqe: I pari, tjetërsimi i përvojës fetare me produkte teorish dhe sistemesh të ndryshme me prejardhje të shumëllojshme, që propozojnë një spiritualitet të papërcaktuar. Përvoja fetare e hap horizontin tonë në pafundësi. Por jo që të lëshohemi në një “zbrazëti” pasive, të papërcaktuar, në kaos dhe në vetmi. Rreziku i dytë është shtrembërimi i ndjenjës fetare, dhe madje i vetë besimit, me orientim dhunën dhe urrejtjen … Bota perëndimore duhet të ndërgjegjësohet se padrejtësia dhe varfëria në botë, për të cilat edhe vetë ka pjesë përgjegjësie, lehtësojnë shfrytëzimin e ndjenjës fetare … Por nëse përjetimi fetar tjetërsohet dhe trazohet, më e keqja, shtrembërohet, atëherë, shfaqen marrëzia, skizofrenia, agresiviteti i paskrupullt dhe gjendje të ndryshme paranoike … Besimi i vërtetë tek Perëndia është në esencë lidhja personale e të besuarit dhe dashurisë me Atë që është Dashuria”.
Veç kësaj, në stadiumin e Universitetit të Bostonit, ku u bë ceremonia e dhënies së diplomave atyre që përfundan studimet, me pjesëmarrjen e të gjithë pedagogëve dhe të mijërave studentëve e të të afërmve të tyre, Kryepiskopi Anastas ndër të tjera në lutjen (Invocation) e tij tha edhe sa më poshtë: “Në gëzimin e festës së sotme, nuk duhet të harrojmë se ndeshje të ashpra, vepra dhune, padrejtësie dhe hakmarrjeje, plagosin njerëzimin dhe se miliona njerëz si ne jetojnë në varfëri të tmerrshme dhe dhimbje të shumëllojshme … Falna, o Zot, ndjeshmëri, mirëkuptim dhe pajtim. Jepna të bëhemi njerëz krijues për përparim, drejtësi dhe solidaritet në të gjitha nivelet: lokal, ndërkombëtar, botëror.