KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
Krishtlindje 2003
Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Dhe emrin do ta ketë Emanuel, që e përkthyer
do të thotë Perëndia është me ne”(Matth. 1:23)
E kremtja e sotme shpall diçka të pakapshme nga mendja njerëzore: Perëndia erdhi për të qëndruar me ne. Erdhi për t’u bashkuar me njerëzimin, të ndajë me të dhembjen, t’i përgjigjet aspiratës për shpëtim. Gjurmë nga kërkimi i njerëzve për të Përtejshmen, Hyjnoren, gjenden nëpër sisteme të ndryshme fetare. Por, ajo që e dallon mesazhin e krishterë dhe e bën atë unikal është, se vetë Perëndia u bë njeri, “që të hyjnizojë njeriun”. Kemi të bëjmë me një realitet tronditës.
Perëndinjeriu nuk erdhi si një engjëll ose si profet për të na zbuluar vullnetin e Perëndisë, për të caktuar Ligjin suprem dhe pastaj të largohet. Ai erdhi, që të bëhet një me ne “dhe ndenji mes nesh” (Jo. 1:14). Hyri tek njerëzimi me një lindje reale nga Virgjëresha Mari, që të mbetet përjetësisht “njëri prej nesh”, i njëjti me ne, përveç mëkatit, njëri që i përket me të vërtetë familjes sonë njerëzore.
Me sigurinë se Jisui është Emanueli, “Perëndia është me ne”, fillon Dhiata e Re. Dhe me atë konfirmim të Krishtit të ngjallur, “dhe ja, unë do të jem me ju çdo ditë deri në fund të jetës” (Matth. 28:20), përmbushet vepra e Tij. Emri Emanuel përmbledh vetëm në një fjalë misterin e të bërit njeri.
Vasili i Madh, duke përmbledhur kuptimin e të kremtes së sotme, shpjegon se Fjala e Perëndisë erdhi në tokë që “ta ringrejë mbarë njerëzimin drejt vetes së Tij”, që gjininë njerëzore ta risjellë në drejtimin e duhur, të cilin e kishte humbur; ta ribashkojë njerëzimin me rrënjën e tij, me Perëndinë. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”, shpalli Krishti. Urtësia, drejtësia, paqja, shpëtimi, që dëshirojnë aq shumë njerëzit, grumbullohen tek personi i Tij. “Te Krishti ndodhen të fshehura të gjitha thesaret e urtësisë dhe të diturisë”, siguron Apostull Pavli (Kol. 2:3). Bashkimi personal i natyrës hyjnore me atë njerëzore tek Krishti, i dha njerëzimit një dinamikë të re. Me ardhjen e Tij në tokë, Perëndinjeriu risolli tek Perëndia Triadik, tek Dashuria e gjallë, “mbarë njerëzimin” , mbarë gjininë njerëzore, tërë natyrën njerëzore, tërë krijimtarinë njerëzore. Që t’i rikrijojë ato dhe t’i lartësojë brenda dritës së energjive të pakrijura hyjnore, që rrezaton dashuria e Tij.
Këtë siguri, se Perëndia është “bashkë me ne”, vjen për ta rigjallëruar në ndërgjegjen tonë e kremtja e Krishtlindjeve. Kisha, me himnologjinë e saj, na fton që t’i ndjejmë këto evenimente si të jenë të sotme. “Sot lind prej Virgjëreshës Ai që mbarë krijesën e ka në pëllëmbë të dorës”, dëgjuam në një tropar. “Të gjitha sot mbushen me gëzim, Krishti lindi prej Virgjëreshës”, në një tjetër tropar.
Zakonisht, shumë njerëz e mendojnë Jisuin si një person të së kaluarës, dhe jo si Emanuelin, Krishtin e gjallë që qëndron me ne. Shumë besojnë më tepër në një Zot që mungon se sa në një Zot përjetë të pranishëm. Madje, edhe shumë nga ne, ndihen të qetë dhe me më shumë siguri me mendimin se “me ne është paraja, me ne është pushteti, me ne është mbrojtja e të fuqishmëve”, se sa në besimin se me ne është Perëndia. Prandaj, aq shpesh mbetet mes nesh mëria, frika, hidhërimi dhe zhytemi në vetmi.
Sigurinë se Krishti qëndron pafundësisht me ne, e shpall gjithnjë Kisha e Tij. Këtë ndjesi të gjallë të pranisë së Tij dhe bashkimin organik me Të, e garanton me kryerjen e Mistereve të hirshme, që fillojnë me Pagëzimin dhe arrijnë kulmin me Eukaristinë Hyjnore. Premtimin e Zotit, pas Pësimit dhe Ngjalljes së Tij, se “ja, unë do të jem me ju çdo ditë të jetës suaj”, na e kujton dhe konsolidon në ndërgjegjen tonë Kisha. Krishti është me ne jo vetëm gjatë çasteve të lutjeve dhe të paqes, por edhe gjatë ditëve të turbullta të dyshimit dhe të dobësisë. Madje, edhe gjatë çastit të frikës ose të tradhtisë së pavullnetshme. Ndërgjegjësimi për praninë e Zotit Jisu, na fuqizon dhe na frymëzon.
“Dhe emrin do ta ketë Emanuel, që e përkthyer do të thotë Perëndia është me ne”. Festa e Krishtlindjeve na fton që ta forcojmë këtë ndjesi të pranisë së vazhdueshme të Emanuelit. Që të lëvizim me vizionin, me kriteret dhe me fuqinë e Tij. Me sinqeritetin, dëlirësinë dhe me dashurinë e Tij. Që të jemi të çliruar nga fobitë dhe ankthet, duke vështruar drejt Personit të Tij, duke u mbështetur tek dora e Tij. Që të jemi mbartës të paqes, të drejtësisë, të pajtimit dhe të optimizmit në rrethin tonë të ngushtë dhe në atë më të gjerë. Që të tregohemi të paepur e krijues, edhe në kushtet shoqërore më të vështira dhe të pasigurta. Karakteristikë e besimtarit orthodhoks mbetet, së pari, ndjesia e gjallë e pranisë së Emanuelit; dhe së dyti, përpjekja e vazhdueshme që të bëhet e ndjeshme prania e Krishtit edhe tek të tjerët – me fjalën, me punën, me heshtjen, me tërë ekzistencën tonë.
Në kohën kur dhuna, padrejtësia dhe varfëria mundojnë njerëzimin dhe na mbushin zemrat me shqetësim dhe turbullirë, e kremtja e Krishtlindjeve vjen përsëri për të ndezur në shpirtrat tanë dritën e besimit dhe të shpresës. Në epokën e sotme, kur dituria njerëzore na zhyt mendimet në pafundësi, në madhësinë marramendëse të hapësirës kozmike dhe në vogëlsinë e pafund të materies, zemra jonë merr hov para mesazhit të besimit të krishterë, se Perëndia i Paanë, i Pafillim dhe i Pafund, vjen për të marrë natyrën tonë njerëzore dhe për të na çuar në pikën më të lartë të zhvillimit: në hyjnizimin pas hirit.
Fjala e Perëndisë, vëllezër, erdhi që “mbarë njerëzimin ta ringrejë drejt vetes së Tij” – pra drejt jetës dhe dashurisë së vërtetë. Le ta presim me më shumë përkushtim, duke i hapur tejpërtej dyert e mendjeve dhe zemrave tona. Dhe le të punojmë që ta takojnë Atë sa më shumë nga vëllezërit tanë, që ndodhen afër dhe larg. E tërë jeta jonë mund të transformohet në një festë ngazëlluese, nëse e vërteta se “me ne është Perëndia” bëhet atmosfera, në të cilën do të marrim frymë dhe do të lëvizim.
Të bekuara qofshin Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Me ndjesinë e vazhdueshme të pranisë së Tij.
Me uratat e zjarrta të Perëndisë,
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
+ Anastasi