“Dhe ju do të jeni dëshmitarët e Mi në Jerusalem dhe në gjithë  Judenë e Samarinë dhe deri në fundin e tokës”(Vep. 1:8)

    – Nga 15-22 korrik, në mjediset e Manastrit të Shën Vlashit dhe të Akademisë Teologjike pranë tij, u mbajt Asambleja e XVII-të e Syndesmos, Organizatës Botërore të Rinisë Orthodhoksë, e cila këtë vit festonte edhe 50-vjetorin e themelimit. –Morën pjesë rreth 150 të rinj, nga 40 vende të botës –

    Për më shumë së një javë, mjediset pranë Durrësit, do mbusheshin nga rreth 150 delegatë, nga rreth 40 vende, personeli ndihmës, të ftuarit etj., të cilët kishin ardhur për të festuar 50 vjet shërbim ndaj Kishës dhe unitetit të saj, 50 vjet dëshmie, misioni dhe rinovimi shpirtëror në botën Orthodhoksë dhe më gjerë. Kryepiskopi Anastas ka thënë së sa mirë është për Kishën tonë, që në kemi këtë histori të bukur, aventurën e Syndesmosit. Çfarë mrekullie është të kesh një organizatë të tillë në aktivitet për më së një shekull, pa një mbështetje financiare të qëndrueshme dhe praninë e vazhdueshme të një stafi mjaft të kualifkuar. Të kesh të pamundurën, tregon së është dikush tjetër që është pas saj, ky person është Zoti Krisht, është Shpirti i Shenjtë që punon mes nesh….
    Sipas statutit, detyrat e Asamblesë ishin vlerësimi i punës 4-vjeçarë të bërë nga organizata, të bëheshin rekomandime e përcaktoheshin përparësitë për politikat; programet dhe buxheti, të zgjidheshin organet e reja drejtuese, të shqyrtonin kandidaturat e reja dhe kontributin e organizatave pjesë-marrëse etj.  Me këtë rast ishte punuar që mjediset e Manastirit dhe të Akademisë të ishin sa më funksionale, në shërbim të veprimtarisë. Gjithashtu, i bukur e funksional, u bë mbulimi i fushës së sportit, duke e kthyer atë në një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e punimeve plenare. Tjetër e veçantë, ishte vënia në dispozicion të Asamblesë, e mjediseve moderne të shtëpisë për fëmijët, që do hapet në muajt e ardhshëm.
    Por, “punimet” e Asamblesë nisën ditë përpara, me ardhjen e stafit organizator dhe të Stewardwve, të rinjve që ndihmuan e shërbyen me shokët e tyre gjatë punimeve. Ata ishin mbi 30 të rinj nga vende të ndryshme, që bashkë me të rinj shqiptarë punuan pa pushim, për të bërë gjithçka gati për pjesëtarët e Asamblesë (e quajnë veten  ushtarët e shërbimit), Lukashi nga Polonia, përgjegjësi i tyre tha, së “kemi ardhur të punojmë, të lutemi e të takojmë njëri-tjetrin.Të jesh këtu është një dhuratë e madhe për secilin nga në. Jemi të privilegjuar të ndihmojmë organizatorët… Gjithashtu, na ka befasuar puna e rinisë shqiptare.”
    Aktiviteti i Asamblesë nisi të martën, 15 korrik. Në fillim me shërbesën në Kishën e Manastirit dhe nuk mund të ishte ndryshe për një veprimtari të tillë. Çdo ditë punimet fillonin duke kënduar himne fetar dhe me një studim nga një pasazh i Shkrimit të Shenjtë  Në mëngjes, të rinjtë u mblodhën në mjedisin e përgatitur enkas, i cili ishte i rrethuar nga banderola të bardha ku ishin shkruar emrat dhe vitet e zhvillimit të 16 asambleve të mëparshme. Në qendër ishte kryqi i madh dhe një ikonë e madhe e Zotit tonë Jisu Krisht, si dhe logoja e Syndesmos, me temën e Asamblesë të këtij viti: “Dhe ju do jeni dëshmitarët e Mi…” (Veprat e Apostujve 1:8). Ishte i siguruar edhe përkthimi në disa gjuhë për pjesëmarrësit.
    Punimet u drejtuan nga z. Hildo Boss, president i komanduar dhe sekretarja, Rebecca Hookway. Çelja dhe lutja e hapjes, si mikpritës, u bënë nga Kryepiskopi Anastas, i cili tha ndër të tjera: “Mirë së erdhët në Kishën Orthodhoksë të Shqipërisë. Meqenësë është hera e parë që Asambleja e Syndesmos zhvillohet në këtë vend, dua t’ju them së kjo është shtëpia juaj, – sepse Kisha jonë është anëtare e një Kishë të vetme, të Përgjithshme dhe Apostolike. Arsyeja tjetër është së ekziston një lidhje organike e padukshme midis Syndesmos dhe Kishës së Shqipërisë. Vendimi i organizatorëve në pranimin e misionit për të ardhur dhe shërbyer në një kishë krejtësisht të shkatërruar përgjatë 23 viteve, të një persekutimi tepër të ashpër, lidhet me përgatitjen teologjike dhe dinamizmin misiologjik që u zhvillua brenda Syndesmos… Rindërtimi i Kishës së Shqipërisë që nga rrënojat na afron një tjetër dëshmi atë së idetë dhe qëllimet rinore nuk përfundojnë në asamble e festivale. Syndesmos gjatë gjithë ekzistencës së saj ka shprehur përkushtimin e vet dhe ka ofruar elemente tepër të vlefshme në jetën e orthodhoksisë bashkëkohore. Për këtë le të lavdërojmë Perëndinë. Kështu, duke ecur përpara në shekullin XXI, na presin sfida e beteja të tjera, të shoqëruara me bekime të tjera. Gjatë shekullit të shkuar u nënvizua nevoja për të mbështetur unitetin orthodhoks në të gjitha nivelet. Tani, në këtë shekull, të një globalizimi të menjëhershëm, kjo gjë është akoma dhe më e domosdoshme. Për shembull, këtu në Shqipëri në nuk po rreshtim së theksuari, së të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e Kishës, por edhe e tashmja e saj. Me shprehjen që përbën edhe moton e kësaj Asambleje të përgjithshme “Dhe ju do të jeni dëshmitarët e Mi”, Perëndia ynë na jep një siguri “Dhe ju do të merrni pushtetin e Shpirtit të Shenjtë”. Le të lutemi pra, me gjithë shpirt, që Shpirti i Shenjtë të na udhëheqë mendimet, ndjenjat dhe marrëdhëniet tona…”.
    Në vazhdim, Presidenti Hildo Boss bëri apelin dhe u lexuan disa përshëndetje, si nga Rusia, Polonia, Finlanda, Çekia dhe Sllovakia, Zelanda e Re etj. Pastaj, ai prezantoi grupin përgjegjës për mbarëvajtjen e Asamblesë dhe falënderoi pre-sidentët e mëparshëm të Syndes-mos, disa prej të cilëve ishin të pra-nishëm etj. Në pjesën e dytë të punimeve, pati referime për temën e lidhjes midis brezave, të lëvizjes rinore dhe më pas, në zyrat e informacionit, organizatat pjesëmarrëse realizuan një ekspozitë mbresëlënëse, me materiale përkatëse për organ-izatat dhe vendet nga vinin.
    E Mërkurë, 16 korrik Punimet e ditës së dytë nisën me këngë fetar në gjuhët e pjesëma-rrësve. Ishte një ditë kulmore, sepse referoi, si folësi kryesor i Asamblesë, Kryepiskopi Anastas, i cili është një figurë e njohur në gjithë botën Orthodhoksë dhe më gjerë, për kontributin e tij si shpirtëror ashtu edhe misionar e shkencor.
    Pas fjalës së Kryepiskopit pati një diskutim të gjallë, ku u ndërthurën vlerësimet për nivelin e lartë të saj, me pyetjet dhe komentet rreth temës nga delegatë të shumtë. Pastaj u vazhdua me një raportim përsa i përket politikave dhe bilanceve midis dy asambleve, raportime nga Bordi drejtues etj. U vazhdua me grupe punë, si për çështjet e raportuara ashtu dhe për tema të tjera, si për promovimin e kooperimit ndërorthodhoks, asistencën për aktivistët e rinj dhe përgatitjen e tyre, zhvillimin e ndërgjegjësimit teologjik etj.
    E Enjte, 17 korrik Nisi si çdo ditë tjetër me mëngjesoren në kishë, ndërsa seanca me lutje në gjuhë të ndryshme. Në fillim pati sdudim të Shkrimit të Shenjtë, që u bë nga At Luka Veroni, Drejtor i Akademisë Teologjike Orthodhoksë “Ngjallja e Krishtit”- për dëshminë që duhet të japë orthodhoksi dhe veçanërisht të rinjtë, në botën e sotme dhe vështirësitë e të qenit misionar. Gjithashtu folën edhe Temu Teiwonen, drejtues i rinisë Orthodhoksë i Finlandës dhe Aleksandër Belopopski, ish sekretar i Syndesmos dhe tani drejtues në Këshillin Botëror të Kishave.
    Pastaj u vazhdua me tryeza të rrumbullakta, për shërbimin e të rinjve për kishën dhe më pas me grupet e veçanta, që kishin si tematikë: Kisha Orthodhoksë në Evropën që po bashkohet, Metodologjia e studimeve Biblike, Syndesmos, të rinjtë orthodhoksë dhe Interneti, Kampet rinore, Lëvizjet rinore në jetën e Kishës etj. Një diskutim të veçantë pati edhe për pjesëmarrjen e grupeve rinore Orthodhoksë, shkollave teologjike etj., në Syndesmos, dhe problemet që kjo sjell dhe çështjet që duhen zgjidhur. Që nga viti 1992, kur Syndesmos kishte 48 pjesëtarë, në vitin 2002 është arritur në 126 anëtarë aktivë. Kështu që u diskutua për karakteristikat që duhet të kenë pranimet e reja dhe mënyrën e aplikimit për t’u bërë anëtarë.
    E Premte, 18 korrik Në seancën e parë të paradites, Mitropoliti i Kishës Orthodhoksë Rumune për Evropën Perëndimore, Jozefi i Francës, bëri studimin nga Ungjilli. Në vazhdim, delegatët dëgjuan me mjaft interes edhe teologun veteran të Patriarkanës së Antiokisë dhe ish-President i Syndesmos për shumë vjet me radhë, z. Albert Laham, dhe të riun Lukass Nazarko, nga Polonia.
    Në pjesën e dytë të seancës së paradites, u zhvillua një tryezë e rrumbullakët me temë: Vizioni i Syndesmos dhe e ardhmja. Protagonist kryesor i pyetjeve që drejtoheshin nga auditori ishte Kryepiskopi Anastas, së bashku me Aleksandër Belopopski, Nathan Hope, Hildo Boss, Toni El Saori, etj. U diskutua për mundësitë që Syndesmos të tërheqë më shumë lidhje rinore, fakti që anëtarët e rinj duhet të pranojnë më parë karakterin e organizatës, përparësia që i duhet dhënë lutjes e adhurimit etj.
    Mbasdite zhvilloheshin veprim-tari kulturore nga vende të ndryshme dhe lojëra, si “gjuetia e thesarit teologjik”, pasi afrimi i të rinjve është më i plotë nëpërmjet aktiviteteve ar-gëtuese. Pati edhe një mbrëmje kul-turore, ku delegatët e ardhur nga ve-nde të ndryshme, u paraqitën me këngë, rrëfime, folklor tradicional etj., për të njohur kulturat e njëri-tjetrit.
    E Shtunë, 19 korrik. Folësi i mëngjesit ishte mitropoliti Efthimios, ish-sekretar i Syndesmos dhe pjesëmarrës në shumë Asamble të shkuara. Në vazhdim, Aleksandër Belopopski paraqiti raportin e “Komitetit zgjedhor”. Në të, pasi u shpjegua përbërja e komisionit, detyrat dhe metodologjia e ndjekur, u ndal tek kriteret e seleksionimit të kandidaturave.
    Pasdite u vazhdua me grupe punë, si për Natyrën apostolike të Kishës, tradita, burimet e saj dhe jeta e sotme, kampet rinore, Të rinjtë në shërbim të unitetit të krishterë, Misioni në shoqëritë postkomuniste etj. Konferencën e nderoi me ardhjen e tij dhe Mitropoliti Kiril i Smolenskut i Kishës Orthodhoksë Ruse, Përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë i Patriarkanës së Moskës.
    Në orën 17.30 filloi seanca zgjedhore, për vendin e Presidentit, 3 zv.presidentëve dhe përfaqësuesve rajonalë. President u zgjodh Cristophe D’Aloiso, nga Belgjika.
    Në orët e mbrëmjes, në mjedisin e Asamblesë, u dha një program artistik nga rinia Orthodhoksë e Shqipërisë, me këngë të krishtera, valle e këngë popullore, si dhe u shfaq një dokumentar për ringjalljen e zhvillimin e Kishës sonë në këto vite, i cili u shpjegua për të pranishmit nga vetë Kryepiskopi Anastas. Mbrëmja u kurorëzua me një dhuratë që Kryepiskopi u bëri gjithë pjesëmarrësve.
    E Diel, 20 korrik U zhvillua Liturgjia Hyjnore me pjesëtarët e Asamblesë. Celebruesit, në gjuhët e vendeve të ndryshme (shqip, sllavonisht, greqisht, anglisht, frëngjisht), këmbeheshin natyrshëm në shërbesën e përbashkët për të gjithë orthodhoksët. Drejtuan Kryepiskopi Anastas, si dhe Kirili i Smolenskut, Mitropoliti Efthim ( që foli për të kremten e Shën Ilisë)etj.
    Në fund, të pranishmëve u foli Mitropoliti Kiril i Smolenskut, i cili tha, duke iu drejtuar Kryepiskopit Anastas: “Jam shumë shumë i lumtur dhe i prekur që gjendem sot këtu, në këtë vend, në këtë vend të shenjtë dhe të bashkëmeshoj me ju. Vetëm 15 vjet më parë ky vend ishte absolutisht i izoluar nga gjithë bota. Ateizmi ishte deklaruar e aplikuar në jetën publike e private…Sot, Kisha e Shqipërisë me të vërtetë është ngjallur. Kjo është një mrekulli. Ashtu si dhe Patriarku Vartholome, në përsërisim, së kjo është një mrekulli. Kjo është një mrekulli e bërë në sajë të hirit të Perëndisë dhe fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, si dhe të lutjeve e dëshmive të martirëve të kësaj toke. Kjo mrekulli i dedikohet edhe drejtimit praktik, të mençur e të përkushtuar të Fortlumtirisë Suaj. Jeta e tashme e kësaj Kishë është një shenjë e dukshme e jetës suaj. .. Çdo herë që ju merrnit pjesë në takime ndërkombëtare, manifestonit mjaft qartë realitetin orthodhoks, njohjen e thellë teologjike dhe kontributi juaj në këtë fushë ka qenë i paçmueshëm. në ju njohim si misionar, si teolog, si prift dhe kemi lexuar të gjitha librat tuaja. Por rezultati i punës e përpjekjeve tuaja të palodhura është ringjallja e Kishës në Shqipëri.     Ju jeni një shembull pastoral e shpirtëror për të gjithë në. Në shenjë të miqësisë dhe respektit për ju, dua t’ju dhuroj një medalion të së Tërëshenjtës. Zoti ju ruajtë e ju ndihmoftë për shumë vjet. Faleminderit! Faleminderit për punën tuaj, për jetën tuaj, Faleminderit!”
    Pastaj foli Kryepiskopi Anastas, i cili falënderoi për vlerësimet dhe i dhuroi Mitropolitit Kiril një ikonë të së Tërëshenjtës, bërë nga ikonografët e rinj shqiptarë. Pasdite pati një veprimtari kushtuar 50-vjetorit të Syndesmos, me shfaqje filmash, darkë festive etj.
    E Hënë, 21 korrik. U zhvillua seanca mbyllëse, ku të rinjve u foli Mitropoliti Kiril i Smolenskut.
    Më pas, përshëndeti mbylljen e punimeve Kryepiskopi Anastas. Në emër të organizatës “Bij të Dritës”, të të rinjve orthodhoksë të Shqipë-risë përshëndeti Jorgo Papadhopulli. Pas diskutimeve të fundit, për çë-shtje administrative, të rinjtë u nisën për një ekskursion interesant, për të njohur traditën e Kishës sonë, që pati si etapa Manastirin e Apolonisë dhe atë të Ardenicës.
    Kështu u mbyll me sukses kjo Asamble, që u cilësua në komunikatën e organizatorëve si ndër më të mirat e kohëve të fundit, kjo falë edhe kushteve e atmosferës së krijuar nga Kryepiskopi e Kisha jonë.
Korresp. i “Ngjallja”