Urimi i Kryepiskopit Anastas
në Drekën Zyrtare
Një dhuratë paskale e mbushur me gëzim është për ne vizita Juaj
zyrtare në Shqipëri, Fortlumturia dhe Shenjtëria Juaj, Fort i dashur,
Patriark i Moskës dhe i Gjithë Rusive, z. Kirill.
Mirë se erdhët në vendin tonë, i cili, në gjysmën dytë të shekullit të
20-të, jetoi vitet më të errëta gjatë persekutimit shumë të egër antifetar.
Por, me Hirin e Perëndisë, që nga viti 1991, vendi ynë po zhvillohet
dhe lulëzon brenda mjedisit të lirisë së plotë fetare. Ky është një fakt,
që bëhet i mundur me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve fetare.
Gjatë këtyre viteve u përpoqëm të kultivonim respektin e ndërsjellë,
reciprocitetin dhe bashkëjetesën harmonike paqësore.
Në përgjithësi, bashkëjetesa paqësore e njerëzve që u takojnë
komuniteteve të ndryshme fetare, mund të vijë nga dy pikënisje të
ndryshme: Ose nga indiferenca ndaj përvojës fetare, ose nga përjetimi
i ndërgjegjshëm i esencës më të thellë të fesë. Në kundërshtim me
këtë, urrejtja fetare dhe armiqësia midis komuniteteve fetare që
bashkëjetojnë mund të zhvillohen qoftë nga farat e një fanatizmi fetar të
llojit ekstrem, qoftë dhe nga faktorë jofetarë, politikë, nacionalistë,
psikologjikë, që ndërmarrin të përdorin fenë për synime të tjera. Këto
rrënjë kanë qenë të forta në të shkuarën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi
jetike në të gjitha vendet. Ne përpiqemi të marrim lëngjet nga rrënjët e
shëndetshme të biomës fetare dhe të ndihmojmë në zhvillimin social
dhe përparimin e Shqipërisë, në pajtimin dhe ecjen e përbashkët
veçanërisht me fqinjët dhe me të gjithë popujt.
I njohim, Vëlla i Shenjtë dhe shumë i dashur, Patriark i Moskës,
edhe pikëpamjet tuaja, pozicionimet tuaja publike në raste të ndrysh-
me, në mjediset lokale e ndërkombëtare, njohim edhe këmbënguljen
Tuaj që liria të lidhet me kuptimin e përgjegjësisë, siç është analizuar në
shumë artikuj dhe libra Tuaj.
Me këtë rast, duam të përsërisim urimin e ngrohtë: Perëndia Ju fal-
të shëndet të fortë, së bashku me “paqen e Tij që kapërcen çdo lloj
mendjeje”, që, duke ndjekur me besnikëri gjurmët e Krishtit, Kreut
të Kishës, të arrini në vlerësime të sakta, të merrni vendime të drejta
dhe të kryeni veprimet e duhura, që do të nxisin bashkëjetesën paqë-
sore të njerëzve dhe të popujve.
Hristos Anesti! Krishti u Ngjall! Hristos Voskrese!