EmailFacebookKontakt

Sinodi i Shenjtë

Përbërja aktuale e Sinodit të Shenjtë
Përbërja aktuale e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Përbërja aktuale

Detyra Emri Selia / Shërbimi
Kryetar Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi JOANI Tiranë, Durrës dhe Gjithë Shqipëria
Mitropolit Hirësia e Tij, Mitropoliti NIKOLLA Apolloni dhe Fier
Mitropolit Hirësia e Tij, Mitropoliti ANDONI Elbasan, Shpat dhe Librazhd
Mitropolit Hirësia e Tij, Mitropoliti ASTI Berat, Vlorë dhe Kaninë
Mitropolit Hirësia e Tij, Mitropoliti NATHANAILI Gjirokastër
Mitropolit Hirësia e Tij, Mitropoliti ANASTASI Korçë
Episkop Hirësia e Tij, Episkopi IGNATI Amantia • Episkop Ndihmës pranë Kryepiskopit

Zyrat e Sinodit

  • Kryesekretar: Episkopi i Amantias, Hirësi Ignati.
  • Sekretar: Atë Grigor Pelushi.

Të dhënat e kontaktit

Adresa postare
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 5, Tiranë
Tel: 04-2257 261/2
Adresa alternative
Rruga e Kavajës, Nr. 141, Njësia Administrative Nr. 10, Tiranë
Tel: 04-2234 117, 04-2235 095

Historik i Sinodit të Shenjtë

1998. Në vitin 1998, me Hirin e Perëndisë, u riformua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Më 18 korrik 1998, në kishën “Shën Spiridhoni” të qytetit të Beratit, Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, kryesoi shërbesën e fronëzimit të Hirësisë së Tij Ignatit, si Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, së bashku me dy përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Hirësinë e Tij Evangjelos, Mitropolit i Pergjit dhe Hirësinë e Tij Meliton, Mitropolit i Filadelfias.

Po atë ditë, Kryepiskopi Anastas dhe Mitropoliti Ignat formuan së bashku bërthamën e parë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe së bashku me dy përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike mbajtën në Tiranë një mbledhje të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë. Në këtë mbledhje u zgjodh si Mitropolit i Korçës arkimandriti Joan Pelushi, ndërsa si Episkop i Apollonisë dhe Episkop Ndihmës i Kryepiskopit u zgjodh i përndershmi prifti ikonom atë Kozma Qirjo, nga brezi i vjetër i priftërinjve që shërbyen me heroizëm gjatë viteve të persekutimit fetar.

Më 20 korrik 1998, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, u krye dorëzimi në gradën episkopale i Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës Joanit, ndërsa fronëzimi i tij u bë në Korçë, më 25 korrik 1998, në kishën mitropolitane “Burimi Jetëdhënës”. Më 23 korrik 1998 u krye dorëzimi i Episkopit të Apollonisë Kozmait. Kryesekretar i Përgjithshëm i Sinodit u caktua Protopresviteri Jani Trebicka.

Sinodi i Shenjtë në vitet e para pas riorganizimit
Sinodi i Shenjtë në vitet e para pas riorganizimit.

2000. Më 11 gusht 2000, fjeti në Zotin Hirësia e Tij Kozmai, duke lënë vakant vendin e Episkopit të Apollonisë.

2006. Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, u mblodh posaçërisht Asambleja Kleriko-Laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e Ri të Kishës. Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Ri.

Në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të datës 11 nëntor 2006, u vendos që të ngrihen në gradën episkopale tre arkimandritë të Kishës sonë: Dhimitër Sinaiti, Nikolla Hyka dhe Andon Merdani. Arkimandriti Dhimitër Sinaiti u caktua Mitropolit i Gjirokastrës; Arkimandriti Nikolla Hyka u caktua Episkop i Apollonisë dhe Arkimandriti Andon Merdani u caktua Episkop i Krujës, episkopë ndihmës të Kryepiskopit.

Më 16 nëntor 2006 u krye dorëzimi në gradën episkopale i Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij Dhimitrit, ndërsa fronëzimi i tij u krye në Gjirokastër, më 26 nëntor, në kishën e Kryeengjëjve. Më 19 dhe 21 nëntor 2006, në Tiranë, u kryen dorëzimet e Episkopit të Apollonisë, Nikollës, dhe të Episkopit të Krujës, Andonit. Hirësia e Tij Dhimitri fjeti në Zotin më 28.06.2025.

2012. Pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, më 19 janar 2012, Sinodi i Shenjtë zgjodhi dy episkopë të rinj titullarë. Me vota unanime u zgjodhën si Episkop i Episkopatës së dikurshme të Amantias arkimandriti Nathanail Lavrioti dhe si Episkop i Episkopatës së dikurshme të Bylisit arkimandriti Asti Bakallbashi. Sipas njoftimit zyrtar, me këto dy dorëzime Sinodi i Shenjtë përbëhej për herë të parë në historinë e tij nga tetë anëtarë; Hirësi Nathanailit iu besua mbikëqyrja e pasurisë së manastireve, ndërsa Hirësi Astit Diakonia Apostolike. Dorëzimet e tyre në gradën episkopale u kryen në Tiranë, më 21 dhe 22 janar 2012, me pjesëmarrjen e gjithë Sinodit të Shenjtë.

Sinodi i Shenjtë, janar 2013
Sinodi i Shenjtë, janar 2013.

2016. Më 11 dhe 12 mars 2016, në Manastirin e Ri të Shën Vlashit në Durrës, u mblodh Asambleja Kleriko-Laike e Kishës, e përbërë nga 280 anëtarë, e cila aprovoi njëzëri plotësimin dhe përmirësimin e disa neneve të Statutit, ku veçohej krijimi i dy Mitropolive të reja, e Apollonisë dhe Fierit, dhe e Elbasanit.

Më 7 prill 2016, Sinodi i Shenjtë ratifikoi përmirësimet e Statutit, të miratuara nga Këshilli Kleriko-Laik dhe Asambleja Kleriko-Laike, dhe themeloi dy mitropoli të reja: Mitropolinë e Shenjtë të Apollonisë dhe të Fierit, me rrethin e Fierit, zonën e Patosit dhe të Libofshës, dhe Mitropolinë e Shenjtë të Elbasanit, me zonat e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit. Për Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë Nikolla; për Mitropolinë e Elbasanit u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës Andoni; ndërsa Episkopata e Amantias u ngrit në rang Mitropolie në personin e Hirësisë së Tij Nathanail. Fronëzimi i Hirësi Nikollës u krye më 16 prill 2016, ora 12:00, në Katedralen “Shën Gjergji” në Fier, dhe i Hirësi Andonit më 17 prill 2016, ora 18:00, në Kishën “Shën Nikolla” në Elbasan.

Sinodi i Shenjtë, 2016
Sinodi i Shenjtë, 2016.

2024. Më 20 korrik 2024, pas një sëmundjeje të gjatë, ndërroi jetë Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, në moshën 89-vjeçare, pas një shërbimi plot përkushtim në krye të grigjës që iu caktua. Më 14 nëntor 2024, Sinodi i Shenjtë, nën kryesimin e Kryepiskopit Anastas, zgjodhi me vota unanime si Mitropolit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës Hirësi Astin, Episkopin e deriatëhershëm të Bylisit. Fronëzimi i tij u krye më 21 nëntor 2024, në Katedralen e Shën Dhimitrit, në Berat.

Sinodi i Shenjtë, nëntor 2024
Mbledhja e Sinodit të Shenjtë, nëntor 2024, kur u zgjodh Hirësi Asti Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës.

Më 9 dhjetor 2024, Sinodit të Shenjtë iu shtua edhe një episkop i ri, Hirësi Anastas (Mamaj), i cili u zgjodh me vota unanime si episkop ndihmës i Kryepiskopit Anastas dhe Episkop i Krujës. Dorëzimi i tij u krye më 15 dhjetor 2024 në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

2025. Më 16 mars 2025, Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh me votë unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, duke pasuar të ndjerin Kryepiskop Anastas.

Më 16 shtator 2025, në Qendrën Sinodike të Kryepiskopatës së Tiranës, Sinodi i Shenjtë u mblodh nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan. Me vota të plota zgjodhi Mitropolit të Gjirokastrës Hirësi Nathanailin, Mitropolitin e deritanishëm të Amantias. Deri në zgjedhjen e tij kishte shërbyer edhe për mjaft vite si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë. Fronëzimi i tij u krye më 20 shtator 2025, ora 11:00, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Gjirokastër.

Po më 16 shtator 2025, Sinodi zgjodhi me vota të plota Mitropolit të Korçës Hirësi Anastasin, Episkopin e deritanishëm të Krujës. Deri në zgjedhjen e tij shërbente si Episkop i Krujës dhe Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Pas zgjedhjes, dy Mitropolitët e sapozgjedhur dhanë Mesazhin e Madh në paraklisën e Qendrës Sinodike. Fronëzimi i Hirësi Anastasit u krye më 27 shtator 2025, ora 11:00, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Korçë.

2026. Më 28 prill 2026, Sinodi i Shenjtë, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, zgjodhi me vota unanime Arkimandritin Ignat (Todri) si Episkop të Episkopatës së Shenjtë të Amantias, i cili, sipas Statutit të Kishës, është anëtar i Sinodit të Shenjtë. Dorëzimi i tij në gradën episkopale u krye më 3 maj 2026, të Dielën e të Paralizuarit, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, nga Kryepiskopi Joan, me pjesëmarrjen e Mitropolitëve të Apollonisë e Fierit, Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit dhe Korçës.

Burime zyrtare online nga faqja jonë