EmailFacebookKontakt

Kreshma e Madhe e Pashkës

Kreshma e Pashkës është e veçantë, me karakter të thellë pendimi,
si periudhë përgatitore për kremtimin. Ajo fillon gradualisht. Nga12 shkurti
hoqëm mishin dhe produktet e tij, pra nuk hamë mish deri ditën e Pashkës.
Nga 19 shkurti nuk hahen as prodhimet e bulmetit dhe peshku.
Çfarë hamë dhe çfarë nuk hamë:
– Nuk lejohet përdorimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut,
bulmetit, vezës, por hahen perimet, zarzavatet, frutat, frutat e detit, gatime
e produkte brumi, verë dhe vaj (përdorimi apo jo i vajit e verës varet nga
udhëzimet e atit shpirtëror).
– Lejohet te hahet peshk vetëm në të kremten e Ungjillëzimit, më 25
Mars dhe të Dielën e Palmave (Dafinave,) që këtë vit bie më 1 Prill.
Shënim i rëndësishëm:
– Kalendari ynë kishtar është hartuar në mënyrë të tillë që të na
drejtojë me zell në rrugën e duhur në jetën tonë shpirtërore. Në të ka
shumë ditë kreshmimi, të cilat na përgatisin për ditët e festave.
– Gjithashtu, është duhet që çdo i krishterë orthodhoks të këshillohet
me atin e tij shpirtëror për sa i përket nevojave personale për të kreshmuar.
Ka mënyra të ndryshme kreshmimi, që varen nga udhëzimi i atit shpirtëror.
– Gjatë gjithë periudhës së kreshmës Kisha rekomandon pakësimin e
sasisë së ushqimit që konsumohet në çdo vakt dhe të mos hahet ndërmjet
vakteve.
– Kreshmoni edhe për disa ushqime dhe pije që ju pëlqejnë më shumë
(ëmbëlsira, alkool) dhe për disa zakone apo varësi (pirja e duhanit,
televizori, celulari, facebooku etj.).
– Bisedoni me atin shpirtëror dhe merrni bekimin e tij kur duhet kufizuar
apo ndaluar kreshmimi për arsye shëndetësore, për gratë shtatzëna dhe
për raste të tjera të veçanta.
Pse kreshmojmë:
Kreshma na bën të vetëdijshëm për varësinë tonë nga Perëndia.
Kreshma na ndihmon të krijojmë disiplinë personale.
Kreshma shërben si një periudhë ndriçimi, veçanërisht për të na
përgatitur për kremtimin shpirtëror dhe misionin e krishterë.
Kreshma është periudhë që zbulojmë nevojat tona të vërteta.
Kreshma është shenjë vuajtjeje dhe pendimi.
Si të kreshmojmë:
Mbani kreshmë shenjtëruese.
Kaloni më shumë kohë me Perëndinë gjatë Kreshmës.
Kreshma e Madhe e Pashkës
Kombinoni bamirësinë me kreshmën.
Ruani një shpirt përulësie, pendimi dhe faljeje.
Kreshmoni në fshehtësi.
Kreshmoni me gëzim.
Kreshma dhe familja
– Diskutoni me familjen përpara se të fillojë Kreshma, për rëndësinë
e të kreshmuarit, sesi do të kreshmojë familja juaj dhe për çfarë feste të
madhe po përgatiteni.
– Gjatë periudhës së kreshmës të heqim dorë nga diçka e veçantë për ne.
– Të reduktojmë sasinë e ushqimit që hamë.
– Nga paratë e kursyera nga kreshma të bëjmë diçka për njerëzit në
nevojë.
– Rriteni aktivitetin tuaj shpirtëror (lutuni në komunitet dhe personalisht
vetëm për vetëm me Zotin, lexoni çdo ditë Ungjillin, lexoni jetë shenjtorësh
dhe tekste të tjera të shenjta të Kishës).
– Mos e kufizoni përfitimin nga kreshma thjesht duke hequr dorë nga
ushqimi, sepse kreshmë e vërtetë do të thotë të shkëputesh nga e keqja.
– Prishni çdo lidhje të padrejtë, hidhni tutje çdo pakënaqësi ndaj të
afërmit tuaj, faleni për ofendimet e tij ndaj jush.
– Mos u grindni.
– Kujdes! Ju nuk hani mish, por mërzitni me grindje të tjerët; nuk pini
verë, por vazhdoni të fyeni të tjerët. Nëse jetoni kështu, përpjekja e
kreshmës nuk ka dobi.

3