EmailFacebookKontakt

Fjeti Theodhor (Todi) Janku

Më 17 shkurt, ditën e Shën Theodhor Tironit, ndërroi jetë Theodhor (Todi)
Janku, një figurë e njohur dhe vlerësuar e komunitetit orthodhoks kryeqytetas.
Besimtar i devotshëm, familjar shembullor dhe sportist i shquar. Lindi në një familje
me tradita në sport, më 8 maj 1930, por shpejt mbeti jetim dhe u detyrua të
punonte që në moshë të re. Kampion i boksit për më shumë se 12 vjet, asnjëherë
nuk e la zanatin e marangozit, ku dallohej e vlerësohej.
Pas lirisë së besimit, ishte nga të parët që u afruan me shumë besim në Kishë,
duke kontribuuar me sa kishte mundësi. Që në momentet e para, e lidhte një
marrëdhënie e veçantë vlerësimi të ndërsjellë me Kryepiskopin Anastas, duke e
mbështetur pa rezerva veprën e madhe të ringritjes nga gërmadhat që po niste.
Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha Orthodhokse një
besimtar të devotshëm e të palëkundur. Perëndia e prehtë në paqe!
Fjeti Theodhor (Todi) Janku

3